Ndërkrerëse
midis krerëve shtatë e tetë.
...Teuta Baraku ishte krejt e pafuqishme mbi shtratin e
lindjes. Veshja prej fanellate me lule blu e të bardha, kishte filluar të hynte
në vjeshtë se disa lule në një të kuqe jo të ndezur ishin shfaqur papritur mbi
të. Fytyra e mjekut Hana ishte e gjitha e mbuluar në djersë dhe infermierja
Zina, që kishte kohë pa shkuar në kinema, nuk po përpiqej t'i fshinte ballin
mjekut, sikundër bëhej në të gjithë filmat, ku mjekët heronj shpëtonin
minatorët nga vdekja e sigurt, po mundohej të shquante se ç'gjë e errët po
vinte nga brenda trupit të Barakut. Naimi, që e dinte që ishte e kotë t'i
kërkonte gruas t'i jepte edhe një shtytje fundmesit e diafragmës futi dorën më
thellë dhe kapi foshnjën e qullur lëkurëerrët, por nuk ndjeu butësinë e
zakonshme me të cilën ishte mësuar në vite. Ju duk se po prekte një kokë dhe
shpatulla me kallo të forta, por nuk arriti të mendonte gjatë se ç’ishin ato, që
i dukeshin si kallo, se prej vrimës të hapur më tepër se dimensione e duhura doli
koka e foshnjës, në një ngjyrë kafe në të gjelbër dhe me dy si kreshtëza të
vogla në vendet e veshëve. Sytë i kishte të mbyllura dhe dukej se ishin shumë të
mëdha dhe të vendosur shumë pranë tëmthave.Gati në të njëjtën kohë u shfaqën
katër gjymtyrë identike, që dukeshin me shumë si duar dhe pas një klithme, që
nuk ishte e foshnjës, por e Zinas u shfaq bishti. Teuta ishte gati në vilani
nga dhimbjet e lindjes dhe nuk arriti të kuptonte nga vinte piskama ndërsa
mjeku priste kordonin lidhës. Foshnja me lëkurën plot kallo dhe dy kreshtëzat në
vend të veshëve I kishte shpëtuar tashmë nga duart pritëses Zina dhe çuditërisht
kishte gjetur një shteg mes këmbëve të mjekut dhe infermieres të shtangur dhe
ishte fshehur nën dollapin e veglave mjekësore. Mjeku nuk pati kohë të udhëzonte
infermieren se ajo ishte sulur drejt fundit të sallës dhe kishte rrembyer një
shkop, që nuk kishte pse të ishte atje…..
No comments:
Post a Comment