Debati me “agjent i Sigurimit” dhe “njeri i afërt me Sigurimin”,
ndërmjet Kadaresë dhe Nasho Jorgaqit, s’di pse më solli ndërmend librin “Agjenti
333”. Nuk e kujtoj as se kush e ka shkruar. Di vetëm, që kam dashur shumë ta
mbaroj dhe asnjëherë nuk i shkova dot deri në fund, se ishte në shtëpinë e
njeriu të afërm, i cili nuk ma linte ta merrja me vete. Në bibliotekën tonë,
tani më kujtohet, që nuk kishim asnjë libër policor veç “Qeni i verdhë“ të Zhorzh
Simenonit. Nuk di nëse kjo vinte nga përbuzja, që kishte babai për njerzit e
Ministrisë të Punëve të Brendshme, apo se edhe në fëmijëri nuk e kishin tërhequr
romanet policore. Ai permendte Sherlok Holmsin dhe Megrenë, si edhe Arsen Lupenin,
por thuajse kurrë Agata Kristin. E megjithatë filmat policorë, bile edhe ata
serialë amerikanë në tv i ndiqte me vëmendje.
Mua më tërhiqnin si çdo fëmijë dhe adoleshent, por duke
nisur nga “Rrethi i Kuq”, “Vendi i fshehtë në Elbë“ e deri në “Foleja e grerave”
ose i huaja në shokët ose i merrja në bibliotekë. Nuk di se në ç’vit është
botuar “Mërgata e Qyqeve”, por nuk kam kërkur ndonjëherë ta lexoj. Mbase i takon
periudhës së përfundimit të së mesmes, ose më vonë, kur interes ngjallnin më
shumë klasikët ose shkrimtarët e brezit të humbur. A ndoshta kam patur bezdi
nga stili monoton i Nasho Jorgaqit, në të vetmin libër të tij për Fan Nolin, që
kishim në shtëpi. Rreth tij nuk kam ditur kurrë asgjë, se duket, që babaj nuk e
ka njohur. Atë kohë, në përgjithësi antarët e Lidhjes së Shkrimtarëve njiheshin
me njëri tjetrin ose dëgjonin “meselera” rreth veprave apo “bëmave” të njëri
tjetrit. I përkisnin një “klubi” të madh, atij të Letërsisë dhe Arteve.
Por ajo, që më bie në sy në këtë debat(aspak të fisëm), si
dhe në shumë shkrime rreth asaj kohe, është, që ka thuajse aq të vërteta sa ka
pasur edhe shkrimtarë dhe artistë. Gjen shumë pak pika të përbashkëta në kujtimet
e ngjarjeve, sa të duket se ata vetë(por edhe ne) kemi jetuar në kohë të
ndryshme. Më tepër se spërdredhjet e Nashos dhe Ismailit, për ato, që kanë
ndodhur mes tyre, jo në praninë e njerzve të tjerë, më ra në sy një thënie e
Fatos Arapit, i cili i pyetur nga Jorgaqi, nëse Drago Siliqi i kishte thënë apo
jo, që Nasho Jorgaqi ishte spiun, i përgjigjet “Nuk mbaj mend, mos më ngatërro
mua me këto gjëra!”
Si është e mundur, që një poet tetëdhjetë e ca vjeçar, emri i
të cilit zihet në gojë si dëshmitar nga Kadareja të mos prononcohet publikisht,
nëse është e vërtetë apo jo ç’ka thotë shkrimtari ynë më i madh?
C’djall poeti dhe
njeri i letrave është?
Këtu nuk është fjala për “cili bëri dashuri dhe me kë“ dhe
nuk mbaj mend. Këtu bëhet fjala për një akuzë të rëndë, midis kolegësh e miqsh
të letrave, që nuk mund të harrohet kurrë, ose dhe nëse është harruar, ka nevojë
për prononcim të menjëhershëm publik, të të gjithë të përmendurve.
Si mund t’i besosh veprat e këtyre njerëzve, që nuk kanë pikën
e respektit për të vërtetën?
Unë jam i prirur të mos i besoj Jorgaqit. Ai përmendet si
denoncues i Gaqo Pecit, në librin me kujtime të këtij të fundit.
Gjithashtu, deformimet e qëllimshme të shumë ngjarjeve të
asaj kohe nga Kadareja, i kam vënë re në shumë shkrime apo intervista të tij të
20 viteve të fundit.
Por ajo, që më shqetëson më shumë se angazhimi në shërbim të
Partisë apo të Sigurimit i Nasho Jorgaqit, Teodor Laços, Diana Culit, Bardhyl
Londos, Preç Zogajt apo dhe shumë të tjerëve është heshtja apo tregimi i ngjarjeve
të asaj kohe, që lidhen me censurën, presionet e partiakëve apo dhe me
Ministrinë e Brendshme në mënyra nga më të ndryshmet.
Sa të vërteta ka? 333 apo më shumë?
A janë këta njerzit, nga vepra e të cilëve duhet të mësojnë fëmijët
në shkolla?
No comments:
Post a Comment