Askush nuk ka të drejtë të thotë, se mënyra si e kujton ai të
kaluarën është më e sakta dhe e drejta. Ngjarjet përjetohen në mënyrë të
ndryshme nga individë të ndryshëm , në varësi të karakterit të tyre, të
mbresave që ju kanë lënë ngjarjet, nga cilësia e kujtesës, edhe nga humori, që
kanë pasur në kohën e ngjarjeve. Mbase edhe nga faktorë të tjerë.
Shkas i këtij shkrimi u bë një shënim i sotëm i mikut tim
Gjergji Cikopana, i cili kujton me nostalgji aksionin për përmirësimin e hyrjes
së Korçës me rastin e 40 vjetorit të Clirimit, më 1984.
Sa kisha filluar punën pas mbarimit të shkollës në Degën
Teknike të Qendrës së Arsimit dhe me disa skulptorë na thirrën të paraqisnim
disa skicë-ide për një Lapidar , që do përkujtonte Luftën kundër turqve të Dëshmorëve
të Cifligut si dhe Luftën Nacional Clirimtare të zonës së Fushës së Korçës.
Ishte qershor dhe në fund të Nëntorit çdo gjë duhet të ishte gati të përurohej
nga udhëheqësit , që do vinin në Korçë për festën. Nuk di nëse dikush na
sugjeroi apo thjesht si të rinj zgjodhëm të punonim me njëri tjetrin, por
punuam për disa variante me skulptorin Ladi Topi. Për të mos e zgjatur njëri
nga variantet tanë u konsiderua si më i sakti mes një numuri skicë-idesh të
praqitura dhe urgjentisht u fillua puna për projektin dhe basorelievet.
Atëhere pashë hapur, për herë të parë absurditetin e asaj kohe. Në një sallë të
Komitetit të Partisë, drejtorëve dhe kryeinxhinierëve ju kërkohej me forcë, pa
ju dhënë asnjë alternativeë, që Lapidari do bëhej edhe pse kishte pak kohë dhe ndërmarjet
kishin dhjetra angazhime të tjera. U ndjeva me turp, që kisha projektuar diçka
në të atilla përmasa, edhe pse me logjikën e një të sapodipomuari e mendoja, që
në një fushë të hapur një objekt i vogël do humbiste. Dy inxhinierë mënjanë më
thanë fjalë, që më mbetën tërë jetën në mendje. “po ç’i bëni kaq të mëdha!” dhe
tjetri “Në do të mësosh zanat, mos u merr me lapidare!”
Ka disa kujtime të mira nga ajo kohë. Bashkëpunimi midis
njerzve pa interes dhe shpirti i sakrificës. Shumë njerëz, që njoha ato muaj
mbetën miq të mij. E megjithatë ato, që më kanë lënë mbresë më tepër ishin “marrëzia”
për të bërë në afat gjëra të panevojshme, ose për të cilat duhej tjetër kohë
dhe përkushtim.
Kam njohur atë vit karpentierët më të mirë të Korçës, vëllezërit
Ligor dhe Pavllo Papa, të cilët drejtonin punën jo shumë të thjeshtë të një
muri betoni të lakuar, që duhej të ngjiste me një flamur, i cili i pështillej
një pushke. Nuk mund të harroj, që Golja(Ligori) edhe pse punonte me orë të
zgjatura dhe ishte në prag pensioni hante në pushim bukë me sheqer me ujë dhe
pak kafe sipër. Ishte koha e tallonave dhe ish I burgosuri politik me siguri I ruante
vezët dhe bulmetin e pakët për vajza e tij të vogla.
Nuk kam harruar edhe të ndjerin Osman Dëllinja, që edhe pse
ishte drejtor dhe anëtar i Komitetit Qëndror, rrinte natën vonë duke mbajtur në
dorë kartoserë të ndezur, për t’ju bërë dritë suvaxhinjve, që Lapidari të mbaronte
në kohë.
Përse?
Asgjë nuk bëhej as për Dëshmorët e Cifligut të Pavarësisë
dhe as për ata të Luftës!
I gjithë absurditeti ishte pjesë e një tragji-komedie për të
treguar se sa të lumtur ishim dhe sa bukur po i prisnim festat. Kryesisht, për
të marrë lavde nga Byroja drejtuesit e Partisë në rreth.
Sot, Panajoti, Kryetari Këshillit të Kooperativës së Dishnicës,
ka një lokal para Lapidarit , që është thuajse i mbuluar. “Ra copë“ edhe ai atë
kohë, i përkushtuar, si shumë e shumë nëpunës e funksionarë të tjerë, që
sakrifikonin kohën dhe talentin e tyre për marrëzira. Besoj se e ka kuptuar se
sa të “robëruar” ishim.
Kjo është se si i kujtoj unë ato 4-5 muaj të vitit 1984.
Ndjej mall dhe keqardhje për ata njerëz të mirë e të sakrificës, që kanë ikur,
por përçmim për ata , që përfitonin nga puna e të tjerëve.
U zgjata për të theksuar diçka, që më duket e rëndësishme.
Ka një përpjekje për të kujtuar si “jo dhe aq të keqe” atë Kohë të Diktaturës.
Janë gjallëruar ata, të cilët kanë gjynahe shumë të rënda dhe kanë dalë nga
vrimat edhe të tjerë, që qëndronin më në heshtje. Nuk bëhet më fjalë për mënyra
të ndryshme të kujtuari.
Pa thënë të vërtetën dhe pa dënuar atë kohë nuk ka të
ardhme!
No comments:
Post a Comment