Thursday, 1 March 2018

“Siopi bre gajdhare!”

Kjo shprehje, që më bën të qesh sa herë e dëgjoj dhe që në shqip ka kuptimin “Pusho o gomar!”, ka një histori të lezetshme të vjetër Korçe, por nuk kam ndërmend ta tregoj, se nuk ka lidhje me këto, që do shtjelloj më poshtë.
“Pusho o gomar!” më duket se është nënteksti në çdo lloj diskutimi në Shqipëri, qoftë ky në televizion, shtyp, online apo kafene.
Thuajse të gjithë, kanë dëshirë t’i mbyllin gojën atij, që nuk mendon njëlloj si ta. Përjithësisht, sulmohet personalisht diskutanti, duke i kujtuar ato, që ka bërë apo nuk ka bërë vetë, mungesa e kualifikimit, prejardhja dhe deri në cenet fizike apo në paraqitje.
Eshtë një përzjerje e mentalitetit të shoqërisë së prapambetur, me mentalitetin e kohës së Diktaturës, kur diskutimi i ideve jo vetëm nuk nxitej, por mund të të shpinte edhe pas hekurave.
Në një zyrë pushteti, një muaj pasi kisha nisur punë, e mësova këtë, kur pasi po mundohesha të argumentoja, se ajo që kërkohej nuk kishte mundësi të bëhej, zyrtari i lartë më tha: “Këtu të kam thirrur për të të thënë ta bësh dhe jo pët të të marrë mendje!” Mu duk sikur më dha një dackë faqes, por më vonë mendova, se edhe ai, duhet ta kishte mësuar nga ndonjë më “i fuqishëm”, kur kishte patur “ide’ të tilla të “ballafaqimit të mendimeve”.
E gjithë kjo anti-kulturë e mungesës së dialogut, të këmbimit të mendimeve, të durimit për të dëgjuar tjetrin, të respektimit të të drejtës për të shprehur një ide qoftë edhe absurde, u përcoll në kohën e “lirisë“ me fyerje, qesëndisje dhe “dërmim” të atij, që shprehet kundër në ]do fushë dhe sidomos në ato shoqërore dhe politike.
“Pusho, o gomar, o injorant, o spiun!” të duket sikur dëgjon sa herë has ndonjë diskutim në studiot televizive edhe pse mund të mos përdoren këto fjalë.
Më e keqja është, se kjo frymë u përcoll edhe në brezin e lindur në kohën kur “liria e fjalës dhe e mendimit” është e garantuar me kushtetutë. Të rinjtë, po njëlloj të paduruar dhe jo tolerantë, shpërthejnë ndaj diskutantëve të tjerë, me të cilët nuk i bashkon mendimi apo bindja politike me shprehjet:
“ Cilat janë kualifikimet që ke ti?”;
“Nuk jemi në monizëm!”;
“Je i parealizuar prandaj sulmon të tjerët!”;
“Ke nevojë për qetësues!”;
“Ke të njëjtat mendime me familjen tënde politike dhe biologjike”;
“Duhet të kesh pasur fëmijëri të vështirë!”;
Dhe plot “squarsira” të këtij lloji, të cilat nuk kanë të bëjnë as me thelbin e bisedës, as me faktet, as me argumentat dhe as me propozimet, të cilat janë në diskutim. Kanë të bëjnë vetëm me diskutuesin dhe poshtërimin e tij. Në gjithë vendet e zhvilluara perëndimore (ve]anërisht në Amerikën e Veriut), të tilla batuta jo vetëm që janë të papranueshme, por ]do lloj sulmi personal, qoftë dhe me shaka, e ve në pozita turpi atë, që e përdor.
Në ]do forum ku ke pranuar të marrësh pjesë në diskutim (qoftë edhe tavolinë kafeneje apo darkë familjare) nëse fjalët e tjetrit të duken “marrëzira” (dhe kjo ndodh jo rrallë) ke mundësi të tërhiqesh nga diskutimi, të largohesh, për të treguar me heshtje, që nuk i përket atij niveli diskutimi. Në të kundërt, nëse drejtpërdejt ose me nëntekst i thua tjetrit “Pusho o gomar!”, atëhere automatikisht gomari je vetë.
Kultura e diskutimit të paqtë dhe të qetë do vite dhe mbase breza të krijohet. Deri në atë kohë, me kokëmushkësinë tonë (nuk flas për ata, që qëllimisht provokojnë dhe fyejnë të tjerët në diskutimet televizive) do vazhdojmë t’i mbyllim gojën njëri tjetrit me shprehjen:

“Pusho o gomar!”

No comments:

Post a Comment