Tuesday, 20 March 2018

Midis gjinjve të Stormy Daniels dhe Ilda Bejlerit



Duhet të ikësh sa më larg lajmeve në tv apo online. Gjërat më të rëndësishme këto dy javë, në të dy anët e Atlantikut, janë gjinjtë e Daniels dhe Bejlerit.
O Perëndi e madhe, vërtet na fute në gjitarët, po pse të bëheshim kaq të përkushtuar ndaj pjesëve trupore me të cilat ushqehen njerëzit e vegjël (bebet dhe jobebet)?
Pse duhet që 24 orë në ditë, lajmet urgjente (breaking news) dhe ato jourgjente duhet të sillen rreth gjëndrave të qumshtit të një aktoreje filmash porno dhe të një komentatoreje sportive?
Do të mësosh se si janë bursat, por fap – të del Stormy me gjinjtë e saj fallco dhe duhet të dëgjosh historinë se si i janë shkelur e drejta e fjalës, e informimit, e sinqeritetit, e terapisë psikologjike duke i dhënë vetëm 130 mijë dollarë.
(Stormy duhet të ketë vëllezër katilë dhe jo si e motra e gjykatësit tonë Fatos Lulo, që i jep çdo vit nga një peshqesh prej 100 mijë dollarë.)
Trump po ngre tarifat e çelikut, po ul taksat, po fiton luftra, po hap luftra të tjera, po e ngre Amerikën, po e çorbavit dynjanë, por përflitet më shumë në shtyp se fjeti një, dy ose tri herë me kokën në gjinjtë fallco të Stormy-t (fake boobs).
E njëjta gjë në shtetin më proamerikan të Europës.
Sa i nxorri dhe pse i nxorri gjinjtë Bejleri në një emision sportiv.
Veç “namuzqarit” Mustafa, që hodhi një gur, janë lëshuar pro, kundër dhe në asnjëanësi, Zheji, Xhunga e deri në Ardian Vehbiu. Tani çështja do shkojë edhe në gjyq, kur dihet që nuk kemi as Gjykatë Kasacioni dhe as gjyqtarë të papërlyer, që të gjykojnë çështje gjinjsh.
Le të vjedhin politikanët!
Le të marrin rryshfete gjykatësit!
Le të përmbytet dynjaja!
Me këto lajme jemi mësuar dhe nuk ka pse t’i analizojmë. Ama një opinion se a janë sharmante, a ka ndopak ndërhyrje estetike, a është dekolteja për “të shuar” “ndezjen sportive të tifozëve”, kjo gjë duhet analizuar gjërë e gjatë e thellë.
Po kur janë kaq të rëndësishme, bënit a marrë dreqi një kanal, që jep vetëm lajme , që lidhen me “çshtjen e gjinjve” dhe bëjini telef të shkretat!
Po na lini të shikojmë se vërtet cilat janë hallet dhe gëzimet e kësaj bote!

P.S. Mirë e kishte një mik im i ndjerë, që i quante “mos-et”.

No comments:

Post a Comment