Kreu i gjashtë,
ku tregohet
ku mblidhen ndërtuesit.
Gjumin e bëri të
trazuar dhe nuk dinte nëse duhej të shkonte të takonte Dëfrimen dhe Ridin, për
të parë se si ndjeheshin pas humbjes së Dafinës, skandalit në varreza me Hilmi
Kërrin dhe darkës mortore prej 333 varrimsash. E gjithë vizita në qytezën e
tij, kishte marë një rrjedhë krejt të papritur. Por ai duhej të përqëndrohej në
kryesorja, meremetimi i apartamentit apo më mirë rinovimin e tij, si i kishte
thënë gjatë ceremoniesë mortore një nga të pranishmit, pa lënë pas dore
përgatitjet për maratonën e Bostonit. Ndaj pas 6 kilometrave me ritëm mesatar,
në vend të drejtohej nga shtëpia e Ridit, mori drejt qendrës të Bredhishtës ku
ishte bilardoja e ndërtuesve. Në një qoshe pranë barit shqoi Lirim Soxhukun dhe
u nis gjithë gëzim drejt tij.
-Hajde ulu o doktori
babovitës-tha duke qeshur inxhinieri i vjetër, që i solli në mendje vitin pas
specializimit si gjinekolog.
-S'ke ndryshuar fare
inxhinier-i qeshi Naimi dhe pasi e përqafoi u ul pranë tij.
-Kur ardhe?
-Parmbrëmë. Thashë të
të kërkoja nga zyra, po më thanë se të gjej më lehtë këtu.
-Po këtu, me tërë të
zanatit do rri, ku të vete? Apo të los me domino në bashta me pensionistët?
-Ti ke përvojë dhe
forca për më shumë inxhinier.
Inxhinieri i vjetër vazhdoi të
thithte cigaren i menduar dhe t’i mbante sytë gjysëm mbyllur pa ju përgjigjur
doktor Hanës.
-Inxhinier, si e përballoje
drejtimin e punimeve të hidroçentralit të Gjançit, në kohën e diktaturës?-i tha
mjeku si për t'i dhënë zemër me kujtimet e ditëve të lavdishme.
-Eh mo bir, po kur njeriu është i ri
ka të tjera forca… Ato kohë, kthehesha në shtëpi njëherë në gjashtë muaj. Flija
pranë objektit, në shtëpine e një plake dhe tërë ditën meresha me organizim…
Raportoja direkt në Komitetin Central...Eh ç’kohë të vështira ishin- dhe hoqi
edhe njëherë nga gota e rakisë-…ku ta kishe mendjen më parë...Në Gjançi-vepër e
madhe e pesëvjeçarit, në Skënder Doja, që kishte një dashnore me të meta mendore,
apo në çupa e plakës, që i kishte sisët si pjepra dimërakë.
-Cili qe Skënder Doja?
-Një teknik me një sy, që e dërgoja
për të matur. Tani ka një firmë ndërtimi në Tiranë.
U krijuan disa çaste heshtje, kur
dëgjoheshin vetëm kërcitjet e bilave të bilardos dhe ndonjë thirrje si
"hyrë se të bëra moj qene!" apo "doja të dilja për lojë"
dhe pasi kruajti zërin, Naimi filloi të hynte në temë:
- Inxhinier...kam një problem të
madh me apartamentin. Eshtë prishur i tëri.
- Cilin apartament? Kush e prishi?
Po ta kenë prishur ata të policisë të Ndërtimit, unë nuk ngatërrohem.
-Jo, jo. Ska probleme të tilla.
Apartamenti ku rrija është prishur nga uji.
-Në kat të parë e ke? Nga përmbytjet
e vjeshtës u bë?
-Jo de jo. Ti e di ku kemi ndenjur.
Poshtë Hodo Hodollarit, që kishte ata djemtë zevzekë. I madhi luante mbrojtës i
djathtë me ekipin e parë.
