Sunday, 14 December 2014

Pse gënjen Niko Peleshi?




Pas disa muajsh heshtje për problemin e Kullës Vrojtuese, si dhe mospërfilljen për t’ju përgjigjur një letre të hapur të firmosur nga 7 arkitektë korçarë, të cilët banojnë në Amerikën e Veriut, midis të cilëve edhe unë, në një Forum Urban të mbajtur në Korçë, zv.kryeministri ka mbajtur një fjalë në të cilën justifikon ndërhyrjen e gabuar në shesh dhe mundohet edhe t’ju japë përgjigje arkitektëve të letrës.
Nuk dua të ndalem në historinë e të gjithë projektit gjerman të Qendrës dhe në shtrembërimin e fakteve, që lidhen me të, por vetëm me disa “mashtrime” të Peleshit lidhur me letrën dhe qëndrimin tonë rreth ndërhyrjes në shesh në përgjithësi dhe Kullës në veçanti.
E para, nuk është aspak e vërtetë se ne e konsideronim ndërhyrjen në shesh të gabuar, se donim të ruanim Korçën dhe rrugët e sheshet e saj të pandryshuara për hir të nostalgjisë. Ne e konsideruam projektin e Kullës sin dërhyrjen më të keqe të mundshme dhe si aspak modern. E konsideruam një projekt të një arkitekture, e cila ka perënduar 40 vjet më parë dhe që është pritur dhe komentuar keq edhe sot kudo në botë. Quhet Arkitektura Brutaliste. Në letër dhe në shkrime të tjera drejtuar edhe ndaj autorëve, u lutëm, që projekti të ndryshohej edhe duke u rritur në përmasa, por të ishte konceptuar sipas frymës së arkitekturës së shekullit të XXI.
E dyta, është një mashtrim ndaj publikut të bësh krahasime me rastet e Kullës Eifel apo asaj Trekëndëshe në Paris. Jo vetëm situatat urbanistike janë krejtësisht të ndryshme, por të dy Kullat e Parisit nga mënyra e konceptimit dhe materialet e përdorura i kanë paraprirë kohës. Për më tepër, krahasimi i një projekti të dobët për një qytet prej 50 mijë banorësh, me dy Kullat e Parisit i ngjan fabulës së bretkocës, që donte të bëhej ka.

Për fat të keq, Kulla është ndërtuar dhe nuk mund të futet në thesin e fjalëve mashtruese të Peleshit. Në të nuk ka as guxim, as vizion dhe as modernizëm. Dhe nëse ka shterpësi intelektuale ajo është ne mendjen projektuese të profesorit Wilson, I cili për fat të keq ishte në gjendje t’i imponohej Peleshit. (Gjë, që e bën këtë të fundit më pak vizionar, por edhe më pak përgjegjës.)

No comments:

Post a Comment