Kreu i nëntë,
ku tregohet
që Naim Hana s’ka leje
ndërtimi
Doli
nga salla e Bibliotekës pa firmosur, duke i shpëtuar vështrimit të Aferim
Dollibash, i cili po shkrihej në një bisedë shumë të përzëmërt, me gruan me
syze, që kishte spjeguar qëndrimin e Fikos rreth kishës. Në sheshin para
Bibliotekës vinin katër rrugë. Njëra të shpinte në Bashki, e dyta në hotelin e
Verorit, e treta në pallatin ku kishte jetuar dhe e katërta në bilardon e
ndërtuesve. Nuk dinte kë rrugë të merte. Në Bashki nuk mund të takonte dot
Fikon, që ishte nisur për në Turqi, në bilardon e ndërtuesve nuk kishte ç'të
bënte veç të dëgjonte rromuzet për kontratën me "Jashukonstrakshën
shpk" ndaj mori rrugën drejt apartamentit. Të bënte ç'mund të bënte vetë
deri sa të vinin dollarët, që kishte nisur Artemisi me "Western
Union". Pastaj çdo gjë do ishte më
e lehtë. Nuk duhej të dorëzohej. Dhe kishte të drejtë të mos e bënte këtë, se
nga larg pa figurën rrumbullake dhe optimiste të Berti Dajkos. "Jam me
fat, që nuk firmosa kundër Kishës. Kanë edhe të krishterët Perëndinë e tyre, Atë,
që po më dërgon në këtë moment të vështirë Dajkon". Berti Dajkoja ishte
kushëriri i parë i Artemisit dhe i vetmi mes atyre, që mund të futen në
kategorinë e të sinqerto-naivëve, e që mund ta ndihmonte. Nga Kokorridhët
kishin mbetur vetëm pleqtë, se të rinjtë ishin ikanakë dhe më i afërti nga
Hanat mbetej Vasfiu i Klocës, tashmë me depresion dhe pa aftësi ndihmuese.
-
Të shikoj në mes të Bredhishtës dhëndrin tonë e unë mos di asgjë kjo s'durohet!
Kur ke erdhur o kopuk?
-
Tre ditë kam vetëm Berto.- tha Naimi dhe u përqafua me shumë dashuri me
kushëririn e Artemisit edhe nga malli, që kishte filluar të ndjente për të
shoqen.
-
Pse pak janë tre ditë? S'je në Nju Jork këtu de! E humbe respektin për sojin
tonë ti?
-
C'e ke atë fjalë Berto! Unë ty të kam si në vend të vjehrrit, po kam rendur
lart e poshtë se më është shkatërruar apartamenti.
-
Kush e ka shkatërruar? T'ja shkulim dhëmbët!
-
Lere se nuk ja shkulim dot po hajde të më ndihmosh e të fillojmë nga pastrimet-
dhe i futi dorën nën krah Bertit dhe e
ktheu nga rruga. Kushëriri i Artemisit vazhdonte të ngulte këmbë se jo vetëm
dhëmbët po dhe dhëmballët do ja shkulte shkaktarit, po qe se nuk i kishte të
rëna. Dhe pasi t'ja kishin shkulur me gjyq edhe me ndihmën e avokatit Rako
Pilafi do ta detyronin ta kthente në gjendjen e mëparshme, bile t'i shtonte
edhe një oxhak fallco. Naim Hana i çuditur, këmbëngulte që pas "shkuljes
së dhëmbëve" nuk kishte ç'i duhej oxhaku fallco, po bashkëfolësi i bëri të
qartë. që nuk ka më shtëpi pa oxhak në Bredhishtë dhe nëse donte të mbahej si
"soj oxhaku", siç kishte mburrur kur i rrembeu zemrën Artemisit,
atëhere i duhej pa tjetër oxhak fallco.
Arritën
në katin e tij dhe bënë ndoqën rrugën dhome ndenie-ballkon-kapërcim
muri ndarës-ballkon-dhe dhomë ndenie me dysheme të tejbufatur duke përshëndetur
me kokë dhe duke I kërkuar të falur për shqetësimin Refijes, e cila përkundrazi,
dukej e gëzuar, që do kishte me kë të fliste në një nga mëngjeset e saj
monotone.
