Kreu i tetë
ku tregohet
që të gjithë janë kundër
ngritjes së kishës
Mëngjesin
e kaloi i hutuar. Nuk dinte si të spjegonte ëndrrën, ndonëse ajo kishte fare
pak ndryshim me ç'kishte ndodhur gjatë lindjes së çuditshme të Barakut, e cila
ju kishte paraprirë dy lindjeve të vështira. Mendoi që monstra i rishfaqur mund
të ishte Gurgullima dhe do e kishte shumë të të vështirë me të dhe nuk do
mundte t'i binte me stap. Hëngri vetëm një bulion me vezë para se të niste
vrapimin, nga frika se çdo gjë brenda supës do i kujtonte monstrën e frikshme
të ëndrrës. Edhe pas 12 kilometrave të vrapimit dhe dushit të ftohtë ishte po
aq i hutuar sa në momentin e zgjimit. Nuk dinte nëse duhet ta mbante frymën në
bashki e të bisedonte me Fikon për të gjitha apo ishte më mirë të kërkonte
Gurgullimën e t'i qante hallin si burri-burrit e t'i kërkonte ndihmë si fqinji-fqinjit.
Mes asaj mëdyshjeje ishte kur e ndali një dorë, që ju vendos në kraharor. Ishte
mëhallaxhiu i vjetër Aferim Dollibashi, që në fëmijëri mbahej kampion në gjithë lojrat me ashikë, ndërsa në
të ri e më vonë i ishte kushtuar gjuhës
dhe folklorit shqip.
-
I dërguar nga Allahu a nga Natyra, vetëm ti mund ta dish o Maratonomak!
-
O Fime, sa mirë që u takuam! Më kishte marë malli për të gjithë shokët e
mëhallës së vjetër.
-
Mes tyre do të të shpie tani. Sikur ta dija se do të të bashkoja, i kam mbledhur
në një takim të Intelektualëve Muslimanë. Po të presin edhe ty Naim, ta mbrojmë
Bredhishtën nga Kisha Katolike!
Doktor
Hana u çudit me Fimen, Intelektualët Muslimanë, por më shumë me nismën e fundit
të Vatikanit, që donte të sulmonte në zemrën e Shqipërisë Juglindore, e njohur
për tolerancën mes muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë. por nuk donte të
zgjatej ndaj duke mbledhur supet kundërshtoi:
-
Jam nisur për një punën time Fime dhe më vjen keq...
-
Duhet të vish në takim Naim. Eshtë jetik për Bredhishtën. Këndvështrimi jot
diasporian do jetë vendimtar-tha pa pritur një përgjigje mohuese, doktori i
shkencave të letrave Aferim Dollibashi. Naimi donte t'i thoshte, që kishte qënë
gjithnjë i paanshëm në këto çështjet e fesë dhe nuk ishte besimtar, nuk po
gjente as njerëz t'i meremetonin apartamentin, por doktori i fushës së letrave,
i kishte futur krahun dhe po e drejtonte në hyrjen e bibliotekës së qytezës. E
patën kaluar pragun dhe brenda mundi të dallojë shumë nga ata që kishin mbaruar
universitete dhe bënin pjesë në Shoqatën e Intelektualëve Myslimanë. Nga
intelektulët me dy të mesme dalloi Verorin, presidentin "Rambo",
berberin Loni dhe medicinalistin Elian. U çudit, se berberin e dinte të
krishterë, po mendoi se mbase ai emrin e kishte Aulon, Etalon, Perlon ose
Leonard a diçka tjetër të këtij lloji dhe u ul në presidium, atje ku e tërhoqi
Aferimi.
-Të
nderuar bashkëintelektualë, bashkëqytetarë dhe bashkëkombas- e mori fjalën
doktori i letrave- sot, shoqata jonë mban këtë tubim shumë të rëndësishëm e të
një rëndësie tejet të veçantë. Prania e një intelektuali të shquar të qytetit
nga diaspora, e shumëfishon ngazëllimin dhe përkushtimin tonë qytetaro-islamik.
