Monday, 26 March 2018

Vëmendja e VIP-ave ndaj më të vegjëlve


Duket ndonjëherë si e stërzmadhuar, por bota e VIP-ave të politikës shpesh herë është shumë e lidhur me personazhe, në dukje të parëndësishëm.
Në fund të viteve ’70, në Tiranë qarkullonte një legjendë urbane, e cila nuk është verifikuar kurrë dhe nuk ka zënë as tani, në kohën e lirisë së shtypit, vend në mediat online.
Në vija të trasha ishte e tillë:
“Kur Brigade Rosse i komunikuan Aldo Moros, se do ta ekzekutonin dhe e pyetën se cila ishte dëshira e tij e fundit para vdekjes, shtetari demokristin me qetësi ju kishte thënë se donte të dëgjonte këngën “I duam këngët tona” të kënduar nga Pëllumb Tare”
Të rinjtë nuk e dinë se cili është këngëtari Pëllumb Tare dhe ndoshta nuk e kanë dëgjuar edhe këngën e tij në një nga festivalet e Radio-Televizionit Shqiptar.
Pëllumb Tare, një ish-mundës dhe ish-këngëtar, është xhaxhai i Igli Tares dhe studiuesit ushtarak të arkeologjisë, Auron Tares.
Në kohën , që qarkullonte kjo histori, ne ishim një vend i izoluar dhe dukej akoma më e pabesueshme, që kjo të kishte ndodhur.
Si mund ta njihte kaq mirë ish-kryeministri italian zhvillimin e këngës shqiptare?
Aq më shumë të kishte të preferuar një këngë, e cila nuk kishte fituar as çmim?
E megjithatë, pas hapjes së Shqipërisë, të tilla histori tingëllojnë më të besueshme, sepse spjegohen me shumë e shumë lidhje psikologjike, parapsikologjike , të organizatave të fshehta, të qeverive hije etj. etj.
Ja përshembull, suksesi i Igli Tares në Lacio, një ekip i lidhur tradicionalisht me Qendrën e Djathtë italiane mund të ketë rrënjë të lashta edhe në historia e Moros.
Një lajm i sotëm, ma solli të freskët këtë histori, sepse ka disa pika të ngjashme.
Ndërsa qyteti i Korçës po zbukurohej më së miri për festimin e vizitës së parë në Shqipëri të kryeministrit grek Aleksis Cipras, papritur, nga qarqet greke ka ardhur njoftimi se vizita do anullohet.
Grekët nuk kanë dhënë zyrtarisht arsyen, por burime të mirëinformuara pranë Bashkisë së Korçës, bëjnë të ditur se shkaku është dorëheqja e papritur nga grupi i këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Korçës, e ish-ushtarakut Shkëlqim Larti.
Se pse dhe se si, as analisti Ilir Kulla, i afërt me Presidentin Meta, nuk ka mundur ta spjegojë.
A ka patur pazare mes Bashës dhe Putin për t’i dhënë Korçën Greqisë dhe këtë e ka denoncuar vetë ish-ushtaraku Shkëlqim Larti është një nga spjegimet fantastiko-shkencore të mundshëme.
Gjithsesi, kur mendon se nga vrasja e arqidukës Ferdinand në Sarajevo, u grinë miliona europianë, nuk është aspak e çuditshme, që fijet e komploteve të të shpien nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit dhe anasjelltas.
Të paktën, kjo histori të jetë me “happy end”.

No comments:

Post a Comment