-
Berto të fillojmë me prishjen e suvave apo me dyshemetë?
-
Me suvatë. Bëjmë një rrugë e tre punë. Suvatë bien mbi dysheme, heqim dërrasat
bashkë me suvatë dhe i hedhim të tëra nga ballkoni.
-
Nuk thotë gjë njeri.
-
Kush të thotë o? Ne sa t'i hedhim do i rrëmbejnë dërrasat e do lenë suvatë.
-
Mos ankohen këta të pallatit?
-
Po ç'pallat o i shastisur! Ata poshtë rrezik t'i rrëmbejnë të parët e t'i kenë
për zjarr.
-Mirë
Berto, ti e di- u bind Naimi dhe filloi të rrëzonte suvatë e mbetura në mure.
-Dëgjo
këtu Naim, ikë e bli në "Gogoallat" dy vare nga ato me një bigë prapa
për të shkulur peronat.
-
"Gogoallat"? Ku është ky dyqan? S'ka patur më parë
"Gogoallat"...
-
Po ja o derdimen, se dy më dyqane më poshtë se "Guguburger" është. Ku
ka qënë qëmoti gjelltore "Plava e Gucia" e di?
- E di.
- Atje është
"Guguburger" tani. E ka blerë komshiu, që ke lart dhe e ka bërë nga
këto, që ha shpejt e shpejt e grris bythën pastaj...Edhe dyqanin e veglave
Gogoja e ka. Burrë i mirë shumë. Je me fat që e ke komshi.
-Me fat jam Berto, veç
se ç'lloj fati kam s'e di.
-E po si s'je me fat. E
me shumë bile. Kushërirën time ke marë, llotaria e Amerikës të ra, ja dhe këtu
ke komshi më të pasurin e tërë rajonit, ç'do ti më shumë hë?!
- Po të isha aq fatlum
tani do isha kodrave të Bredhishtës e nuk do rrija këtu me ty të prishja
suvatë.
-C’do bëje kodrave ti
o? Njeriu e ka vendin në shtëpi dhe shtëpia do njeriun ta mbajë Naim! Po ikë
tani mer ato varetë edhe një kacavidhë ta kemi për prizat e çelsat.
Mjeku Hana u bind, siç
kishte bërë shpesh gjatë atyre ditëve të vizitës në Bredhishtën e tij të
dashur. Berti Dajkoja ishte më i madh dhe gjithnjë kishte përdorur ndaj tij një
ton autoritar, meqë i kishte dhënë të kushërirën për nuse.
Në shitoren e
materialeve dhe veglave të ndërtimit "Gogoallat" gjeje ç'të të
kërkonin kallot e duarve. Kishte vegla të cilësisë së parë të prodhuara në
Gjermani dhe vegla me një përdorim të prodhuara në Kinë dhe Bangladesh. Ndonëse
çmimet ju dukën të kripura, bleu nga firma të dëgjuara, për mos pritur hokat e
kushëririt të Artemisit.
Nxitoi duke ngjitur
shkallët dhe një befasi e bukur e priste. Bertoja kishte hapur derën hyrëse të
apartamentit, ose më mirë e kishte hedhur përdhe nga brenda në një mënyrë, që
vetëm ai mund ta bënte duke qënë edhe vetë brenda dhe pa e zënë dera poshtë. Dëgjohej
edhe , që dialogonte me veten.
-Me kë llafosesh ti
o?!
Por për çudinë Naimit, përgjigja nuk erdhi me tingujt e ngrohtë të zërit
babaxhan të Dajkos, por në ca tinguj të lartë dhe autoritarë:
-Shiko zotëri se unë
t’marr e t’pëlcas brënda!
-Avash o avash ti se
mos e dish se ke të bësh me ndonjë si dokudo! Jam Berti Dajkoja dhe i kam miq të
tërë të bashkisë nga Fikoja e deri në Genc Gollashi.