Një duartrokitje për mjekun tonë Naim Hana-dhe e shpoi mjekun të ngrihej në
këmbë. Shpërthyen duartrokitjet, ku binte në sy duartrokitjet e Veror Volorekës
dhe skulptorit Sopi, që ishin ulur pranë njeri tjetrit.
-Si
jeni njoftuar, sot do diskutohet dhe do dilet me një deklaratë, rreth çështjes
së ndërtimit të kishës katolike në qëndër të Bredhishtës, pikërisht në qendër
dhe as më larg dhe as më anash. Si kemi përmendur edhe në bisedat jopublike,
ndërtimi i kishës jo vetëm është i papërshtatshëm, i nxituar dhe jo largpamës,
por ve në rrezik identitetin e bredhishtarëve si dhe harmoninë ndërmjet
besimeve fetare e më gjerë. Eshtë kjo kishë, që në vend të kthehet në një vend
pelegrinazhi besimtarësh dhe altar për nxitjen e ndienjave kombëtare do bëhet
një mollë sherri mes shumicës myslimane, pakicës ortodokse dhe stërpakicës
katolike të qytetit. Do qorrsokakojë të rinjtë bredhishtarë, të cilët edhe tani
nuk dinë nëse duhet të shkojnë në lutjet e traditave shqiptare, apo në
shërbesat e evangjelistëve, tubimet e Baha-ijve, mbledhjet e fshehta të
masonëve apo seancat e meditimeve të Budistëve. Për më tepër, nga të dhënat që
posedojmë, kjo është një vepër e avokatit Rako Pilafi dhe të shoqes së tij
Mrika, të cilët duan të përfitojnë nga fondet e akorduara nga Republika e San
Marinos për ndërtimin e kishës. Le t'i themi NDAL ndërtimit të kishës! Në emër
të intelektualëve myslimanë të pranishëm, në emër të intelektualëve ortodoksë
të përfaqësuar nga Loni berberi dhe të gjithë popullit të Bredhishtës, pa
dallim feje, mëhalle dhe ideje. Fjalën e ka në emër të bredhishtarëve të
diasporës, mjeku ynë i njohur grastudiues Naim Hana.
Naimi
u ngrit me vështirësi mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të Verorit "Bëja
fora bektashiu i diasporës!". U skuq, u gëlltit disa herë dhe mendoi të
drejtohej nga dera e ta linte në mes tubimin anti-kishë. Po sytë e të gjithëve
dhe sidomos të disave nga ndërtuesit e gozhduan dhe ai filloi të belbëzojë:
-
Okej...ju nou...-pataj e mblodhi vehten dhe ja ktheu në dialektin e
Bredhishtës-unë jam bektashi nga origjina e familjes si shumë nga të pranishmit
këtu. Nuk jam fetar dhe gjatë gjashtë vjetëve në Amerikë, nuk kam hyrë
ndonjëherë në teqe ose xhami... Vetëm në një kishë ortodokse serbe, njëherë për
Pashkë, dhe më ka shpënë Artemisi, që e dini që është ortodokse.-në sallë pati
një mërmëritje, bile u dëgjua diçka nëpër dhëmbë që vinte nga rrjeshti ku ishin
Verori, me Uljanovin"...pfff...me armiqtë e kombit është edhe ky?".
Mjeku priti të rreshtnin mërmëritjet dhe vazhdoi përsëri i lëkundur:.. Unë nuk
jam fetar, po nuk më pëlqen kur prishen tempujt...për të ndërtuar nuk më duket
se duhet të zihemi-dhe u ul i çliruar. Aferimi e pa vëngër, ndërsa në fund të
sallës u ngrit një burrë i ri, me xhaketë lëkure sportive e mustaqe të zeza, të
cilin nuk e kishte parë ndonjëherë në Bredhishtë.
