Thursday, 18 December 2014

Mbledhjefobia

Mbledhjefobia(nëse ka një të tillë) nuk duhet të jetë e njëjtë me agorafobinë apo me sëmundjen e frikës të daljes në një vend të hapur ku grumbullohen shumë njerëz.
Unë vuaj nga mbledhjefobia. Dhe sidomos nga mbledhjet, që zhvillohen në salla të mbyllura dhe jo shumë të mëdha Sëmundja, që kam, nuk është e njëjtë as me klaustrofobinë, që është frika nga vendet e mbyllura dhe nga të cilat nuk ke rrugëdalje. Mund të ketë diçka nga kjo e fundit, se kur shkoj në një sallë të vogël mbledhjesh apo edhe në kishë, mundohem të ze një vend nga fundi pranë derës, që të kem mundësi të dal tinëz, kur fillojnë duartrokitjet e para apo edhe “amenët” e parë. Sigurisht zgjedh një vend, që është jo larg derës por jo dhe aq pranë saj për të mos ju rënë në sy, organizotorëve të mbledhjes apo atyre, që do mbajnë fjalë. Ata janë gjithnjë në përgjim në fillim të mbledhjes për të parë se cilët kanë ardhur, ku janë ulur dhe nëse kanë ndonjë prirje të ikin tinëz sa të fillojnë duartrokitjet e para.
Më shumë ju trembem mbedhjeve me presidium të madh. Kur janë më shumë se pesë vetë në presidium, gjithnjë ka një ose dy syresh, që nuk dëgjojnë folësin po shohin se ç’ndodh në sallë gjatë duartrokitjeve të para dhe të dyta dhe dallojnë menjëherë ndryshimet në rradhët e fundit e ju pëshpëritin në vesh organizatorëve dhe folësve, se kush u largua pa filluar mirë mbledhja. Nuk më është krijuar kjo frikë as nga Konferenca e partisë e vitit 1950 në Korçë, kur një nga të presidiumit, i pëshpëriti shoqes Liri Belishova se “Andon Mara ka dalë në hollin e kinemasë pa filluar mirë mbledhja”, gjë që i kushtoi tim eti përjashtimin nga Partia dhe plot frikëra të tjera. Jo. Kur kam mësuar këtë histori isha 19 vjet, moshë jo vetëm kur nuk krijohen fobitë, por kujtoj edhe mirë se mbledhjefobinë e kisha më të hershme.

Duhet të më jetë krijuar në fëmijëri, e mbase në mbledhjet në Shtëpinë e Pionierit, ose kur zgjidheshin udhëheqësit e Cetës së Pionierëve. Në këtë mund të ketë ndikuar edhe gjatësia ime, (shumë nën mesataren e moshës) dhe të qënit sherret. Të qënit sherret më shpinte gjithnjë në rradhët e fundit dhe duke qënë i shkurtër nuk mund të shihja se ç’bëhej në presidium apo kur dorëzoheshin fletëlavdërimet dhe stimujt e tjerë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment