Shkrimi i Teodor Vasos, furbollistit më të mirë korçar të
shekullit që shkoi, i botuar në disa gazeta e portale, risolli problemin e
“harresës të qëllimshme” ndaj figurave të mëdha të të Shqipërisë, që meritojnë
të jetojnë me më shumë dinjitet vitet e pensionit të tyre.
Kujtoj se si me ankth, i gjithë qyteti priste në fundin e
viteve ’60, që “Partizani” të lejonte kthimin e Todos në Korçë, pas viteve të
shërbimit ushtarak dhe disa të tjerave shtesë. Më në fund mbrojtësi dhe
mesfushori i gjithanshëm u kthye, dhe jo vetëm mbajti për shumë vite shiritin e
kapitenit, por u bë shtylla kryesore e ekipit korçar, që konkuronte për vendet
kryesore në klasifikimin e kampionatit shqiptar të futbollit. Duelet e tij me
Panon, Përnaskën, Hykën, mbetën të paharueshme për sportdashësit korçarë.
Por Teodor Vasoja kishte marë vlerësimet maksimale edhe të
trainerëve dhe të vëzhguesve të huaj, në të shumicën e ndeshjeve ndërkombëtare
brenda dhe jashtë vendit. Lojtar me përgatitje atletike të shkëlqyer, teknikë të
lartë, përkushtim dhe ndienjë të fortë të garës, Vasoja mund të luante në kohën
e tij në çdo klub të huaj.
Por kujtesa jonë dhe ndienja e mirënjohjes është afatshkurtër.
Sidomos ajo e nëpunësve dhe e politikanëve.
Në shumicën e rasteve, titujt e nderit dhe pensionet
speciale, rezervohen për miqtë, për partiakët, apo për familjarët e militantëve.
Eshtë absurde që dhënia e pensioneve të veçanta, të jetë
monopol i Kryeministrit, si ka ndodhur këto pesë vitet e fundit, me
kryeministrin Rama, që heq dhe ve nëpër lista, ata, që i duken atij të përshtatshëm.
E njëjta gjë ndodh me “vasalët” e Kryeministrit nëpër bashki, ku titujt mbeten
monopole të kryetarëve të bashkisë, si “këmbime nderesh”.
Problemet e Korçës në trajtimin e sportistëve dhe
ish-sportistëve duket se çalon shumë, se veç rastit të Vasos, në shtyp dalin
edhe ankesat e kampionit të diskut Dhimitraq Cepa, një nga atletët fenomenalë
shqiptarë. Mund të shtosh këtu harresën për të mëdhenjtë e futbollit Peço Mile,
Kosta Koça dhe Maksi Tuxhari, që janë larguar nga jeta, apo për Zeni Celën,
Piro Oparin, Myzejen Hoxhallin, Dhorkë Koçon dhe plot sportistë të tjerë të
shquar.
Nëse Teodor Vasoja është ndër të parët , që meriton
pensionin e veçantë, po aq e meritojnë edhe Koço Dinella, Jani Kaçi, Dhimitraq
Xhambazi dhe sportistë të tjerë cilësorë. Para
se Bashkia t’i jepte titullin “Qytetar Nderi” Behgjet Pacollit, që nuk ka asnjë
lidhje me qytetin, duhet të kishte menduar për këta njerëz, që na kanë
emocionuar aq shumë dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë.
Ata, kanë qënë modeli i mijra fëmijëve, që u morën me sport,
me këtë fushë të jetës , që ndihmon të bëhesh njeri i fortë dhe i mirë.
I ktheni Teodor Vasos dhe të tjerëve, pak mirënjohje në
këmbim të orëve të mrekullueshme, që na kanë dhuruar!
No comments:
Post a Comment