-Dëgjo
ti Naim amerikani, se unë jam ndërtues dhe mund të jem i interesuar për ndërtime,
po ne nuk e shesim atdheun për ca euro të qelbura. Ashtu ! Nëse ju në diasporë
e keni mendjen vetëm në fitimet, se ju është bërë syri bakër duke larë pjata,
ne kemi parime kombëtare. Ashtu! Asnjë nga ndërtuesit e Bredhishtës nuk do
pranojë të punojë për atë objekt dhe këtë e them me besim të plotë. Ashtu! -
dhe u ul i ndjekur nga thirrjet "bravo Nderim", "të lumtë
Ndero" dhe "mirë ja bëre diasporës".
I
goditur si me tokmak nga "ashtut" e ndërtuesit, dhe i turpëruar që
parafolësi ja kujtoi pjatalarjen, Naimi nuk mundi të kapte fjalët e para të
agronomit Saim, të cilin e thërrisnin me respekt "doktori i luleve".
Sytë i ishin fiksuar në vija e flokëve, që ndante në mes tufat e famshme të
zeza, të brilantosura të "doktorit", simbolit të lulishteve
plotngjyrshe të Bredhishtës. Saimi filloi shtruar, me zërin e tij të hollë duke
theksuar çdo fjalë perveç lidhësave:
-Nuk
më takon mua të ngrihem kundër tempujve...sidomos si mysliman i vendosur e
tolerant që jam. Poooor...e zgjati çuditërisht lidhësën Saimi- poooor...-
provoi edhe njëherë gjysëm toni më poshtë, këtu bëhet fjala për dhjetra
krizantemaaaa, qindra lavandraaaaa, mijra ortansaaaaaa, mili...
-Doktor!-
thirrri menjëherë organizatori Aferim Dollibashi dhe Saimi ndërpreu numurimin
në mijrat.
-...edhe
vetëm një luleeee të preket e unë, kur them unë e gjitha Partia e Blertë
shqetësohet. Jo tani që bëhet fjalë për prishjen e njërës nga lulishtet të
cilave ne, grupi gjelbërues i Bashkisë së Bredhishtës, i jemi përkushtuar këto
gjashtë vjetët e fundit. Kjo ishte edhe idea e parrullës së fushatës sime
elektorale “Edhe një bredh më shumë për Bredhishtën”, e cila u keqkuptua sikur
unë do mbillja vetëm një bredh në Bredhishtë. Le ta dinë ata që thonë kafeneve,
që duhet të thoja miliona bredha për të fituar, se unë jam për miliona
bredhaaa, miliarda pishaaaa, bilio...
-Doktor
përfundimin!- thirri më shumë organizatori dhe Saimi ndërpreu numërimin në
miliardat.
-Si
përfundim unë them që tempuj ne mund të ndërtojmë me qindra e mijra në Bredhishtë.
po në rradhë të parë duhet të mbrojmë mjedisin, ku sot jetojnë 18 mijë
Bredhishtarëëëë, nesër do bëhen 180 mijë bredhishtarëëëë e pas 50 vjetësh
mbase...
-Doktor
faleminderit. Fjalën e ka zoti Loni Ballukja, përfaqësues i intelektualëve
ortodoksë të Bredhishtës.
Berberi
Loni u ngrit ngadalë, i skuqur pak nga prezantimi si përfaqësues i
intelektualëve ortodoksë, se vetëm një vit me korrespondencë kishte bërë në
Universitetin "Kthjelltësia" të kryeqytetit dhe e kishte lënë në mes
të dytin, se qethjet e rruajtjet shkonin për bukuri në Bredhishtë. U kollit
lehtë dhe u mundua të kujtonte ndonjë nga tezat e provimit të filozofisë, që
nuk kishte marë dot gjatë studimeve.
