Ishte një kohë, kur përbetimet humbën vlerën e mëparshme.
Ose për të qënë më i saktë, përbetimet u ndanë në grupmosha dhe klasa shoqërore.
“Për Krisht” ose “Për atë Zot të madh!” ju lejohej vetëm pleqve në mykët, “për
kokën e mamasë“ vetëm fëmijëve dhe adoleshentëve, “për shpirt të babait” vetëm
atyre, që ishin në prag pensioni dhe të përndjekurve politikë.
Anëtarët e PPSH-së ishin të vetmit që kishin të drejtë të përdornin
formën më të lartë të përbetimit, që ishte “Për ideal të Partisë!” ose në formën
e saj të shkurtuar “Për ideal!” Ishte beja më serioze, më solemne dhe më e
besueshme. Por edhe kandidatët e partisë nuk kishin të drejtë ta përdornin vend
e pa vend. Duhet të ishe anëtar.
Shumica dërmuese e komunistëve nuk dinin se ç’ishte ideali,
por pikërisht forma e tij e mjegullt dhe misterioze e bënte më qiellor përbetimin.
Kishte raste edhe që gënjenin, por po qe se do zinin benë “për
ideal!” atëhere nuk kishte as gjykim shoqëror dhe as gjykatë e ligjeve që t’ju
theshte se gënjenin. Duhet të përjashtoheshin një herë nga partia, të të
etiketoheshin me një “ist” në fund si “revizionist”, “oportunist”, “centrist”, “puçist”, “sektarist”, “lokalist”, pastaj të quheshin
edhe gënjeshtarë dhe shkelës të Idealit të Partisë.
Një pasdite të gjatë behari, që u pasua edhe nga një natë po
aq e gjatë, Ilir Meta thirri në një vilë në Durrës, gjithë shokët e tij të
Idealit nga krahina të ndryshme të vendit dhe ju njoftoi se do formonte LSI-në,
ndaj dhe idealistët duhet të shkonin menjëherë në bazë dhe të krijonin degët e
Lëvizjes në rrethe.
Kishte konstatuar se ish- Partia e Punës, kishte lëvizur nga
ideali i saj si dhe nuk po bënte përpjekjet e duhura për tu integruar në Europë,
ndaj dhe gjithë idealistët e majtë, pa dallim feje dhe krahine duhet të Lëviznin.
Shkurtimisht, kështu lindi Ideali i LSI-së.
Në kishte njerëz idealistë në Shqipëri(nga gurët e rëndë, që
nuk kishin ikur në emigracion) të gjithë u mblodhën rreth Metës dhe Idealit të
tij. Nuk mund të them me siguri, nëse në mbledhje dhe gëzime partiake, idealistët
përbetoheshin “për ideal të LSI-së!”, sepse përgjithësisht veprimtaritë ishin
shumë të gëzueshme dhe kulmonin me një marrje valleje nga Meta
ose Monika, të ndjekur gjithë hare nga idealistët e tjerë.
Më pas erdhi Rilindja. Ideali i idealeve, që jo vetëm i ndroi
faqen Shqipërisë, por i bëri shqiptarët të ëndërrojnë jo vetëm për Europën, por
edhe përtej saj.
Duket se edhe përbetimet tek idealistët e LSI-së po
ndryshojnë në “për shpirt të LSI-së!” dhe në “për ideal të Rilindjes!”
Zaten ideali dhe shpirti nuk janë nocione aq të largëta. Në
fillim ikën njëri dhe më pas e ndjek tjetri.
No comments:
Post a Comment