Sunday, 7 December 2014

Një dekoratë edhe për shoqen Shenka

Mbas shumë vitesh largimi nga Atdheu, një pjesë të emrave të personaliteteve të të kaluarës më janë përzjerë në kokë. Dhe duket se kjo nuk më ndodh vetëm mua, por edhe shumë njerëzve të tjerë, përfshi gazetarë në Shqipëri, të cilët psh në vend të vendosnin fotot e Feçor Shehut, me rastin e shpalljes së tij “Qytetar Nderi” i Ballshit, vinin fotot në gjyq të Hito Cakos ose ndonjë ushtaraku tjetër. Po nuk i bëj me faj se gjatë 45 viteve të Diktaturës, ka pasur aq shumë personalitete me rëndësi, sa në kokat tona janë bërë çorbë emrat Teme, Sulo, Vito, Hito, Muho, Mehmet, Koçi, Koço, Hamit, Tefta, Liri, Lume, Todi, Tuk, Haxhi, Sano, Shefqet, Shane. Me siguri do ketë pasur edhe Shenka.
Nuk e di se si u përjetuan në Atdhe nderimi i Feçor Shehut dhe dekorimi i Vito Kapos, por edhe në se ka pasur zëra të pakënaqurish, them se njerëz që nuk kënaqen kurrë ka pasur edhe do ketë. Mua më duket një hap para drejt paqes dhe vëllazërimit të plotë të njerëzvë në atdhe. Ato, që ikën, ikën. Tani le të bashkohemi.
Në këtë kuadër është mirë të dekorohet edhe shoqja Shenka, edhe pse nuk jam i sigurt se një personaitet i tillë ka ekzistuar në kohën e Diktaturës.
Shoqes Shenka mund t’i jepet për shembull titulli “Qytetare Nderi” e Maliqit, ose pse jo edhe e Korçës. (Nuk di pse më shkoi ndërmend Maliqi, a mbase nga Kombinati i Sheqerit dhe ëmbëlsia e shoqes Shenka.)
Korça ka qënë gjithnjë në pararojë të ngritjes së grave në përgjegjësi në kohën e Diktaturës. Mos harrojmë kontributin e padiskutueshëm të shoqeve Cele, Eli, Filla, Alije e sa të tjera.
Edhe sot Bashkia vazhdon me të njëjtën frymë të vënies në përgjegjësi të grave të zonja të tipit Shenka. Ndaj fare mirë edhe vetë shoqja Shenka(nëse ka ekzistuar) mund të shpallet “Qytetare Nderi” e Korçës.
Korça ka nevojë edhe për një nder të tillë!



No comments:

Post a Comment