-Feja
është ilaç. Ilaç edhe shërim.- përsëriti dhe nuk po i kujtohej se ku e kishte
lexuar këtë fjali.- Po ne e kemi kishën tonë të krishterë ortodokse. Ato pak
familje katolike që janë në Bredhishtë, sic vinin le të vinë. I mirëpresim. Po
përse duhet një kishë tjetër? Për pesë familje? Eshtë njëlloj sikur të hapet
një berberhanë e re vetëm për ata që lyejnë mustaqet. Hë? Sa veta i lyejne
mustaqet në Bredhishtë? Ja t'ja u them unë. Vetëm dy. E po nuk do hapet një
berberhanë tjetër për dy veta de...Hë?- e mbylli Loni duke parë përreth mbi
kokat që tundeshin për të miratuar shembullin kuptimplotë të mustaqelyerjes.
-Në
këtë mbledhje duhet të kishte ardhur kryetar Fikua e të jepte llogari pse do të
lejojë ngritjen e Kishës Katolike në qendër- u hodh një i ri nga fundi i
sallës. Një mërmërimë pohimi përfshiu të gjitha cepat deri sa u ngrit sërish
Aferim Dollibashi, doktor i shkencave filologjike.
-Zoti
Refik Fufulina ishte i ftuar në këtë tubim dhe më siguroi, që plot dëshirë do
merte pjesë. Por, për arsye shërbimi është nisur dje për në ....të Turqisë, qytezë me të cilën jemi
motërzuar para dy vjetësh dhe më ka dërguar këtë email përshëndetës..
-Lexoje-
u dëgjua nga salla një zë i ngjirur, që Naimit ju duk i njëjtë me zërin , që
kishte pyetur dy ditë më parë për liçencën e hoxhës.
-Po
e lexoj: Të nderuar bashkëqytetarë pjesëmarës në takimin "A duhet lejuar
ndërtimi i Kishës katolike në Bredhishtë?" më vjen shumë keq, që detyra më
thërret në një qytet larg atdheut, por mendja dhe zemra ime janë me ju të
dashur Bredhishtarë. E kam ndjekur me shumë interes debatin rreth ndërtimit të
kishës Katolike dhe ju them e ju
siguroj, që çdo zë i juaj do meret parasysh në
vendimin tim përfundimtar për ndërtimin, mosndërtimin apo pezullimin e
aplikimit për ndërtimin e Kishës. Unë, si kryetar që ngrihem mbi interesat e
komuniteteve, do ushtroj kompetencat e mia ligjore, si të jetë më mirë për
interesin e të gjithë atyre që jetojnë brenda territorit të bashkisë, të cilën
unë drejtoj. I juaji, Kryebashkiaku Refik Fufulina, Bredhishtë më 14 të prillit
të vitit në vazhdim.
Në
sallë ra heshtja.
-Lexoje
edhe njëherë- u dëgjua i njëjti zë i ngjirur, po pati kundërshtime nga të
tjerët.
-Më
lejoni mua t'ja u spjegoj qëndrimin e zotit Fiko në këtë çështje- u dëgjua një
zë i ëmbël femre dhe Naim Hana pa një fytyrë jo krejtësisht të panjohur me syze
të trasha, që po ngrihej ngadalë në një nga rrjeshtat e mesit. Ai u kthye të
pyeste Aferimin, se kush ishte zonja, por doktori i shkencave të letrave ishte
gjithë sy e veshë nga folësja.
-Zoti
Fiko, disa herë në takimet mes bektashinjve dhe Babait të Teqesë, ka shprehur dyshimet
e tij për zanafillën e investimeve për Kishën. Përse ka thënë vijnë nga
Republika e San Marinos e jo nga Vatikani? Cili është roli i avokatit Rako
Pilafi, i cili dihet që nuk është konvertuar ende në katolik?...po po u degjuan
zëra mes turmës, Rako Pilafi, Rako Pilafi...
-Lereni
të mbarojë- u dëgjua sërish ngjiraku....lereni lereni....Rako Pilafi...u
dëgjuan duke u fashitur.