-Zotëri nëse nuk je
pronari i këtij objekti atëhere mbi ty…
Naimi kishte hyr në
korridor i tronditur nga zëri autoritar, që nuk ishte i Dajkojs dhe i penguar
nga pjerrësia e ndryshueshme e dërrasave të bufatar dhe gati u përplas me dy
njerëz me një dosje, që rrinin përballë burrit të kushërirës.
-Jam unë pronari- mundti të thërriste.
-Kush jeni ju?- foli ai pa dosje, që
kishte të njëjtin zë,që Naimi kishte dëgjuar shkallëve.
-Naim Hana, bashkëpronar i
apartamentit sëbashku me gruan time Artemis Hana, që është në Amerikë.- tha me
një frymë.
-Keni dëshmi, që vërteton pronësinë
mbi objektin?
-Duhet të jetë këtu, diku…po si e
shikoni çdo gjë është shkatërruar.
-Ne do ju lemë kohën e duhur të
gjeni Dëshminë e Rregjistrimit të pasurisë për objektin në fjalë. Shëno në proces-verbal,
që dy personave të gjetur në objekt e të identifikuar si Berti Dajko dhe Naim
Hana, ky i fundit pretendon se është bashkëpronar, ju la koha e duhur për të
gjetur dokumentat, që vërtetonin pronësinë- ju drejtua shokut me dosje.
-Po gjendet këtu o?- u hodh Dajkoja.
-Po në këtë shkatërrim mund të duhen
ditë dhe mos e gjej dot dëshminë!
-Pse e kini shkatërruar zotëri? Keni
leje për prishje?
-Nuk e kam shkatërruar unë.
-Po po…- vazhdoi me ironi ai pa
dosje- edhe këto varetë, t’i kanë vënë në dorë të tjerët.
Mjeku u skuq, por e
mblodhi veten edhe nga vështrimi qortues i Berti Dajkos.
-Po ju të dy ç’doni këtu?
-Ne jemi inspektorë të Policisë së
Ndërtimit- u përgjigj serbes ai me dosje.-Kini leje ndërtimi ose prishjeje zotëri?
-Jo. Po pse më duhet leja e
ndërtimit për të rregulluar apartamentin tim?
-C’leje mo…-u hodh Dajkoja
-Ku jeton ti zotëri?!
-Në Karolinën e Veriut.
-E po këtu nuk jemi as në të Veriut
as në të Jugut dhe as në të Lindjes. Jemi në Bredhishtë dhe kemi ligje. Ndaj nëse
nuk ke Leje me firmë të Kryetarit të Bashkisë, zotit Fiko Fufulina, ndërpre
punimet dhe largohu menjëherë nga objekti!
-C’punime o? Ne pastrim po bëjmë!
-Ti zotëri jo vetëm , që nuk je
pronar, por nuk ke as liçencë ndërtimi, as pastrimi dhe as një lloj tjetër liçence
tjetër profesionale. Largojuni në këtë moment nga objekti- ngriti zërin ai me
dosje.
-Avash o avash ti! C’objekt është ky
o?
Naim Hana e pa, që situata
po përkeqësohej se inspektori pa dosje kishte nxjerrë nga xhepi celularin e po
formonte një numur, ndaj e zuri nga krahu kushëririn e Artemisit dhe i pëshpëriti
në vesh “Berto lemë të merrem vesh unë me këta. Dil njëherë andej nga
Guguburger.” dhe duke ju rënë shpatullave e shoqëroi deri tek dera e rrëzuar.
Berti Dajkoja vazhdoi rrugën duke mërmëritur e tundur kokën, ndërsa njëri nga
inspektorët shkruante në dosje dhe tjetri, që nuk kishte dosje, diçka theshte nën
zë në telefon. Mjeku priti sa mbaruan veprimet e tyre operative dhe ju drejtua
atij pa dosje.
-C’duhet të bëj për Lejen e ndërtimit?
-Atë do të ta sqarojnë në Bashki, në
Departamentin e Urbanistikës. Ne si Polici Ndërtimi ju urdhërojmë të ndërprisni
punimet dhe të lini objektin.
