Eshtë sa e dhimbshme edhe interesante, se pse në kohë të
ndryshme “dashakeqësit” nga injoranca apo nga lakmia, prekin të njëjtat plagë
dhe i përkeqësojnë. Ndoshta edhe korbat, kur shkojnë pranë një kufome, çukitin
në të njëjtin vend, për të gëlltitur indet gjithnjë e më të buta. Apo qëllimi është të plagërojnë tiparet e bukura të fytyrës
së qytetit. Nuk di se ku fillon e qëllimshmja dhe ku mbaron aksidentalja.
Ka qënë një pjesë e qendrës, që do e krahasoja me buzët në fytyrën e një njeriu.
Kompleksi, që përfshinte farmacinë “Cekani” dhe librarinë në bulevard, së
bashku me dyqane-shtëpi të tjera dhe gështenjat e mëdha, kanë qënë për mua “buzët
e bukura” të Korçës. Mbase me “fiston”. Ishte një pjesël e vogël e tij, që të
thithte, të bënte të ndjeheshe i mbrojtur dhe njëkohësisht romantik, edhe pse ishte
pjesa me më shumë lëvizje këmbësorësh në të gjithë shëtitoren. Në ato “buzë“ më
mirë se kudo e ndjeje frymëmarjen e qytetit.
Atje ishte edhe shpirti tregëtar, edhe ai i zbavitjes, edhe i
këmbimit të shikimeve. Dikujt nuk i pëlqente, ndaj dhe kishte dhënë idenë, që
ato buzë fisnike të prisheshin, dhe të ndërtohej një “gojë“ e madhe, që thërriste
“Lavdi Marksizëm-Leninizmit”.
Vetëm në këtë mënyrë mund ta spjegoj, prishjen e madhe të
asaj pjese dhe konceptimin totalitar të super-shkallareve me dekorin Komitet
Partie – Pallat Kulture – Mapo shumëkatëshe.
Për ta, qytetit nuk i duheshin “buzët e puthjeve”, por “bullçinjtë
gërthitëse”.
Dhe ndodhi ajo, që ndodhi, por ishte mbi fuqinë e arkitektëve
dhe urbanistëve, se urdhri kishte ardhur nga maja e Piramidës.
Dhe pasi “goja e çaplyer”, e thatë, e shëmtuar, pati disa
korigjime pas viteve ’90, tani i janë rikthyer edhe një herë për ta rishëmtuar.
Nuk ju ngopën asaj pjese të qendrës, që dikur ka pasur ndërtime të hijshme me
pronarë. Tani është pronë e bashkisë dhe mund të futin “dhëmbë“ betoni të shëmtuara,
për të bërë sa më të largët kujtimin e “buzëve të bukura”.
Dëshira për ta kthyer Qendrën e Korçës si Qendrën e Laçit,
ka mbetur në subkoshiencën e Partisë të Pompozëve.
Qëndra Kulturore, a Bibliotekë, a kushedi se si mund ta
quajnë në të ardhmen “të dashuruarit injorantë pas kulturës”, i jep goditjen e
fundit shëmtuese asaj hapësire.
Qyteti jonë dikur i bukur me gurmaz tashmë të shqyer.
“…galat dhe sorrat e
hanë…oiiii”
No comments:
Post a Comment