-"Po
sikur ta ndërtojmë e pastaj ta prishim?" ka qënë një tjetër pyetje që ka
ngritur zoti Fiko, por u kundërshtua nga babi i Teqesë. Dhe pyetja e fundit dhe
kuptimplotë ka qënë: A duhet të bëjmë një referendum të shprehen të gjithë
Bredhishtarët?- tha me plot besim farmacistja Adelina Havani dhe u ul
triumfatore duke i hedhur vështrimin e fundit pas xhamave të trasha mjekut Hana...referendum,
referendum, u dëgjua e gjithë salla.
-Me
leje- ngriti gishtin dhe më pas trupin Veror Voloreka- Mund të bëj një
propozim?
-Posi
Veror-u përgjigj doktori i Letrave.
-Unë
mendoj që në vendin ku kërkojnë të ngrihet Kisha Katolike, të ngremë një
kompleks skulpturor për Bredhishtarët demokratë, me figurën e zotit Fufulina në
qendër.-dhe u kthye nga skulptori Ulianov Sopi, i cili miratonte me kokë....po
po...kompleks skulpturor- u gjegj salla. Mes mërmëritjeve dhe diskutimeve vesh
më vesh referendum apo kompleks skulpturor, u ngrit sërish Aferim Dollibashi
dhe salla u tulat.
-Deklaratë-
filloi me një zë më të plotë këtë rradhë- Ne, përfaqësuesit e intelektualëve të
tre bashkësive fetare të Bredhishtës, në tubimin e sotëm të një rëndësie të veçantë
për të ardhmen e paqes e harmonisë fetare në Bredhishtë e në rajon, në njëzërje
të plotë...
-
C'është njëzërja- u dëgjua zëri i ngjirur, po dikush i ra me brryl të pushonte.
-...kundërshtojmë
përpjekjet e dyshimta të një grushti njerëzish të caktuar, të mbeshtetura nga
segmente të caktuara brenda e jashtë vendit, për të prishur drejtpeshimin
burimor dhe bashkimin që bën fuqinë të tre feve kryesore në këtë zonë të
rëndësishme të Shqipërisë.- Aferimi mori frymë, i hoqi edhe një lëpirje të
shpejtë buzëve e vazhdoi- Janë këto grupime që kërkojnë të pushtojnë zemrën e
qytetit tonë, në çastet solemne të vrapimit drejt Europës, shtëpisë tonë të
përbashkët e të natyrshme. Kërkojmë nga institucionet vendore qëndrore dhe ato
ligjore, të ndalojnë menjëherë dhe rrufeshëm të veprojnë edhe me gjuhën e
ashpër që të jep ligji ndaj atyre që punojnë për të huajt dhe jo mëmëdheun
tonë. Në rast se veprimet në këtë drejtim do jenë të ngadalshme dhe
shkurajuese, ju bëjmë të ditur se do fillojmë të kryejmë sakrificën më sublime
- grevën e ngadaltë dhe të sigurt të urisë. Bredhishtë më 15 prill të vitit në vazhdim. Vazhdojnë
firmat e firmëtarëve.
Salla
shpërtheu në duartrokitje dhe Naim Hana u detyrua të ngrihej më këmbë. Nuk
dinte ç'të bënte me duart. I bashkoi horizontalisht përpara barkut, pa provuar
t’i fërkonte apo t’i përplaste lehtë. Aferimi e shihte me bisht të syrit,
ndërsa zëri i ngjirur dëgjohej mbi zhurrmën e duartrokitjeve, që pas ritmit
shuplakpërplasës thërriste:
-C'na
duhen ne kish' e xhamia
Kur
pim' raki nga Shën Dëllia...
Shumica nuk e kuptonin nëse ishte tamam tamam
kundër ndërtimit të kishës, apo thjesht donte të ndërtohej mbi bregoren e Shën
Dëllisë, ku ishte lokali më luksoz i Bredhishtës, që sipas zërave të
pakonfirmuar ishte pronë e Fikos dhe Gogo Gurgullimës.
No comments:
Post a Comment