Një bisedë e pazakontë ndodhi dje mes meje dhe një të
panjohuri. Një roje i një pallati, ku më duhej të parkoja, më pyeti se nga
isha. Nuk pati ndonjë reagim të veçantë, kur dëgjoi, që isha nga Shqipëria, por
më pyeti në kisha dëgjuar për Skënderbeun. Ju përgjigja, sigurisht dhe e pyeta
se nga vinte ai. “Nga Beogradi”- më tha dhe vazhdoi të më pyeste në e dija se
Skënderbeu i kishte prindrit serbë. I thashë, që e dija për të jëmën, por i jati
ishte shqiptar. “Oh jo”- thirri i gëzuar” edhe i jati ishte sërb dhe është
varrosur në malin Athos në një manastir serb dhe po atje dhe i biri i tij Reposhi.”
Nuk doja të hyja në një diskutim pa krye, ndaj i thashë, që në Mesjetë Ballkani
ka qënë lëmsh dhe nuk ekzistonin as Kombet dhe as nocioni i kombeve. E pranoi,
se duket që ishte me njohuri të mira në histori edhe pse gjithë ngazëllim
donte, që Heroi jonë Kombëtar të ishte serb. U ndamë duke thënë, që gjithshka është
lëmsh edhe tani në Ballkan dhe njerëzit bëhen armiq me njëri tjetrin për hiçmosgjë.
Më vonë, i nxitur nga biseda me rojen-historian nga
Beogradi, u përpoqa të mësoja më shumë për Malin Athos, apo për “këmbën e tretë“
si e quajnë shqiptarët , që jetojnë në Selanik, atë pjesë të Kalkidhiqisë.
Duhet të pranoj , që dija shumë pak, për të mos hënë aspak rreth asaj pjese
misterioze dhe autonome të Greqisë, të cilët vetë grekët e quajnë Mali i Shenjtë.
Kishte një histori shumë të koklavitur dhe me qëndrime tepër
politike edhe në kohët e vështira të pushtimeve osamne apo edhe në pushtimin e
fundit nga ushtria hitleriane. Por mua më interesonte më tepër manastiri serb,
ku sipas beogradasit ishte varrosur jo vetëm Reposhi, por edhe Gjon Kastrioti.
Vërtet ekzistonte një manastir i tillë i quajtur Hilandar. Nuk kishte dëshmi,
se Gjoni, po ashtu si i biri i tij Reposhi të ishte varrosur atje, por jo vetëm
, që ka në të një kullë të quajtur Arbanaski Pirg (kulla shqiptare), por
dokumentet provojnë, se taksat e disa prej zotërimeve te Kastriotëve në territorin
e Maqedonisë së sotme, shkonin për ndërtimin dhe mbajtjen e manastirit në kohën
e Gjonit. Nuk është e pamundur, që varri i tij të jetë në Malin Athos, në
manastirin serb, gjë që nuk tregon aspak se Gjoni dhe për rrjedhojë bijtë e tij
kanë qënë sllavë. Gjithashtu në ato ç’ka lexova nuk gjeta dëshmi të forta, se në
ç’gjuhë janë dokumentet e Manastirit, serbisht apo greqisht apo në të dyja. Manastiri është
themeluar rreth 300 vjet pasi Cirili dhe Metodi patën krijuar alfabetin sllav.
Ndaj edhe nuk mund të krijohet një përshtypje e saktë, nëse Gjoni mbante letërkëmbime
në greqisht apo edhe në sllavisht, gjithmonë duke menduar se si i ardhur nga një
familje e pasur kishte marrë një lloj arsimimi.
Qëllimi i këtij shënimi nuk është të vërtetojë se ku prehet i
jati i Heroit tonë Kombëtar, por për të vënë në pah se sa “vrima” të lëna bosh
qëllimisht, ka në historinë e shqipërisë, që jepet sot në shkollat tona. Koha e
Rilindjes, ajo e forcimit të shtetit shqiptar, e Diktaturës, të gjitha kanë
kaluar ndaj tani është e domosdoshme shqiptarëve t’ju jepet në shkolla një
pasqyrim sa më pranë të vërtetës të periudhës së Mesjetës në vendin tonë dhe në
të gjithë Ballkanin.
Në të kundërt të gjithë do e kemi të vështirë t’ju përgjigjemi
pretendimeve, që Heroi jonë Kombëtar ishte serb, bullgar, grek apo maqedonas.
No comments:
Post a Comment