Naimi donte ta
pyeste, nëse duhej të dilte nga apartamenti i tij, që tashmë ishte ‘objekt”
para apo pas tyre dhe se ç’do bëhej me derën e rrëzuar, për të cilën kishte
menduar se do e kishte rrëzuar nga brenda Dajkoja, por që sipas gjasave duhet të
ishte rrëzuar nga jashtë nga dy inspektorët autoritarë të Policisë së Ndërtimit.
Vendosi të largohej i pari dhe të shkonte në Bashki për të marrë lejen e ndërtimit.
Zbriti shkallët me nxitim dhe para se të shkonte në bashki u kthye në
“Guguburger”, ku gjeti Berton duke ngrënë gjithë qejf dy guguburger. I spjegoi,
që të priste sa të iknin inspektorët dhe të rrinte në apartament sa të merte ai
lejen e ndërtimit në Bashki dhe gjysëm me vrap përshkoi njëmijë metrat, që
ndanin Bashkinë nga ish-gjelltorja “Plava e Gucia”. Shkallët i ngjiti rrëmbimthi
dhe hyri në hollin e bashkisë, që ishte modernizuar dhe shkëlqente. Përballë
ishin katër sportele me xham ku dukeshin tre kokë me flokë dhe një pa to. Në
sportelin e kokës pa flokë ishte shkruar:
LEJEHYRJE & INFORMACION
z. Bilo Beli
Naimi u drejtua me të
shpejtë drejt sportelit duke menduar nëse duhej t’i drejtohej me “zoti Bilo”
apo “zoti Beli”. Ndërkohë Biloja e kishte parë dhe i buzëqeshi gjithë mirësjellje.
-Zoti Bilo, më duhet të shkoj në
Departamentin e Urbanistikës.
-Përse doni të shkoni në urbanistika
zotëri?- pyeti gjithë buzëqeshje tjetri.
-Më duhet urgjentisht një Leje ndërtimi
për rinovimin e apartamentit.
-Për aplikimet për leje ndërtimi
duhet të vini ditën e martë.
-What?!- I shpëtoi mjekut dhe e
korrigjoi shpejt duke thënë- Si të martë? Sot është e enjte. Mua më duhet urgjent.
-Ka një procedurë të përcaktuar për
të gjithë departamentet dhe të firmosur nga Kryetari i Bashkisë, të cilën nuk
mund ta shkel dot- ngriti supet duke vazhduar të buzëqeshte nëpunësi Bilo.
-Unë po shkoj të bisedoj me zotërinjtë
e Urbanistikës. Ndoshta ata do bëjnë një përjshtim.
-Nuk ka përjashtim zotëri. Asnjë përjashtim.
Nëse do mundoheni të hyni me forcë do përballeni me ligjin.- vari buzët i sjellshmi
Bilo.
-Me ç’ligj do përballem?- thirri i indinjuar
mjeku- Cili është ky ligj, që më ndalon të hyj në Bashkinë e qytetit tim?
- Zotëri uleni zërin! Në këto çaste është
duke u mbajtur një mbledhje me shumë rëndësi me investitorët e huaj nën drejtimin e nënkryetarit
Genc Gollashi.
-Dua të takohem urgjentisht me Genc
Gollashin!- e humbi kontrollin Naimi- Edhe unë jam investitor i huaj…Nga
Karolina e Veriut.
-Po nuk ë lejojmë ne ty o zotëri- u
dëgjua një zë jo I lartë po I vendosur- Ne përse jemi këtu apo të hyjë derri e
dosa me brekë e pa brekë?! Dhe dy burra me uniformë, por pa kapele, me stema,
ku shkruhej “Policia Bashkiake” e mbërthyen nga krahët Naim Hanën dhe gjysëm me
pahir e shpunë në nnjë derë në fund të hollit ku shkruhej Drejtori I Kontrollit
të Territorit. Njëri prej tyre trokiti dhe pasi dëgjoi “hyrë“ e shtyri mjekun brenda
zyrës.
No comments:
Post a Comment