Problemi më i madh është se unë “kam problem” jo vetëm me
mbledhjet klasike me sallë të mbushur dhe presidium, por edhe me mbledhjet me
sallë joplot dhe presidium, si dhe me ato vetëm me një folës në podium me sallë
të tejmbushur, gjysëm të mbushur apo edhe gati bosh. Të njëjtën ndjesi më
sjellin mbledhjet rreth një tavoline, ku ka edhe një rrjesht me njerëz të ulur
pas në karrige, pavarësisht nëse vendi im do jetë pranë tryezës apo në karriget
pas murit.
E vetmja mbledheje, që mund ta gëlltit është rreth një
tryeze të rrumbullakët dhe pa rrjesht të dytë me karrige pas. Pak a shumë një
lloj takimi i kalorësve të tryezës së Mbretit Artur. Por që të bëhesh “kalorës”
duhet një stazh i gjatë në qindra e qindra mbledhje me presidium dhe pa
presidium. Në se ke frikë nga mbledhje të tilla , atëhere është afërmendsh, që
nuk përfundon dot në ato, të cilat nuk të trembin.
Po le t’i kthehemi me mendje llojeve të mbledhjeve ku nuk
kam dashur të shkoj, atyre ku kam dashur dhe nuk më ka ftuar njeri dhe atyre ku
nuk më kanë ftuar edhe pse nuk kam dashur. Po I kthehem vetëm kohës të ashtuquajtur
normale, që filloi pas vitit 1991, për të mos u marrë me kohën anormale të
Diktaturës, që si e tillë s’kishte se si të kishte edhe mbledhje normale.
Atë vit filluan mbledhjet e para me karakter politik, në të
cilat nuk të detyronte njeri të shkoje. E vetmja mbledhje politike me presidium
e vitit 1991, në të cilën mora pjesë, ishte ajo e 22 shkurtit, ku do flisnin përfaqësues
të PD-së rreth programit të tyre. Isha kureshtar të dëgjoja të ardhurit nga
Tirana, se vendasit i njihja dhe nuk shpresoja se do më theshin ndonjë gjë, nga
e cila mund të kuptoja vlerën e forcës së re politike. Për fat të keq, me përjashtim
të disa pjesëve të fjalës së Genc Rulit gjithshka ishte si në mbledhjet, që më
kishin shtënë frikën, prej fjalës së atyre në presidium e derinë ndërprerjet e
fjalës së tyre nga thirrjet “Rroftë Partia Demokratike”. Atë ditë nuk mendova
shumë rreth mbledhjefobisë sepse përpara
ishte shpresa e ndryshimeve dhe bukuria, që sjell shpresa e përzjerë me të
panjohurën.
(vijon)
No comments:
Post a Comment