Friday, 12 December 2014

3016 km nen rrena (Kreu II)

Kreu i dytë,
ku tregohet
si flihet në hotelin
e Veror Volorekës.

           


Brenda apartamentit kishte ndodhur diçka e zorshme për ta përshkruar. Mjeku Hana nuk arrinte të rrokte me mendje nëse vërtet kishin qënë xhindet në një orgji të paparë nga vdekëtarët, apo apartamenti ishte vënë në provë për disa kohë në një laborator trusnie ujore dhe tuneli erërash. Dukej se forca të errëta dhe pa orientime të përcaktuara mirë kishin goditur nga poshtë lart, nga djathtas majtas dhe sidomos më shumë në mënyrë të kithtë. E pazakont kishte ndodhur kohë më parë, se muret jo vetëm që kishin humbur suvatë prej rëre të NN-ve të kohëve të Bashkësisë joprimitive, por kishin zënë myqe shumëngjyrëshe. Dyshemeja prej druri ishte gufuar tërë krenari dhe nuk linte të hapej dera e hyrjes. Nje mbajtëse librash prej druri, që mbanin në korridor, ishte zgërlaqur mbi dërrasat e harkuara të ishdyshemesë, ndërsa librat ende të qullur, ngjanin me lule të vyshkura varrezash. Suvatë e rëna nga tavani, sikur i kishin kriposur dhe  gjithë pamjes i mungonte çuditërisht era e rëndë e vdekjes. Kutërbonte vetëm muli. I mësuar mes qindra lindjesh e plot vdekjesh, mjeku Hana e kuptoi, që nuk ishte aromë e ardhjes apo ikjes nga jeta. Një forcë natyrore po aq sa edhe jonatyrore, sa e thjeshtë aq dhe e pabesë, kishte mykur strehën e tij dhjetravjeçare. Uji. Po nga kishte ardhur? Disa pika që çuditërisht, në këtë pamje surreale, vinin nga lart e nuk ngjiteshin, e bënë të dyshonte se uji vinte nga apartamenti i Hodos. I ngjiti me vrap shkallët, që lidhnin dy katet dhe para derës metalike u step. Atje nuk jetonte më ushtaraku Hodo Velitërna, por dikush, që quhej Gogo Gurgullima me gërma gotike. Cili ishte Gurgullima vallë? Nuk kishte dëgjuar njeri me këtë mbiemër të lindur në rrethinat e Bredhishtës. Nga brenda apartamentit dëgjohej një uturimë e mbytyr, sikur diçka lloçkavitej në një vaskë stërmadhe nga ato të galvanizimeve. Ishte një biznes galvanizimesh apo diçka më e mistershme brenda apartamentit ku ushtaraku Hodo kishte rritur katër fëmijët e tij zevzekë? "Po unë nga se kam frikë"-mendoi. "Pikërisht këtu ku kam jetuar për 33 vjet?"- dhe trokiti në fillim lehtë e pastaj më fort. Pas disa çastesh uturima pushoi dhe nga brenda u dëgjuan disa çapa pllaquritëse. Dera u hap dhe një burrë trupmadh e me flokë të rëna, i mbuluar vetëm nga një rrobë banje pyeti i çuditur:
-Po ti kush je?
-Unë...jam...ai poshtë- mezi arriti të shqiptonte Naimi.
-Cili poshtë? Ku poshtë?- pyeti përsëri rrobëbanjsi.
-I aprtamentit poshtë- tha me një frymë i çliruar tjetri.
-Apartamentit poshtë? Ata janë në Amerikë.
-...Ke të drejtë...unë jam nga Amerika...Naim Hana.
-Edhe...ç'kërkon në mes të natës?- pyeti vrazhdë i mbuluari me rrobëbanje.
-Poshtë është bërë nami. Uji më ka shkatërruar apartamentin.
-Edhe ç'farë? C'të të bëj unë?
Mjeku u gëlltit dhe u mendua për disa të dhjeta sekonde se si duhej të sillej me harbutin përballë. "Serenity now!"-kujtoi nga një serial komik që ndiqte në televizion dhe u drejtua paqësisht:
-Mbase është ujë që vjen nga apartamenti juaj.
-Kush tha, që vjen prej këtu? Ti thua?
-Po vjen nga një vend apo jo?
-Kontrollove djathtas, majtas, poshtë, rubinetat tënde, WC-të?
-Jo...po mendova...mendova, që mund të vijë prej këtu.
-Mos mendo! Vepro! Kontrolloi të tëra pastaj hajde këtu. Më le pa mbaruar seancën e hidromasazhit- tha prerë Gogo Gurgullima dhe mbylli me forcë derën.
Naim Hana mbeti si i paralizuar në sheshpushimin para apartamentit ku dikur bënin zhurrmë zevzekët e Hodos, e tani bënte seanca hidromasazhi Gurgullima. Ku të shkonte? Nuk mund të shqetësonte të tjerë njerëz majtas, djathtas e poshtë, ndaj vendosi të shkonte e të flinte në hotel. Mëngjesi do kthjellonte gjithshka. Ndërkohë uturima kishte rinisur  dhe Gogoja pasi kishte flakur rrobëbanjën, ishte rizhytyr brenda vaskës së madhe, ku e prisnin për ta përqafuar këmbët e depiluara të sekretares së tij Anila.
-Kush ishte Gugu?-pyeti me përkëdheli e sapodiplomuara në Bolonjë për të Drejtë Ndërkombëtare.
-Ai poshtë bejbiii-zgjati zanoren e fundit tregëtari Jorgo Gurgullima, që të gjithë e njihnin për Gogo, dhe u mundua të shtrëngohej sa më shumë meskëmbësh të lagura, të drejta e krejt pa qime.