-Kështu më thuaj. Kur kanë plasur
tubot e ujit?
-Nuk kanë plasur tubot e ujit...
-C'më thua nga uji de...e ke nga
ngrica. Ke papafingo?
-Jo, unë jam në kat të dytë- ishte
përgjigja e mjekut, që e bëri të heshte për disa çaste inxhinierin e vjetër, e
të dëgjohej më shkoqur "hyrë se të bëra moj qene!" e ndërtuesit
Xhafë. Inxhinier Soxhuku kthehu kokën nga ai, që i lutej "qenes" të
hynte dhe thirri:
-Xhafë, nga se mund të bien suvatë
në një apartament në kat të dytë, instalimet i ka në rregull dhe s'ka
papafingo? Xhafa i përqëndruar në loja, duke menduar nga t'i binte çokut që të
dilte edhe për lojë pyeti:
-Me dy e një kuzhinë apo me një?
-Me dy sikur e ke Naim?
-Me dy. Pa aneks- u përgjigj mjeku
pa kuptuar se ç'lidhje kishte numuri i dhomave me prishjet brenda.
-Dritaret duralumin apo druri?-pyeti
gjithë gëzim Xhafa, që tashmë kishte dalë për lojë.
-Nga të NëSHëNëSë- thirri Naimi, që
dukej se po humbte durimin. Një çast heshtje dhe pas kërcitjes së bilës në një
nga xhepat e mesit, Xhafa ju kthye Naimit dhe i mbështetur në stekën, që kishte
blerë në Greqi, i tha gjithë seriozitet.
-Duhet të ndrosh dritaret. Jugu këtu
sjell shumë lagështi dhe pa duralumin je i mbaruar.- dhe ju rikthye lojës.
Naimi donte t'i theshte që Jugu
kishte qënë në Bredhishte për më shumë se 100 vjet dhe suvatë e brendshme të
shtepive nuk binin, por rreth pa që të pranishmit miratonin duke tundur kokat
dhe i tha vehtes, ndroi edhe dritaret se tani janë vjetëruar.
-Kush bën dritare alumini këtu
inxhinier?
-Xhafa. Xhafë me sa do ja bësh
doktorit?
Ndërtuesi Xhaferr ndaloi një çast
dhe pa vëngër nga tavolina e Soxhuk-Hanës, se posa kishte humbur një bilë të
lehtë.
-Dy dhoma e një kuzhinë ka?...duhen
parë në vend se pallatet e NëSHëNësë kanë shumë shpatulla gonesëz...Zakonisht
hapin avaze dhe s'të del hesapi. Po për doktorin do bëj një sakrificë edhe
sikur të humbas nga timet.
-E shikon- i shkeli syrin Lirimi- e
bën për hatrin tim. I kam gjetur dy shkolla jashtë Bredhishtës.
-Mund t'i bësh të gjitha punimet e
brendshme zoti Xhaferr?- nxitoi të pyeste doktor Hana, pasi po shihte që Xhafa
mendohej shumë për të goditur bilën e rradhës.
-Një sekondë...punimet e
brendshme...ç'lloj punimesh janë?
-Po..kryesisht suva të reja, riparim
dyshemeje dhe lyerje.
-Po këto s'janë ndonjë gjë e
madhe...thashë se mos kishe mure të thatë e patinime, ndriçime lokale e parket
të alternuar, oxhak funksional me dru dushku apo komplet banjë moderne me saun
dhe vaskë hidromasazhi. Këto që the një javë pune janë.
-Jo jo vaskë hidromosazhi në asnjë
mënyrë. Më duket se ajo e Gogo Gurgullimës, m'i ka hapur avazet në apartament.
