Wednesday, 10 December 2014

Per femijet e mij dhe te moshatareve te mij (Fund)

(vijim)
Po ju tregoj tani pjesën më të dhimbshme dhe më të errët të asaj Kohe, ashtu si e kam përjetuar unë.
Pas një periudhe 10-15 vjeçare terrori të egër, për të konsoliduar Diktaturën, pati një periudhë më të butë prej vitit 1966 e deri më 1973, që ka hyrë në histori si periudha e Liberalizmit. Pati më pak gjyqe dhe të përndjekur politikë. Të drejtat u kufizuan më shumë se u hoq e drejta e besimit fetar apo ajo e avokatisë, por ishte më shumë realizim de jure e asaj ç’ka ishte më parë de facto.
Në qershor të vitit 1973 filloi periudha e dytë dhe më e egër e Diktaturës, që zgjati thuajse një dekadë.
U zbuluan armiq brenda Partisë, jashtë Partisë anash Partisë, që donin të dilnin mbi Partinë, që nuk donin të rrinin nën Partinë, që donin të zhduknin Partinë dhe bashkë me të dhe Atdheun.
U dënuan njerëz , që flisnin kundër Partisë, që flisnin pro por mendonin ndryshe, që nuk ishin dënuar më parë, që kishin qënë të dënuar e që ridënoheshin, që visheshin si në Perëndim, që mbanin flokë të gjata, që dëgjonin radio të huaja, që nuk pëlqenin muzikën popullore, që nuk ishin të ashpër me armikun e klasës, që ishin armiq të klasës, që ëndërronin të kthenin klasat e përmbysura, që nuk ishin entuziastë në mitingjet e Partisë, që ishin opportunistë, revizionistë, sektaristë, centristë, puçistë, fatalistë, idealistë. Kam parë disa herë, kur I sillnin në sallat e gjyqeve të burfosurit politikë. Të verdhë me kokë të rrojtur dhe të dërmuar nga torturat. Jashtë sallës turma të mëdha me njerëz, shumica kureshtarë, por nuk kam dëgjuar kurrë njeri të theshte gjë kundër tyre.
Ndërtesa më e frikshme në qytete ishte dega e Punëve të Brendshme dhe personat më të rëndësishëm dhe më të frikshëm ishin “kalecat”.
“Kalecat” ose punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme ishin kategoria më e ulët e njerëzve, që kishin mbaruar shkollën e lartë. Nxënësit më të dobët të gjimnazeve, që vinin nga familje me të paktën një antar partie, studentët e shkollës së Saukut, kishin zgjedhur atë punë, që e urrente shumica e popullsisë. Në vitet ’70 dhe fillimin e viteve ’80, shumica e tyre abuzuan mbi njerëzit e ndershëm, qoftë mbi ata që dënoheshin dhe familjet e tyre, qoftë edhe në njerëz me “probleme’ në biografi apo në njerëz, që mund të trembeshin lehtë. Një pjesë e tyre ishin monstra të vërteta, sipas dëshmive të atyre , që kanë kaluar nëpër birucat e Degës. Edhe komuistët apo funksionarët e mesëm kishin frikë nga “kalecat” dhe eprorët e tyre.
Një pjesë e mirë, të cilët nuk mund t’i dënonin me gjyq, se nuk kishin asnjë lloj prove të rreme apo dëshmitarë të rremë i internuan nëpër fshatra duke ju hequr edhe të drejtën e profesionit. Gjithkush ishte i rrezikuar.
Jashtë burgjeve vinin pëshpërima për ridënime në burg apo për ekzekutime, por këto ishin të pakonfirmuara, se bota brenda burgjeve ishte tepër e fshehtë.
Kështu deri në fundin e vitit 1982, kur Diktatori pastroi edhe grupin e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë në krime, udhëheqësve të Sigurimit të Shtetit. Njerëzit morën frymë më të qetë dhe mori goditje fuqia e “kalecëve” deri sa gradualisht u dobësua deri në ndrrimin e sistemit.
Nuk kishin më asnjë vlerë monetare në Thesar , as kredi nuk ju jepte kush, që të mbanin akoma më gjatë atë pushtet monstruoz. I kishin provuar racionimet e ushqimeve, thuajse mungesën e plotë të mishrave dhe sallamrave, zëvendësimin e gjalpës me margarineë, të kafesë me çikore duke lënë pa provuar vetëm të famshmen parrullë të Komandantit “Edhe bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim”.
Tani kanë edhe kurajën të thonë se kemi bërë gjëra të mira!

Mos i besoni!

No comments:

Post a Comment