Në fund të shëtitores së vetme të Bredhishtes ndodhej hoteli me tre yje i Veror Volorekës. Naim Hana e dinte vendin, se e kishte parë të ndërtuar para se të largohej nga Shqipëria. Kishte qënë me dy kate dhe një çati alpine, që të kujtonte më shumë një “shale” në vendrrëshqitjet me ski të Zvicrës dhe quhej Motel “Verori”.Tani i ishin  shtuar edhe dy kate dhe duraluminet mbulonin tej e mbanë ballkonet. Nuk kishte më çati, po mbi tarracë ishte apartamenti luksoz i të zotit dhe një shkrim i madh me drita “Grand Hotel Voloreka”. Nxitoi të hynte në derën e qelqtë , që hapej e mbyllej vetë, posa ndjente hapat e ndonjë udhëtari të mbetur pa strehë. Në hollin rrethor, binte në sy një skulpturë bronxi me dy kalorës, njëri i gjatë mbi një at të lartë dhe një më i shkurtër, mbi një pelë të ulët dhe barrsë. "Don Kishoti dhe Sanço Pançua"-buzëqeshi Naimi."Po ç'i ka vënë këtu Verori? Ndoshta për të tërhequr turistët spanjollë." dhe i hodhi sytë në një kolltuk dysh, pranë recepsionit, ku gërrhiste një burrë me uniformë. Lëshoi nga dora çantën, për të bërë zhurrmë. Uniformsi hapi njërin sy, pastaj brofi në këmbë dhe thirri:
-Urdhëroni zoti klient!
Naimi e njohu Qani Zekën, nëndrejtorin ushtarak, të shkollës së mesme.
-Më fal që të zgjova profesor Qaniu?...Jam Naim Hana e dua një dhomë për sonte.
-Po ku je o doktor ! Ua s'të njoha fare. Sa ke pa ardhur në Bredhishtë?
-Gjashtë vjet profesor. Po ti kur ke filluar me Verorin? E le kambizmin?
-Jam me një firmë rojesh private. Ra dollari dhe s'ka hesap. Tani rri këtu turni i natës...Do të të jap dhomën më të mirë të hotelit. Numur dyqind e dyh.- tha ish-oficer Qaniu dhe mori çelësin nga rafti. "S'paska ndryshuar me numurat" mendoi mjeku duke kujtuar kohët e përgatitjeve rreshtore dhe komandat "njih-dyh-njih-dyh" me të cilat qeshnin në shkollë.
-Dhoma ka krevatë copë dyh, televizor copë njih, pult komandimi copë njih, kremastarë copë dyh dhe shapka plastike palë dyh. Fli se je i lodhur doktor-dhe Qaniu mbylli derën e dhomës 202 duke e lënë vetë Naim Hanën. Mjeku u ul i dërmuar në shtratin pranë dritares dhe mendoi se sa e çuditshme ishte të përfundonte në një dhomë hoteli në qytetin e tij. Ndezi televizorin dhe në kanalin e parë u dukën pamja e një seksi gojor ndaj menjëherë e ndroi. Në kanalin tjetër kishte një intervistë të së resë të diktatorit të vdekur, rreth ç'nuk ishte, ç'nuk është dhe ç'nuk do bëhej Shqipëria. Mendoi se ishte thuajse e njëjta gjë, si në kanalin e parë ndaj e mbylli tv-në dhe shkoi në banjë. I duhej një dush për tu shlodhur pas asaj dite prej 26 orësh. Dita e pazakontë i kujtoi mësuesin e tij të fiskulturës, kur i thoshte njërit prej nxënësve:"Bilbil, ti nga 24 orë që ka dita fle 25. Këtë një orë ku e gjen?". Vetë i kishte gjetur dy orët shtesë në fluturim. Tani donte të flinte të paktën dy orë të ditës së re. Hyri në banjë të bënte një dush pa hidromasazh dhe e ktheu deri në fund ujëprursin e kuq. E dinte, që pas disa çasteve të ujit të ftohtë, do fillonte nxehja e menjëhershme, që i pëlqente dhe i lehtësonte vërshimin e gjakut damarëve. 15 sekonda, 25, 29 dhe doli i tmerruar nga dushi. Uji jo vetëm që s'ngrohej, por arriti një temperaturë aq të ulët burimore, sa mjeku kujtoi se do kishte një tkurrje të menjëhershme të rropullive, gjë që mund të shkaktonte edhe largim të parakohshëm nga programi i mërzimit, ose edhe nga jeta.  Hapi sytë të kuptonte c'kishte ndodhur dhe pa në mur shënimin që i kishte shpëtuar:Red sucks. U kujtua që Verori i përkiste të djathtës europiane, ndaj hapi ujëprursin blu. Më pas u fut në shtratin larg dritares dhe filloi të gërrhasë...deri sa kënduan gjelat e dytë. Veshi tutat dhe zbriti poshtë. Në sportel ishte djali i madh i Verorit, Liko Voloreka. Pagoi edhe për ditën, që posa kishte nisur dhe pasi e përgëzoi pronarin për hotelin e pyeti:
            -Po Don Kishotin e Sançon kush i ka bërë-dhe tregoi me dorë nga skulptura në qendër të hollit. Likua rrudhi ballin dhe u përgjigj gjithë inat:
            -C'Don Kishot o...ai është Verori i hipur mbi Bardhon. Mbi Kuqkën barrsë është plaka.
            Naimi u skuq deri në majë të veshëve nga gafa që kishte bërë dhe duke kërkuar të falur u mundua të spjegojë se për shkak të kapeleve dhe kuajve, nuk i kishte njohur Verorin e gruan e tij të dashur. Shtoi që skulptura i kishte pëlqyer shumë, bile kishte menduar se ishte bërë në Perëndim.
            -Nuk është bërë jashtë shtetit. E ka bërë  vetë Uljanov Sopi, nga nje fotografi e Verorit dhe e mamasë në Teksas. Ishin veshur si kauboj.-tha paksa më i zbutur- Kuqkën e ka paraqitur barrsë për efekt vëllimesh dhe për të dhënë idenë e pjellorisë të sojit tonë.
            Mjeku tundi kokën i bindur. E dinte që Verori kishte gjashtë djem dhe të gjithë kishin ardhur në jetë pa u ndërtuar hoteli. Tani, në grupin skulpturor prej bronxi, ishin pavdekësuar jo vetëm Verori me kuajt, por edhe e shoqja dhe pjelloria e saj. Doli nga hoteli dhe vendosi në xhepin e mëngës së tutës ajfonin, shtypi Vrapmatësin dhe filloi vrapimin rreth unazës së re të Bredhishtës. Ndonëse jo plotësisht në formë, pas dy orëve gjumi të trazuar, mendoi që 3 km do i kishte përshesh me dhallë, tamam si ata të rinisë të kufizuar në ushqime.

