Friday, 12 December 2014

3016 km nen rrena (kreu IV)

Kreu i katërt,
ku tregohet
si bie në depresion Vasfiu.



Në atë çast, në qoshen e largët të rrethimit u shfaq duke hedhur hapat e gjata, me një palë çizme llastiku në këmbë, kushëriri i Naimit nga fshati Klocë, Vasfiu. Nga pas e ndiqte duke ju marrë fryma, e shoqja, Themije Kloca.
            -C’kam marë vesh kushëri! C’ishte kjo hata!- filloi te thërriste Vasfiu, gjë që e detyroi Naimin të vinte gishtin mbi buzë. Fiko Fufulina i hodhi një vështrim të vëngër çiftit, që posa kishte arritur pranë fushës së tenisit dhe i bëri shenjë me kokë Naimit, që ishte i lirë të largohej.
            Doktor Hana u përqafua me kushërinjtë dhe nën zë nisi t’i shpjegojë Vasfiut, që nuk ishte ndonjë gjëmë e madhe dhe se a partamenti do rregullohej së shpejti.
            -Tani të vemë ta rregullojmë!-thirri Vasfiu i vendosur dhe u nis drejt pallatit. Naimi bashkë me Themijen e ndoqën nga pas duke vrapuar. E arritën me mundim në dera e Adhurimit dhe te gjithë, sërish ndoqën rrugën dhome ndenie-ballkon-kapërcim muri ndarës-ballkon-dhe pasi thyen xhamin dhe hapën derën, hynë në dhomën e ndenies të apartamentit të mjekut. Eshtë pak të thuash që Vasfi Kloca mbeti i shtangur me krahët e hapura anash, e i kujtoi Naimit një shtatore gjigande të Krishtit mbi një mal të Rio de Zhaneiros. Pas disa sekondash të ngrira, kur e pa që Vasfiu nuk po bënte asnjë lëvizje Naimi pyeti:
            - Vasfi, çke?
            - Po kjo qënka më shumë se gjëmë…Kjo qënka katastrofë!! Kjo qënka kataklizmë! Kjo qënka Armagedon! Si e kanë katandisur kështu?- dhe filloi të shikonte i çakarritur suvatë e rëna dhe dërrasat e bufatura të dyshemesë- Ikë …ikë në Amerikë dhe lemë ta rregulloj unë këtë llahtarrë…
            - Po prit o Vasfi...Si të ikë Naimi, sa ka ardhur dhe s’jemi çmallur akoma-guxoi të theshte Themija.
            - Po nuk e shikon moj edpsëzkë, si është katandisur apartamenti? Po çmallet dot ai në këtë gjurulldi?..Ikë kushëri dhe lemë kyçet!
            - Dale bre kusho, se s'nisem dot kështu pa ardhur mirë. Do merakoset edhe Artemisi me fëmijët, le që duhet edhe të paguaj për të ndruar biletën.
            Vasfiu e pa ngultas me sytë e tij jeshile dhe uli tonin.
            -C'ke ndërmend të bësh me këtë apartament? Shite...ç'e mban kot!!!
            -Po dale se s'kemi hedhur gurë. Mbase kthehemi një ditë me plakën.
            -C'do bësh në Bredhishtë?!!! Ti ike tani që një e pjellë është një milion, e një abort kushedi se sa, e do vish kur të jesh plakur?..Nisu...ik...ik dhe po qe s'e shet shtëpinë, lema mua të ta kumandar.
            -Mirë Vasfi, ty do ta le, po le të shikojmë çdo bëj këto tre javë- e mbylli paqësisht debatin mjeku dhe më pas shtoi-Të gjejmë ndonjë firmë ndërtimi të na bëjë një vlerësim e të fillojë nga meremetimet, pastaj, kur të ik unë ndiqi ti.
            -Firmë?...ç’e do këtë firmë...ata të marin tapinë e shtëpisë...të gjej unë ustallarë nga Kloca të ta bëjnë të re....ja t'i mar në telefon-dhe nxorri celularin Nokia e filloi të formojë një numur.
            -Prit o kusho mos u nxito-e ndërpreu Naimi-prit njëherë të shohim se ç'mund të na thonë këta të firmave këtu, pastaj, po të jenë shumë të kripur, i bëjmë me ata të Klocës.
            Vasfiu e mbylli i pezmatuar celularin dhe pas disa sekondave heshtje shtoi:
            -Firmë?...s'kemi as Skënder Dojën se ka ikur në Tiranë...Elian Zilja mbetet më i sakti...
            -Do shikoj se mos punon akoma Lirim Soxhuku. Po qe se ai ka dalë në pension do takoj Teuta Barakun. E kam asistuar dy herë në lindje të vështira dhe e di që për mua bën të pamundurën.
            -Ti e di- vari buzët Vasfi Kloca dhe mori të kapërcente murin që ndante dy ballkonet - Lirimin mbase e gjen në bilardon e ndërtuesve, kurse për Barakun s'di ç'të të them.
            Naimi me Themijen i shkuan pas dhe u përballën sërish me vjehrrën e Adhurimit, e cila i kishte ngulur sytë nga fytyra e stërzgjatur e Vasfiut. Ky nuk e shihte po mbante sytë në tepsinë e madhe të bakërtë, varur si ornament në mur. Filloi të rrotullonte sytë rreth anëve të tepsisë dhe më pas të njëjtën gjë po bënte edhe me kokë. Refija nuk u përmbajt:
