Një nga karakteristikat kryesore të asaj kohe ishte Gënjeshtra.
Gënjehej nga të gjithë nga mëngjesi në mbrëmje dhe ata ,që
punonin turni i tretë, gënjenin edhe natën. Punohej në turne të treta për të futur
njerzit në punë dhe jo se kishte ndonjë domosdoshmëri të madhe për prodhim,
sigurisht po të përjashtojmë minierat(e burrave) dhe “minierat” e
grave(leshpunuese, trikotazh dhe rrobaqepsitë).
Njerëzit gënjenin nga nevoja, gënjenin kot, gënjenin se ju kërkonin
të gënjenin, gënjenin edhe se nuk e dinin që gënjenin. Mbi të gjitha gënjenin
veten se ashtu flinin më rehat.
Gënjenin komandantët, komisarët, shitësit, blerësit, mësuesit,
deputetët, nëpunësit, shefat e furnizimit, magazinierët, puntorët,
kooperativistët, farmacistët, inxhinierët, Heronjtë e Punës Socialiste, anëtarët
e komitetit Qëndror, mjelëset, shkrimtarët, ushtarët dhe sigurisht gjuetarët. Gënjenin
të gjithë, me integritet dhe pa integritet. Bile shkruhej edhe një gënjeshtër për
gënjeshtrën. se Lenini kishte gënjyer vetëm një herë në jetën e tij!
Sistemi ishte i bazuar mbi gënjeshtrën dhe sa më lart të
ngjiteshe aq më shumë duhet të gënjeje! Vendi me plot gojë mund të quhej një
parajsë për gënjeshtarët dhe mashtruesit, por si çdo shoqëri e ndërtuar mbi
paradokse, kishte ligje edhe kundër mashtruesve dhe mashtruesit kronikë i fusnin
edhe në burg. Sigurisht ata , që mashtronin për pardesy të NPVsë, këpucë të
Shkodrës dhe autorizim për lavatriçe, që ishin gjëra, për të cilat mund të të
mashtronin kollaj. Mashtruesit e mëdhenj, që e dinin se ç’i bënin atij populli
apo edhe njëri tjetrit, ishin pranë KryeMashtruesit ose Komandantit Legjendar.
KryeMashtruesi(ai , që e kini parë sivjet në fotot e festimeve
të 70-vjetorit të Clirimit) ishte aq i zoti në gënjeshtra dhe mashtrime, sa
shumë herë i zinte gafil edhe mashtruesat, që kishte rrotull. Për të njëjtën
arsye, që mund të të shpallte Bir i Devotshëm I Partisë, e kishte fare të lehtë
të të shpallte Armik i Popullit.
KryeMashtruesi kishte thënë gënjeshtra të tilla si “Shqipëria
fanar ndriçues për popujt e botës”, ose “Diktatura e Proletariatit – Forma më e
lartë e demokracisë“, ose “Ne hedhim valle në gojën e Ujkut” dhe edhe pse të
gjithë e dinin se ishin profka, i përsëritnin, i shtjellonin, dhe i përsëritnin
nga mëngjesi në mbrëmje (atyre të turnin të tretë ja u theshin edhe natën) deri
sa nuk ishin më gënjeshtra por të vërteta të padiskutueshme.
Njëherë i tha një gënjeshtër Nexhmijes, kur po vinin për në
Korçë “po të isha 20 vjeç do vija plot dëshirë të punoja dhe të jetoja në
fshatin tonë socialist” dhe kaq mjaftoi , që gënjeshtarë të tjerë me integritet
dhe pa integritet, të viheshin në lëvizje, që shumë të rinj 20 vjeç dhe pa
Nexhmije apo pa Enver, të përfundonin nëpër fshatra. Dhe kjo ishte nga ato gënjeshtrat
jo me shumë zarar.
Në ushtri dhe në zbore na gënjenin, se po përgatiteshim të përballonim
një koalicion armiqsh(bile edhe të bashkuar NATO-n dhe Traktatin e Varshavës)
dhe edhe pse nuk donim të përgatiteshim për mbrojtje se e dinim, që na gënjenin
dhe askush nuk do na sulmonte, visheshim me uniformë dhe mundoheshim të gënjnim
në qitje.
Gënjehej për planin, për planifikimin, për realizimin e
planit, për planet e parealizuara, për afatet e përurimeve, për çdo gjë që
duhej të ishte ashtu si nuk mund të ishte.
Në jetën e përditshme, edhe në kohët e bollëkut në ushqime,
1 kg djathë ishte gjithmonë 930 gram, 2 kg speca ishin 1 kg e 750, një dopio
raki ishte 80 ml, 1 metro e 10 cm terital ishte 1 metro e kështu me rradhë se gënjenin
shitësit, banakierët, kuzhinierët, kamarierët. Të gjithë!
(vijon)
No comments:
Post a Comment