Ja vlen, kur ai është njeriu më i votuar në Shqipëri.
Kryeministri Rama, ka deklaruar, që “ata, që kanë sharë Kullën Vrojtuese në Korçë, të vijnë e ta vizitojnë,
për të pastruar shpirtin nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike.” Sigurisht
nuk vlen kjo për qytetarët e qytetit tim, se ata jetojnë atje dhe sipas Ramës
duhet tashmë ta kenë bërë “Kullëterapinë“, por për njerëz të tjerë, që jetojnë
jashtë Korçës dhe e kanë kritikuar në shtyp apo në mediat sociale Kullën. Kryeministri
nuk ka dhënë detaje nëse për udhëtimin kurues fondet do përballohen nga
Kryeministria, nga Bashkia e Korçës apo nga vetë të sëmurët.
Por përse më duhet ti përgjigjem kryeministrit shqiptar
rreth deklaratës së tij. (Për hir të së vërtetës, nuk kam lexuar deri më sot
asnjë arkitekt apo urbanist shqiptar të shkruajë në shtyp në favor të Kullës.
Duket, që të sëmurë do e kenë ndërgjegjen edhe arkitektët rrotull Ramës.)
Deklarata është arrogante dhe një përpjekje për të denigruar
dhe për tju mbyllur gojën njerëzve, që kundërshtojnë projektet , që kanë
bekimin e tij.
Dhe pikërisht këtu, më shumë se në faktin e kryer në Korçë,
qëndron rreziku i një deklarate të tillë.
Rama nuk tregon asnjë lloj fleksibiliteti apo përfillje të
opinionit të specializuar apo jo rreth ndërtimeve me rëndësi që janë duke u bërë(apo
në projekt)në qytetet e Shqipërisë. Atë, që ai e quan rilindja urbane e
qyteteve. Ekziston rreziku, që shijet e tij( tepër të dyshimta) të imponohen në
gjithë Shqipërinë sikundër u bë me lyerjen e Tiranës apo betonizimin e saj në
kohën, kur ai ishte Kryetar Bashkie. Atë kohë kam shkruar, që qyteti nuk është
dhoma e ndenies së Kryetarit, ku mund të vendosë objektet, që pëlqen, ashtu si i
pëlqejnë atij dhe ta lyejë me ngjyrat, që dëshëron. Formulimi i tyre kërkon
shumë “sita" të mendimit profesional, opinionit intelektual dhe njëkohësisht një
lloj konsensusi të qytetarëve. Tirana, Korça , Shkodra apo Vlora nuk janë
instalacioni me plaçka të vjetra i Ramës në një festival arti në Francë, të
cilin vitin tjetër premtonte se do ishte një “bunker me mish”. Në formulimin e
tyre Kryeministri apo Kryetari i Bashkisë duhet të rrijë më i tërhequr dhe të dëgjojë
kërkesat e atyre, që jetojnë atje dhe të profesionistëve, të cilët projektojnë
në to.
Eshtë e çuditshme, që në çështjet e Urbanistikës dhe Arkitekturës,
Rama kapërcen edhe Diktatorin Hoxha. Edhe ai, që dinte se ku kishte naftë dhe
se si mbrohej Shqipëria nuk shprehej ndaj ndërtimeve në Tiranë si ndërtime
fashiste dhe të kërkonte zëvendësimin apo mbulimin e tyre, apo shërimin e atyre
, që i pëlqenin e shpreheshin pozitivisht për to.
Arroganca e Kryeministrit në çështjet e Urbanistikës dhe Arkitekturës duhet ndalur!
Jo nga opozita, se ka të njëjta koncepte autoritare.
Nga specialistët e ndërtimit dhe intelektualët shqiptarë.
Për të mos i lënë brezave gabime të rënda në qytetet tona, që
do kërkojnë shumë mund për tu korrigjuar!
No comments:
Post a Comment