Në çast, gjithë stekat e bilardos ku
mblidheshin ndërtuesit e Bredhishtës u drejtuan nga tavani. U dëgjua edhe pak
një bilë, e cila kishte hyrë në një nga xhepat e mesit, si duket nga frika dhe
po rrëshqiste ullukëve të nëntavolinës deri sa arriti në destinacion. Xhafa po
e shihte me sy të çakarritur, ndërsa inxhinier Soxhuku zgjatëte buzët si peshk
dhe kthente fundin e gotës së rakisë, si për të thënë heshtur, që nuk kishte
dëgjuar gjë.
-Hë..hë..- u koll Xhafa- në pallati
ku ri...zoti Gurgullima...hë hë...nuk bëj dot punime... Eshtë shumë i vjetër si
pallat. - e tha me një frymë fjalinë e fundit ndërtuesi Xhafë dhe u përqëndrua
në loja, ndërsa kokët e të panishmëve tundeshin duke miratuar.
-Inxhinier, po ti, i bën dot? Nuk do
i bëj këtë rradhë duraluminet.- Naim Hana po e shihte me sy lutës inxhinierin e
vjetër, se po e ndjente që do ishte e vështirë të bëheshin punime, që mund të
shqetësonin Gurgullimën me gjithë vaskën e tij me hidromasazh.
- Doktor...dëgjo plakun...Kur ca
gjëra nuk i bëjnë dot më të rinjtë, këta që të marin gjak në vetull...ne të
kohës së monizmit, e kemi cazë më të zorshme...Eshtë më e vështirë se atëhere
kur mernim rërë strategjike nga Bashkimi Sovjetik. Më vjen keq po s'të ndihmoj
dot- ktheu dhe fundin e gotës Lirim Soxhuku dhe u ngrit të paguante. Naimi
hodhi sytë rreth e rrotull dhe pasi pa se të gjithë po i shmangeshin shikimeve
të tij të dëshpëruara, doli nga bilardoja ku mblidheshin ndërtuesit. Gurgullima
duhet të ishte vërtet personalitet shumë misterioz deri sa inxhinier Soxhuku e
kishte krahasuar me misionin sekret të marjes së rërës strategjike nga Bashkimi
Sovjetik. Nuk kishte bërë më shumë se njëqind metra, kur e arriti dikush duke
gulçuar:
-Doktor...doktor...jam Jashu- tha
midis frymëmarjeve djaloshi...-Jashar Jahja, ndërtues- dhe i zgjati dorën.
"Ky duhet të jetë nga ata që të mer gjak në vetull" mendoi doktor
Hana dhe sepse i shkoi mendja rreth procesit të marjes gjak në vetull, që nuk
duhet të ishte edhe shumë i vështirë. Fundja, edhe të gjithë boksierët në
vetull mundoheshin të godisnin, se të dilte gjak menjëherë. Priti Jashun të
vazhdonte dhe ky i fundit nën zë pëshpëriti:
-Nuk doja të të thoja në sy të
ndërtuesve të tjerë, se...kuptohet , si më i ri nuk ju dal dot përpara, po
punimet t'i bën firma time "Jashukonstrakshën shpk". Si thua doktor?
-Mund t'i filloni që sot?- pyeti i
gëzuar mjeku.
-Që sot jo, se duhet ta shikoj, të
bëj preventivin, të firmosim kontratën e nesër ose shumë shumë pasnesër
fillojmë. Shkojmë ta shikoj e të bëj matjet.
-Hajde pas meje- tha gjithë gëzim
mjeku Hana dhe gjithë rrugës deri në pallati i tij mendoi se sa me fat kishte
qënë që takoi presidentin e firmës "Jashukonstrakshën shpk". I
spjegoi, që nuk mund të hynin dot nga dera e apartamentit për shkak të
tejbufatjes së dyshemeve prej pishe dhe të dy përsëritën rrugën e njohur
korridor i Rimit- dhome ndenie – ballkon - ballkon i Naimit - dhomë ndenie me
dërrasa të bufatme dhe Jashu filloi menjëherë nga matjet. Veprimet i kishte të
prera. Pas cdo tre matjesh, diçka shënonte në bllokun e tij të madh, që e
siguruan Naimin për profesionalizmin e tij të lartë. Vetëm një çast, kur maste
murin ku ishte fotoja e gjyshit dalë në Misir, Jashu ndaloi dhe i hodhi një sy
mjekut për tu siguruar:
- Gjyshi? I ngjisni shumë doktor.
