Vite më parë, diku kam lexuar një pyetje rreth filmave, nëse
i zgjedh për t’i parë nga emri i regjisorit, i aktorëve kryesorë apo nga
subjekti. Si kujtdo, edhe mua më shkoi në mendje, se nga se i zgjedh filmat
para se t’i shikoj. Nuk mund të jepja një përgjigje të menjëhershme, por nëse
ndikimi i parë do ishte nga zhanri, i dyti dhe më me peshë do ishte emri i aktorit
ose aktores kryesore. Nuk do hezitoja të shihja çdo film, ku luan Robert
Redford,(përjashto këtu “science fiction”, por Bob nuk besoj se do ishte i interesuar
për një film të tillë), ose të Tom Hanks apo të Meryl Streep. Përvoja
(statistikore) ka dëshmuar se jo vetëm luajnë shkëlqyer, por dinë të zgjedhin për
tu angazhuar në filma mbi mesatarë.
E përmënd këtë, për të treguar, që brenda nesh ka diçka “objektivo-subjektive”
në raportin me veprat e artit, autorët e caktuar, rrymat e caktuara. Vlerësimi
nuk ka se si të jetë tërësisht i paanshëm.
Kjo më ngjet shpesh edhe në vlerësimin e veprave të arkitektëve
të mëdhenj. Mrekullohem më shumë nëse kur shoh një vepër , që më le mbresa,
pranë saj shoh edhe emrin e Frank Lloyd Wright, Mies Van Der Rohe, Frank Gehry
apo Renzo Piano. Mes veprave të tyre ka edhe mesatare, por në gjykimin tim (dhe
të të tjerëve) ndodh ajo që mund të quhet “ndikim nga emri i personalitetit”, që
jep menjëherë dy nota më lart për të njëjtën cilësi projekti.
Kështu më ndodhi edhe dje, pasi pashë disa nga veprat e
arkitektit 43 vjeçar Bjorke Ingels, i cili ka projektuar Teatrin Kombëtar në
Tiranë. Pashë një arkitekt jo vetëm të suksesshëm, por mbi të gjitha të formuar
teorikisht, me ide të reja rreth arkitekturës, me një frymë origjinale dhe një
modernizëm elegant që nuk e has dendur. E kam fjalën për projektet e realizuar
të tij dhe jo për projektin e Teatrit tonë. Objektet janë jo vetëm në vazhdimësi
të projekteve më të mira të shekullit të kaluar, por sjellin frymën e një kohe
të re në të cilën jetojmë.
Kur kisha parë vëllimet e Teatrit, para se të dija se kush
ishte Ingels, më ishte dukur një projekt interesant, por disi i nxituar në
zgjidhjen vëllimore, që më kujtonte një kapëse të flokësh në kokën e një vajze.
Dje, pasi pashë më shumë renderime dhe kisha mësuar se ç’është
në gjendje të projektojë arkitekti danez. Edhe pse duhet njëfarë rezerve në
gjykimin pozitiv, sepse duhet parë i gjithë projekti i kompleksit, së bashku me
ndërtimet përreth që do shtohen, unë I besoj më shumë tani autorit.
Tirana (dhe qytetet e tjera nëse është e mundshme) kanë
nevojë për projekte nga studio, që janë në pararojë të mendimit arkitekturor.
Edhe pse i ri, Bjorke Ingels është i tillë. Kur bëhet fjalë për të tilla angazhime edhe mund të justifikohet
shmangia e një konkursi, që përgjithësisht është mënyra më e mirë, për të
arritur në vepra cilësore.
Duke mos ngatërruar motivet (që në rastin e dorës së Ramës janë
gjithnjë lakmitare) me rezultatin, duhet të them, se projekti jo vetëm është
modern, jo vetëm përputhet me funksionin, por mund të quhet pa frikë projekti më
dinjitoz, që është paraqitur deri tani në Tiranë.
A do të kisha të njëjtin gjykim nëse ky projekt do kishte
firmën e arkitektit Australian Peter Wilson ?
Peter Wilson nuk mund të projektojë diçka të tillë!
No comments:
Post a Comment