            -C'ke Vasfi, përse e rrotullon kokën?
            Por edhe pas thirrjes së saj, ai vazhdonte rrotullimin e ngadaltë pa kthyer përgjigje. Edhe mjeku u shqetësua. Nuk e kishte parë ndonjëherë të kushëririn të humbte toruan.
            -Vasfi ulu o xhan!- dhe e zuri për krahu ta shpinte në ndenjësen qoshe të lëkurtë. Tjetri e ndoqi pa kundërshtuar, por sytë nuk i ndante nga tepsia e madhe. Themija e ndoqi jo pa shqetësim dhe filloi t'i fërkonte damarët e qafës. Plaka e shtëpisë nxitoi të mbushte një kupë me raki mani dhe ja vuri para.
            -Nuk i bën mirë rakia-foli e shoqja-i rifilloi depresioni.
            -Kam unë ilace për tansionin- u hodh Refija dhe doli me nxitim nga dhoma.
            Mjeku u shqetësua më shumë dhe pyeti:
            -Kur i është shfaqur? S'di të ketë patur depresion?
            -I filloi kur përsëriti Altini klasën e tetë dhe ka tre vjet, që herë e le e herë e ze.
            -Po është vizituar në Tiranë?
            -Po, po... i kanë thënë të pijë çdo ditë një gotë me lëng lule basani. Ka vënë edhe një medalion nga ato për syrin. Na i kanë sjellë nga Greqia.
            -Po mjekim tjetër nuk i dhanë?- këmbënguli Naimi, por e ndërpreu Refija që hyri në dhomë.
            -Të tansionit s'i gjeta, po kam nga këto kundër kapsllëkut dhe këto bëjnë mirë për çdo gjë.
            -Faleminderit Refije-tha mjeku dhe mori disa kokrra për të mos zgjatur debatet e kota. -Tani do shkojmë në spital dhe do shikojmë ç'duhet bërë...Ngrihesh dot Vasfi?
            Kushëriri filloi të ngrihej ngadalë, i ndihmuar nga mjeku dhe e shoqja dhe dukej krejt i përhumbur. I ndoqi duke u çapitur ngadalë dhe pabëzajtur. Në shkallët u detyruan ta mbanin disa herë mos rrëzohej dhe kur dolën nga pallati hodhën sytë rrotull të shihnin ndonjë makinë . Vasfiu po jepte shenja rigjallërimi dhe foli:
            -Apartamenti...mos më largoni nga apartamenti...thërrisni ustallarët.- dhe perëndoi sërish sytë e u mbështet pas Themijes.
            -Ju prish terezia shumë nga shkatërrimet prandaj u bë kështu, e zeza unë.
            -Do i kalojë-u mundua ta qetësonte Naimi dhe i ngriti dorën një makine që po linte garazhin parafabrikat prapa pallatit. Djali i ri në timon ndaloi para tyre dhe nga xhami i hapur pyeti:
            -C'ka zotëria? I sëmurë?
            -Po. Na ndihmon ta shpiem në spital?
            -Hipni- nuk e bëri dy fjalën djaloshi dhe dy kushërinjtë së bashku me Themije Klocën u futën në makinën, e cila u nis rrëmbimthi drejt spitalit të Bredhishtës. Ndalesa, zbritja dhe gjithe veprimet e mëpasshme ishin të rrufeshme, tamam si i kishin hije një mjeku me përvojë si Hana. Bëhej fjalë për një gjendje shpirtërore-mendore jo të lehtë të kushëririt të tij, që ishte shkaktuar për shkakun e vetëm të apartamentit të Naimit. Duhej një ndërhyrje e menjëhershme, që sëmundja mos prekte Themijen dhe të tjerë të afërm të Hanajve dhe Kokorridhëve, që kishin mbetur në Bredhishtë.
            -Ka ardhur Ridi?- pyeti infermiere Zinan, që shtynte bashkë me të, shtratin lëvizës ku kishin shtrirë Vasfiun dhe njërën dorë  përkëdhelte shpatullat e Naimit.
            -Sa telefonoi që po nisej nga gjimnazi. Për tre minuta është këtu. Të fillojmë analizat?

            -Nuk është nevoja për momentin. Të presim doktor Bregun.- dhe së bashku me Zinan e futën Vasfiun e shtrirë në një nga dhomat e ekzaminimeve. Themija i fërkonte ballin pa ditur ç'ti bënte tjetër, por ai i mbante sytë mbyllur dhe kur i hapte nuk shihte kënd, vetëm i rrotullonte kokërdhokët në mënyrë të çuditshme. Asnjëri nga të pranishmit s'mund të parashikonte në ç'pikë do nguleshin bebëzat bojësmerald të të sëmurit Kloca. Ishte një lëvizje jo e njëtrajtëshme, bile të krijohej përshtypja, se bebëzat lëviznin të pavarura nga njëra tjetra. Naim Hana mallkoi veten, që nuk kishte lexuar gjatë viteve në Karolinën e Veriut asgjë nga të rejat e fundit në psikologji dhe psikiatri. Ndjehej pafuqi nga sëmundja e papritur e kushëririt të tij, më të gjatit të të gjithë sojit.

No comments:

Post a Comment