Ky shkrim nuk është për brezin tim apo edhe atë para nesh. Eshtë
për fëmijët tanë, të lindur në vitet ’80 dhe më vonë, që nuk kanë pasur mundësi
të kuptojnë se ç’ishte Diktatura në vitet ’60 e deri në ndryshimin sistemit. Po
e bëj këtë se kam frikë se edhe në librat e shkollës apo edhe në libra të tjerë,
ka ose keqinterpretime të qëllimshme, ose ndryshime të herë pas hershme në varësi
të krahëve politikë antikomunistë dhe prokomunistë, që kanë qeverisur prej 1991
e sot.
Mos e kujtoni si një periudhë të zezë, kur njerzit vetëm
vuanin dhe qanin apo shkonin burgjeve. (Kjo më kujton mësimet, që na bënin ne 8
vjeçare, kur na pyesnin se si e presim ne 1 Majin- me festë dhe popujt në
vendet kapitaliste e prisnin me lot.)
Ishte një periudhë kur shumica e njerzve jo vetëm jetonin e
nuk lodheshin shumë, por edhe qeshnin shumë. Ishte një lloj atmosphere frike e
përzjerë me gëzim, me mungesë dëshire për të bërë shumë pyetje, me “lumturime”
nga më qesharaket, si kur blinim televizor, apo këpucë të reja apo dikush dilte
jashtë dhe të sillte ndonjë sapun. E megjithatë njerzit martoheshin , bënin fëmijë
dhe vdisnin kur i thërriste i Sipërmi. Bile Partia dhe Qeveria kujdeseshin, që
në rast vdekjeje të merrje edhe deri 1 kile kafe për t’I pritur sipas zakonit
ngushëlluesit.
Kjo ishte në vija të trasha jeta nëpër qytete për njerëzit,
që nuk kishin problem të mëdha biografie. Në fshatra ishte më e vështirë, se
njerzit duhet të punonin më shumë, ndaj të gjithë përpiqeshin të gjenin mundësi
të shkonin qyteteve, gjë që nuk ishte e lehtë, ndaj shumë syresh mundoheshin të
bëheshin oficerë dhe policë, ose të martoheshin në qytet.
Ishte një eksperiment “i marrë“, që nuk ishte bërë në atë
shkallë asnjëherë në historinë njerëzore. Mungesë lirie për të gjithë. E drejtë
e punës për të gjithë. Asnjë pronë private veç shtëpive. Institucionet fetare të
ndaluara me ligj.
Një miku im, përmendi diku, se dhe në atë kohë kishte njerëz
, që punonin me “integritet”. Vetëm me integritet nuk mund të ishe në atë kohë,
sepse po të kishe të tillë përfundoje në burg! Integriteti ishte “sine qua non”
që të shkoje në burg. Ishte një sistem , që e përjashtonte integritetin e
njeriut.
-Po si bënit ju, që nuk shkuat në burg?- mund të më pyesni
ju fëmijët e mij ose të miqve të mij.
E para, gjë që kishim bërë ishte varja e pjesës më të madhe
të integritetit tonë në një ‘peronë“ në shtëpi dhe në shoqëri mundoheshim të
shpëtonim atë pjesë, që mund të shpëtohej. Të mos merrnim më qafë të tjerët
duke i kallzuar. Të flisnim nën zë rreth padrejtësive të mëdha dhe të ngrinim zërin
vetëm ndaj të voglave. Të theshim edhe “Po atij ç’i duhej , që fliste. Nuk e di
që këta të kalbin brenda?!”
(vijon)
No comments:
Post a Comment