Kini provuar të lini mustaqe ndonjëherë?
Naimi ndjeu, që vërtet i ngjiste të
gjyshit edhe pse balli i plakut në Misir kishte qënë i gjerë dhe vetullat e
varura, po nga hunda e poshtë ishte e sigurt që i ngjiste shumë, bile duhet të
provonte të linte mustaqe të ngrira në majë me xhel edhe në Amerikë do ja pëlqenin dhe do ja
quanin, si punë "cool".
-...eh...tani...kupton apo
jo...mustaqe këtu nuk mund të lija edhe për shkak të profesionit.
Kupton...gratë shtatzëna...kompleksi i Edipit...një lloj frike nga ndonjë
qimerënie e mundshme gjatë lindjeve çezariane...
-Duhet të lini! Eshtë domosdoshmëri.
Tek ju unë shoh kurbetliun e suksesshëm e triumfator.
-...tani ...triumfator mbase është
pak e ekzagjeruar, se të kuptohemi, unë nuk jam integruar plotësisht në
sistemin mjekësor të Shteteve të Bashkuara...kuptohet, do kohën e saj përpjekja
për të nënshtruar Kolosin Amerikë...
-Nuk e shoh të largët doktor-
vazhdoi Jashu dhe kaloi në korridor të bënte matjet e tjera.
"Vërtet"-mendoi Naimi" s'ka përse mos jem i sukseshëm, kur
gjyshi, që nuk kishte shumë shkollë, bëri kërdinë me pambuk në Egjipt. Edhe po
mos arrij të futem në shkollë për mjek, mund të merem me tregëti me Shqipërinë.
Me një partner të besueshëm si Jashu, mund të bëj shumë. Sikur dërrasa bredhi
për dyshemetë të dërgoj nga Amerika vetëm dhe ka hesap. Gjysmën e bredhave këtu
e kanë prerë dhe njerëzit e duan bredhin për të ndërtuar. Prandaj janë edhe
bredhishtarë.
- Ku i blini materialet e ndërtimit
Jashu?
- Shumicën në "Gogoallat".
Firmë serioze me çmime konkuruese.
- Me sa e ka dërrasën e bredhit?
- Do çmimin e mashkull femrës,
kurrizpeshkut, të alternuarës viktoriane, për telajo apo për dyer dritare?-
pyeti gjithë seriozitet Jashu. Naimi u step nga larmia e dërrasave të bredhit
dhe ngadalë tha :
-...po mashkull-femra them...
- Mashkull-femër ka finlandeze tre
metroshe dhe 8 centimetra të gjërë, rumune dy metroshe me gjërësi 10, po pak më
të trashë, ruse 6 centimetra me 1 e gjysëm të trashë dhe me gjatësi variabël.
Ka edhe të vendit, po ajo ka probleme të stazhionimit.
Lumi i metrave,
centimetrave dhe vendeve europiane, të cilat Naimi shpesh i ngatërronte, se nuk
kishte qënë i fortë në gjeografi, e mbyti, ndaj mjeku Hana bëri shenjë ta linin
atë muhabet e të vazhdonin me matjet. Pas pak edhe Jashu e mbylli bllokun dhe e
pyeti:
- Në sa variante e do preventivin?
- Në sa e bëni zakonisht?
- Për shtetëroret në tre, kurse për
privatët në dy. Në rast emergjencash bëjmë fillestarin dhe pastaj shtojmë me
ato që dalin gjatë punimeve.
- Po...ky rasti i im si në
emergjencat duhet futur apo jo?-pyeti i pasigurt mjeku Hana.
- Normal. Duket që është një
emergjencë e gjallë. Kur e ke biletën e kthimit?
