Wednesday, 14 March 2018

“Vrasja” e hapësirave të përbashkëta nga Rama

Që e gjithë historia e studim-projektimit të Teatrit Kombëtar është një aferë e pastër korruptive, për këtë nuk duhen as shumë mend dhe as njohuri nga fusha e biznesit apo e urbanistikës. Rama kishte kohë, që i sillej rrotull kësaj prone publike, të cilën e konsideronte si pronën e tij kur ishte Kryetar Bashkije dhe më tepër tani, që është Kryeministër i vendit.
Në të gjithë këtë histori “të fëlliqur”, ka një anë të mirë - angazhimi i arkitektit Bjarke Ingels, një nga arkitektët në avangardë të mendimit hapësinor dhe arkitekturor në botë.
Po hap një parantezë, për akuzën për plagjiaturë, të ngritur në shtypin tonë rreth projektit të Teatrit Kombëtar. Nuk besoj se ka nevojë, një studio e fuqishme si “Bjarke Ingels Group” të kopjojë një vepër të një studioje tjetër. Arkitektët e këtij niveli janë shumë të kujdesshëm për reputacionin e tyre profesional, ndaj ngjashmëria duhet konsideruar ose e rastësishme, ose duhen dëgjuar të dy palët për historinë e projektimit të dy objekteve.
Projekti i paraqitur nga arkitekti danez, sipas sugjerimit nga kryeministri Rama, duke e “xhveshur” nga kullat përreth, është një hile e keqe, që dëshmon qëllimin e palës porositëse (në këtë rast qeveria jonë)
I gjithë kompleksi nuk është “tetaër me kullë“ si e kanë quajtur disa kundërshtarë të tij, por “kullat me papijon”.
Janë ato, jo vetëm qëllimi i hartimit të këtij projekti, por edhe vëllimet , që dominojnë këtë hapësirë publike.
Duke ardhur tek hapësira publike, duhet të themi se këtu nis dhe përfundon, i gjithë dëmi urbanistik, që i bëhet kësaj pjese të qendrës së Tiranës. Në rast se Teatri do konceptohej si vëllim më vete në gjithë truallin që ze, sot, do kishte një hapësirë multifunksionale që do përmblidhte jo vetëm veprimtari artistike , por edhe rekreative të kryeqytetasve. Atje mund të ishte një vend takimi për të gjithë llojet e artistëve, nga piktorët e rrugës dhe deri tek “trubadorët”. Diçka e ngjashme me hapësirën përreth Qendrës kulturore  “Zhorzh Pompidu” në Paris.
Eshtë kjo, që ju intereson qytetarëve, por jo Ramës dhe Veliajt, që nxitojnë se mos ju shpëton “ky zog” nga dora para se të humbin zgjedhjet lokale në Tiranë.
Si e kam përmendur në një artikull tjetër tek politico.al “Robert Ndrenika”, kujdes se këta të gënjejnë!”, unë kam mendimin, që teatri në gjendjen, që është, nuk ka asnjë kuptim të ruhet apo të restaurohet. Gjithashtu, 10-15 milion dollarë për të ndërtuar një Teatër të Ri nuk janë ndonjë shpenzim dërmues për buxhetin e një qeverie, që flak para në të katër anët.
Nëse sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë stërmadhe “zdërhalliseje”, një hapësirë më e vogël publike, rreth Teatrit të Ri, do ishte një qoshe e këndshme, çlodhëse dhe krijuese për të gjithë ata, që aspirojnë të bëhen artistë në kryeqytetin shqiptar.
Për fat të keq, nuk kanë mbështetjen e kryeministrit-artist.
Ai mundohet të justifikojë zënien e hapësirave duke bërë krahasime me Manhattan dhe teatrot e Broadway.
Jo vetëm nga diferenca e madhe konceptuale, historike, financiare,e pronësisë, Tirana nuk mund të krahasohet me Manhattan, por duhet thënë se teatrot, që përmend Rama, as kanë qënë dhe as janë pronë publike. Ato janë zhvilluar si investime private, duke gërshetuar interesat e ndërtuesve me ato të biznesmenëve të kulturës dhe nuk ka pse të përmenden as si shembuj negativeë dhe as si pozitivë. Në rast se ka vend për krahasim me atë pjesë të New York-ut, mund të përmendet rasti i mbrojtjes , që i beri Jacqueline Kenedy në vitet ’70 “Grand Central Station” duke e shpëtuar nga shkatërrimi dhe zëvendësimi me grataçielë.
Hapësira publike e Teatrit Kombëtar duhet mbrojtur.

Për këtë duhet kërkuar një projekt i ri nga arkitekti i shkëlqyer danez Bjarke Ingels me të tjera modalitete dhe kërkesa, duke vënë në qendër njeriun dhe hapësirat e kultivuara publike, që e bëjnë më të mirë jetën e tij.

No comments:

Post a Comment