Kreu i dhjetë,
ku tregohet se
Asnjë nuk është mbi ligjin.
Një djalë i ri i veshur me kostum dhe me një
palë syze dielli të vëna mbi flokët me xhel, rrinte i mbështetur në shpinoren e
ndenjëses së lëkurtë. Serioz pyeti:
-Cili jeni ju qytetar i irrituar?
-Po ti kush je?-pyeti i revoltuar Naim
Hana.
-Unë jam drejtuesi i njësisë për
kontrollin e territorit dhe kam statusin e nëpunësit. Quhem Dardan Kodra-u
krekos bashkëfolësi.
-Ti je eprori i Bilos?
-Po. Dhe duhet të të sqaroj se Bilua
ka ndjekur proçedurën, që ne kemi përcaktuar, kur shkaktohen të tilla paqartësi
nga qytetarë të irrituar të cilët në mënyrë të papërgjegjshme interferojnë në
punën e punonjësve bashkiakë- tha me një frymë drejtuesi me statusin e
nëpunësit.
-Pra sipas teje unë duhet të pres
deri javën tjetër të takohem me punonjësin e Urbanistikës? Cili idiot e ka vënë
këtë proçedurë.
-Të lutem shumë zotëri, ne nuk ju
lejojmë juve të bëni aludime për gjendje mendore e psiqike të shefave tanë. Ju
paralajmëroj se do reagojmë me të gjithë forcën që na jep ligji.
-Unë për dy javë nisem për në
Amerikë, e ti më thua të pres pesë ditë të sqarohem për lejen e ndërtimit?
-Edhe unë kam qënë zotëri në Amerikë
në një seminar dymujor të organizuar nga FBI-ja në Indianapolis dhe ju siguroj
se të gjitha procedurat, që po ndjek për njësinë e kontrollit të territorit
janë sipas shënimeve që kam mbajtur gjatë seminarit. Mos kujtoni se këtu në
Bredhishtë jini në një vend të Botës së tretë.
-More unë e di se ku jam po a e dini
juve? E kupton që po më pengojnë të rregulloj apartamentin dhe dua ta mbyll pa
ikur- tha shpejt Naimi.
-Në qytetin e Bredhishtës ne kemi
6843 familje, 6567 prej tyre jetojnë në shtëpi ose apartamente private në
pronësi të tyre, me qera ose me qera nga të tretë , ndaj zotëri rasti juaj do
të trajtohet po me atë përparësi që do trajtohen edhe gjithë rastet e tjera, që
kemi për momentin, ashtu sikundër kemi bërë në të shkuarën.
Naimi nuk dinte në duhej ta godiste
Kodrën, që ta sillte në vete, apo më mirë të fillonte t'i binte me kokë murit
të zyrës së Kontrollit të territorit. "Ah të kisha një grusht të
fuqishëm" ju kujtua nga ditët e largëta të shkollës së mesme dhe e kuptoi
sërish që kishte gabuar, se grushti kërkohej për të goditur malin dhe jo
Kodrën. Provoi të fundit fishek:
-Zoti Kodra, po ju njoftoj se do
kontaktoj Ambasadën Amerikane të ankohem për keqtrajtimin, që po i bëni një
shtetasi të vendit të madh mik.
Dardan Kodra u kap i papërgatitur
nga lëvizja e beftë shtetasit të vendit të madh mik, por nuk e bëri veten.
Ishte nga të parat gjëra, që ju kishin mësuar në seminarin e organizuar nga FBI
në Indianapolis- "Kur armiku sulmon befas, fito kohë". Dhe për të
fituar kohë, Dardan Kodra thirri me zë të lartë Bilon, që dukej se rrinte pas
derës:
-Biloooo...Bilo hyrë brenda të
lutem!
Bilua hapi derën dhe
ndenji më këmbë i gatshëm për të ndjekur udhëzimet e eprorit. Eprori Dardan
hapi kasafortën dhe pasi kërkoi në disa dosje brenda saj, ju drejtua deprorit
Bilo prerë:
-E kemi ne numurin e telefonit, që i
la ambasadori amerikan kryetarit gjatë vizitës së fundit?
-Ambasadori amerikaaan?-hapi sytë
Bilua.
-E o eeee- e zgjati përgjigjen
Dardani dhe kur mjeku Hana po ndiqte reagimin e Bilos, i shkeli syrin.