            Nuk ishte aq mbajtja e trupit në formë, që e bënte Naimin të vraponte çdo ditë. Një arsye e çuditshme, disi e ndërlikuar, midis paradashurisë dhe flirtimit porno e kishte shtyrë të merte vendimin për të hyrë në maratonën e Bostonit vitin e ardhshëm. Ai ndjehej xheloz, për një nga të dashurit e kërcimtares ekzotike 76 vjeçare, historisë e të cilës i dëgjonte çdo ditë. Bostonmarathonsi kishte qënë i preferuari. Ajo kishte patur me të marëdhenie në kohen e Udstokut, gjatë skandalit të Uotergejtit dhe pak javë, kur pilotët amerikanë mbaheshin peng në Iran. Vetëm orët e zgjatura të dashurisë me të, e kishin ndihmuar të mos binte në depresion në ato periudha krizash e përmbysjesh. Kur Naimi i kishte thënë Debit, se edhe ai do hynte në marathonën e Bostonit, ajo ishte entusiazmuar si kurrë ndonjëherë dhe i kishte dhuruar ajfonin B-5 me programin kilometërmatës. Mbështetja prej dy minutash e gjoksit të saj të flashkët, mbi gjoksin e tij, i kishte kujtuar Naimit se ç'gabim të madh kishte bërë, por si Bredhishtar i vendosur dhe kokëshkëmb, ai s'mund të tërhiqej. Disa muaj stërvitje në natyrë dhe aq. Fundja dhe një kampion i vendit në maratonë, me mbiemrin Memeci, nga Bredhishta pat qënë.

No comments:

Post a Comment