Po a ndërtohej në kohën e Diktaturës?
Sigurisht, që ndërtohej. U rritën shumë qytete, dhe u
krijuan edhe disa qyteza të reja. Fondet e investimeve dilnin nga ndihmat e BS
dhe të Kinës, si dhe nga bujqësia, qëë ishte sektori kryesor, që mbante
ekonominë e vendit.
Kishte tre mënyra për ndërtim.
E para quhej me aksion dhe punë vullnetare.
E dyta ishte nëpërmjet ndërmarjeve të ndërtimit.
E treta me punën e detyruar të të burgosurve.
Veprat më të mëdha, si hidrocentralet apo hekurudhat
realizoheshin me një kombinim të të trejave.
Aksionet dhe puna vullnetare(që nuk ishte aspk vullnetare)
ishin një mënyrë e mirë për të shfrytëzuar krahun e punës të të rinjve dhe për
t’i mbajtur në tufë e për t’i indoktrinuar më lehtë. Pjesa më e madhe e të
rinjve nuk donin të shkonin, sepse ju zihej edhe koha e pushimeve të shkollës,
por për një pjesë ishte edhe një lloj variacioni në një shoqëri të mbyllur, ku
plazhet ishin të pakta dhe mundësia për të udhëtuar jashtë ishte e pamudur.
Kishte aksione për rrugë, hekurudha, për tarracimin e bregdetit, për kanale
vaditëse e për çdo ide origjinale,, që lindte në kokat e Udhëheqësve dhe
lakejve të tyre. Aksione kombëtare, aksione locale, aksione me goditje të përqëndruar,
aksion për aksione. Shokët me integritet dhe pa integritet të partisë dhe Rinisë
vinin rrotull dhe merreshin me organizimin në shtabin e aksionit, në nënshtabet
e aksioneve, në shtabin koordinativ të shtabeve dhe prisnin lavdërimet, që
vinin nga vizitat e herë pas hershme të shokëve të Byrosë. Pas lavdërimeve në
gjokset e të rinjve, që ishin cfilitur më shumë në punë, ju vinin nga një
katrorkë plastike me një S, që tregonte se ishte “Sulmues”.
Po nuk kishte vetëm aksione dhe punë vullnetare me
“Sulmues”. Nga viti 1968, filluan punët vullnetare për “Mbrojtjen”. Në oborret
e shtëpive të qytetarëve filluan të ndërtoheshin vendstrehimet ajrore, për të
cilat atë kohë flitej se përballonin edhe Bombën Atomike. Edhe pse e dinin se
nuk kishte vend, që do na sulmonte apo më keq akoma të hidhte bomba atomike,
gjetën një tjetër mënyrë për të terrorizuar njerëzit dhe për të përforcuar idenë
se “ishim në gojën e ujkut”. Ne vërtet ishim jo vetëm në gojën e ujkut, por thellë
në stomahun e tij. Ujku ishte Diktatura me gjithë gjymtyrët e saj kryesore. Më
vonë filloi një supeprojekt i ndërtimit të bunkerëve në gjithë territorin
shqiptar, që me një dy ose disa pushkatarë brenda sejcilit, do bënin të
pamundur, që të dinim nga barku i Ujkut. Bunkerët u prodhuan në Ndërmarjet e Ndërtimit
dhe u vendosën nga ushtarët dhe kryesisht Brigadat e Punës, që kishin në përbërje
njerëz me “njolla” në biografi.
Ata , që kishin përfunduar burgjeve, përveç vuajtjeve nga
kushtet e mjerueshme ku mbaheshin të izoluar, punonin të detyruar për të gjitha
llojet e ndërtimeve dhe sidomos ato më të vështirat. Për ta do shkruaj në një
pjesë tjetër të këtij shkrimi për ju fëmijët tanë, që nuk kini jetuar në atë
kohë.
Në këtë mënyrë ndërtohej në Shqipërinë e Diktaturës, të cilën
vetë shokët që diktonin e quanin “kantier i madh ndërtimi”.
Zakonisht ndërtohet nën Diktaturë, sepse është në natyrën e
saj të shfrytëzojë punën e “skllevërve”. E megjithatë, përgjithësisht u ndërtua
më pak e më keq, se në vendet fqinjë, ku Diktaturat ishin ose më të buta, ose
patën një jetesë më të shkurtër.
Ndaj nuk ndjehemi krenarë, ne që patëm të bënim sadopak me
ndërtimin. Aq më pak duhet të mburren aparatçikët apo antarët e shtabeve të
aksioneve, për punën e tyre plot ‘integritet”, në shfrytëzimin dhe shpërdorimin
e krahëve të punës të të tjerëve .
(vijon)
No comments:
Post a Comment