-Më duket se e ka vetë kryetari dhe
nuk ja la njeriu tjetër.
-Vazhdo Bilo se për këtë të doja.
Pra, që ta dish ti mor zotëri Hana, të gjitha rregulloret dhe nën rregulloret
mbi të cilat Bashkia jonë e Bredhishtës ka mbështetur gjithë punën e saj
manaxheriale, kanë mbështetjen e ambasadës amerikane. Ne kemi qënë midis tre
bashkive në të cilat u e eksperimentua programi pilot i USAID-it “Për një shërbim
shtetar në shërbim të shtetasve”, program në të cilin Bashkia e jonë doli me
pikë të barabarta me dy bashkitë e tjera dhe mori edhe çertifikatën përkatëse.
-Mua nuk më duhet çertifikata përkatëse,
por leja e ndërtimit.
-Zotëri ju sqarova, që për lejen e
ndërtimit duhet të vini ditën e martë dhe si shtetas I një vendi mik do
trajtoheni me përparësi. Prandaj ju lutem shumë lini zyrën se kemi edhe probleme
të tjera.
-Unë nuk lëviz nga kjo zyrë pa më
pajisur me leje për departamentin e Urbanistikës/ Kupton apo jo zoti Kodra?
Dardan Kodra uli
syzet e errëta nga mbikoka dhe i vuri në sy, lëvizje kjo më shumë e improvizuar
se sa e mësuar në seminarin e Indianapolist apo gjatë trainimeve të projektit
pilot të USAID-it. Duket nuk donte , që sytë t’i tradhtononin kënaqësinë, që po
ndiente, duke u marrë me manaxhimin e situatës komplekse me një qytetar të
irrituar, bile edhe me dy nënshtetësi. Krrojti grykën dhe ngriti zërin;
-Po nuk lemë ne o zotëri, që në
zyrat e Bashkisë të rrinë sa të duan derri
e dosa, me brekë e pa brekë! Ligji është ligj dhe mbi ligjin nuk është askush!
Nëse nuk dilni menjëherë do thërres vartësit e mij si dhe forcat e rendit t’ju
tregojnë vendin, që meriton!
-Nuk lëviz, që këtu dhe protestoj, që
më bëre derr e dosë, bile edhe pa brekë! Jam nënshtetas amerikan e do e ndjek
deri në Hagë dhe Strasburg!- thirri më shumë se nëpunësi Naim Hana dhe përplasi
dorën mbi tryezë, por brenda vetes ndjeu, që po i binte murit me kokë dhe një
muri, të cilin edhe po ta rrëzonte nuk do e shpinte në ndonjë zyrë ku do mund të
mbaronte punë. Ndërkohë dera u hap dhe katër njerëz me uniformë, dy prej të cilëve
me kapele dhe dy pa kapele e rrëmbyen nga krahët e nga këmbët dhe e nxorrën
jashtë zyrës, ndërsa mjeku lëvizte me zor gjymtyrët dhe protestonte duke
thirrur:
-…nuk ju lejoj! Jam nënshtetas
amerikan…po dhunoni një nënshtetas të huaj…
Tre kokët me flokë
dhe ajo pa flokë e Bilos nuk u ngritën ndërsa dy policët e rendit dhe dy policët
bashkiakë nxirrnin jashtë Bashkisë duke e mbajtur mbi duar trupin, që klithte për
ndihmë të mjekut Hana. Ky i fundit e kishte kuptuar, që nuk mund të ishte mbi
ligjin edhe pse po e nxrrnin duke e mbajtur mbi kokë katër mbrojtës të ligjit. Brenda
atyre sekondave ndërsa e zbrisnin nga shkallët për ta future në makinën e
policisë I shkoi në mendje të gjitha; Artemisin dhe djemtë në viset e largëta,
berti Dajkon, që do e priste më kot në apartamentin e shkatërruar, Vasfi Klocën,
që s’dihej në e kishte marrrë veten nga depresioni dhe ferid hotin e plagosur,
pas humbjes të së vjehrrës. I dukej se çdo gjë ishte për faj të tij. Nuk rezistoi
kur e futën në ndenjësen e pasme dhe ndërsa makina me sirena hapur u nis e
kuptoi , që po e shpinin në polici.
No comments:
Post a Comment