- Për tre javë.
- Normal. Mund ta shtysh?
- Jo s'e humbas punën. Pse?
- Në rast se na dilte ndonjë situatë
e paparashikueshme. Po me këto që shikoj unë, i mbarojmë për 10 ditë dhe kemi
edhe një javë tjetër për të paparashikuarat.
- Jashu, ti vërtet je nga të rinjtë
që të marin gjak në vetull! Më thuaj sa bëjnë të gjitha dhe le të fillojmë
punimet një orë e më parë.
- Je i sigurt doktor? Ndoshta do
ishte mirë të konsultoheshe edhe me gruan në Amerikë?
Naimi u mendua pak, por vazhdoi i
bindur:
- Shikojmë shumën totale, që do dalë
nga preventivi dhe vendosim.
- Normal. Ky më duket mendim shumë i
pjekur doktor. Shkojmë ulemi në "Guguburger" dhe për njëzet minuta ta
jap në dorë.
Në "Guguburger", i
mobiluar më shumë si "Arbys", brenda një çerek ore, Jashu i vuri
përpara preventivin dhe Naimi i gëzuar tha me vehte "këtij i thonë
fast-preventiv, tamam sipas parimit "të ndërtojmë shpejt , mirë dhe
lirë". Nuk ishte edhe aq lirë, se shifra përfundimtare ishte 9.500 Euro,
që përfshinte edhe një TVSH, të cilën mjeku e kuptoi si taksë për televizionin
shqiptar. E megjithatë duhej bërë. Me droje pyeti:
- Nuk mund të bëhet pak më lirë
Jashu? Euroja është shumë lart me dollarin dhe nuk e di në mund t'i mar dot të
gjitha brenda dy javëve.
- Doktor do punë me cilësi? Nuk mund
të bëhet më lirë nëse do që t'i rezistojnë kohës edhe fizikisht edhe
moralisht...Po ul 500 Euro po nuk mund të bëj më shumë në kurriz të cilësisë.
- Shumë faleminderit Jashu! Duhet të
paguaj paradhënie?
- Janë të gjitha të parashikuara në
Kontratën-tip. Ja tani po e mbush dhe lexoje me vëmendje para se ta firmosësh.
Paradhënia është vetëm në masën 20%.- dhe Jashu i "Jashukonstrakshën
shpk" filloi të mbushte kontratën-tip, ndërsa Naim Hana po bënte me mendje
llogaritjet 20% të 9000 eurove që me kursin 1.3 të dollar-euros, bënin
rrumbullak 2240 dollarë. I mbeteshin edhe 160 dollarë nga ato që kishte në
hotel, po i duhej t'i telefononte Artemisit, që t'i dërgonte nga fondi i
emergjencës për punimet emergjente, që do kryheshin sipas kontratës tip dhe
preventivit të vetëm, që bëhej në çdo rast emergjent. Në kontratë ishin
përcaktuar qartë data e fillimit dhe përfundimit të punimeve, këstet e pagesave
dhe mjekut i pëlqeu shumë që 20 përqindshi i fundit paguhej pas gjashtë muajsh.
Firmoi, shtrënguan duart me përzëmërsi me Jashun dhe e ftoi të shkonin në Grand
Hotel Voloreka, për t'i dhënë këstin e parë. Ndjehej i lumtur që pas refuzimit
të Soxhukut, kishte takuar një ndërtues kompetent si presidenti i
"Jashukonstrakshën". E kuptoi që ndërtimet në Bredhishtë nuk bëheshin
më si në kohën e NëShëNë-ve. Ato fillonin në një ditë të caktuar dhe mbylleshin
në një ditë të caktuar. Rikonstruksioni i apartamentit dy dhoma gjumi + dhomë
ndenie pa aneks, si e përcaktoi në kontratë do fillonte të nesërmen dhe do të
përfundonte dhjetë ditë më vonë. Vijonin firmat.
No comments:
Post a Comment