Friday, 12 December 2014

3016 km nen rrena (Kreu III)

Kreu i tretë,
ku tregohet loja e tenisit
e Fiko Fufulinës

           

            Pasi kishte plotësuar 4 kilometra, Naimi mendoi se ishte koha të trokiste në derën e Adhurimit dhe të pyeste, si kishte ndodhur ajo mënxyrë. Ishte ora 5 e mëngjesit, por nuk mund të priste më dhe vrapimi në unazën e shtruar me çakëll e kishte lodhur. Derën ja hapi e shoqja dhe ai gjithë droje hyri në dhomën e ndenies, ku flinte vjehrra e Adhurimit. Pas pak, fqinji i përgjumur u bashkua me ta dhe Naimi i tregoi për ngjarjen e mesnatës, ndërsa Adhurimi fërkonte sytë.
            -Cudi- ngriti supet ai- vertet po më çudit...si ka mundësi? Pranimja s'ka as tre muaj që ka hyrë dhe i bëri një pastrim gjeneral apartamentit...pëhhhhh...
            -E po si të të them Rimi- u gjegj i vënë në siklet mjeku- hyjmë nga ballkoni ta shohim se dera s'hapet. Sa kohë ka Gurgullima, që bën hidromasazh?
            -Hidromasazh?- ngriti supet Rimi- ç'ne hidromasazh? Kush tha që bën hidromasazh? Ndoshta e ka thënë me të qeshur mbrëmë, se i shkon me mbiemrin Gurgullima-hidromasazh...e shikon si lidhet...hidromasazh, gurgullima- buzëqeshi i lehtësuar.
            - Po nuk dëgjohej zhurrma mbrëmë? Vaska buçiste.
            -Jo. Ku kishte zhurrmë mbrëmë?...as parmbrëmë...as mëparmbrëmë...jo zhurrmë...
            -Mirë Rimi, e shikojmë njëherë nga ballkoni.
            -E shikojmë...si se shikojmë- përsëriti i gatshëm fqinji dhe të dy hynë në ballkon e pasi kapërxyen murin e ulët ndarës i ngulën sytë pas xhamit të derës së dhomës së ndenies të Naimit. Batërdia e shkaktuar nga ujrat, kishte ndodhur edhe aty. Suva të rëna, dysheme të harkuara dhe njomje, njomje të qilimit, njomje dhe shtrembërim të divaneve dhe "faqes së murit", që Artemisi kishte sjellë në pajë. Vetëm një fotografi e të gjyshit të Naimit, dalë në Misir, kishte mbetur e patundur në mur. "Kishte mall të mirë qëmoti"- ju drejtua me mendje të gjyshit me mustaqe të përdredhura e vështrim krenar Naimi. Pastaj i tha Adhurimit:
            -Të thyejmë xhamin e të hyjmë Rimi?
            -...pëh...është pa gdhirë akoma...mos na vijnë ata të ndërhyrjes së shpejtë që në sabah dhe kush sqarohet me ta...disa flasin një dialekt të paparë...
            -Si të paparë?
            -Kështu i thonë në kryeqytet tani, kur një gjë është mbi shkallën sipërore absolute.
            -Okej- tha Naimi, ndonëse nuk kishte kuptuar gjë dhe u hodh në ballkonin e Rimit, ndërsa fqinji duke e ndjekur pas i tha:
            -Ti shiko të marësh ndonjë firmë ndërtimi të ta bëjë kupkë!
            - Atë do bëj- pohoi mjeku dhe pasi përshëndeti me kokë Refijen që ishte ngritur dhe po rrinte çuçu në shtrat, doli nga apartamenti i fqinjit dhe u derdh me vrap për të shkuar në hotel. Duhet të ndryshonte të gjitha planet e trejavorit në qytetin e lindjes. Por, të paktën tashmë dinte nga ta fillonte.
-Po ku je o Naim Hana, se të kam kërkuar në Karolinën e Jugut dhe të gjej në Bredhishtë!- u dëgjua ndërsa ishte ulur xhami i errët i një makine japoneze nga ato që në Amerikë i quajnë SUV ose në shqip Makinë me Veçori Sportive dhe u duk fytyra simpatike e Refik Fufulinës.
- Këtu më ke o kryetar!- thirri i gëzuar Naim Hana- Erdha të çmallem me tërë miqtë.
-Hajde, hajde brenda të shikosh se kë kam- tha i qeshur kryetari i bashkisë së Bredhishtës, duke hapur derën e pasme të makinës. Naim Hana zgjati kokën dhe dalloi flokët e verdha të Elian Ziles, tregëtarit të dëgjuar të bimëve mjekësore. U përqafuan me medicinalistin(kështu i pëlqente ta thërrisnin tregëtari Zilja), sa i lejonin ndenjëset e larta prej lëkure të makinës së kryetarit. E kishte njohur, kur Eliani ishte ndihmësfarmacist në spitalin e Bredhishtës. Tani kishte vite që merej me tregëtimin e salepit, ligavecëve, shalkave të bretkosave dhe mbase edhe me ndopak kanabis, si thoshin ziliqarët e Bredhishtës.
- Jam në Karolinën e Veriut, po nuk prish punë se nuk janë larg-tha Naimi ndërsa kryetari po drejtonte makinën jashtë qytezës. -Ku po shkoni, se s'dua të largohem për shumë kohë?
- Cdo mëngjes, në këtë orë bëjmë një ndeshje tenisi me Zilen. E kam shqepur, le të thotë.
Zilja tundte kokën duke buzëqeshur dhe nuk kuptohej, nëse ishte i gëzuar që shqepej nga Kryetari, apo thjesht nga që ishte në një makinë me të.
- Kemi bërë një fushë model në gjimnazi me fondet e Tenistëve pa Kufij dhe e përdorim vetëm dora jonë....le që kush do lozë tenis në Bredhishtë...Po ty si të kam? Si e kam zonjën Artemis?...akoma ashtu e bukur me atë gjoksin e gufuar?- vazhdoi Fiko Fufulina dhe u gajsa së qeshuri me hokën e tij. Zilja qeshte dhe shikonte nga kryetari, kurse Naim Hana u skuq i gjithi.
- Po jemi shokë o burr i dheut!- u hodh menjëherë Fikua, që ndjeu se Hanës nuk i kishte shijuar kripa e shakasë...- Artemisin e kam patur si motër, në një gjimnaz.
 Naim Hana donte t'i thoshte që Bredhishta vetëm një gjimnaz kishte, por nuk foli, që mos dëgjonte edhe njëherë "po jemi shokë o burr' i dheut!".
Kishin arritur pranë rrethimit të fushës së tenisit dhe kryetar Fufulina duke zbritur, u dëgjua te fliste në telefon me zë të lartë:
-Hajde se kam në surprizë të bukur...jo jo...nuk është tavë kormine...nga ato kemi sa të duash...do e shohësh kur të vish në fusha...jo jo nuk është lojtar po do e bëjmë... për dy javë do jetë gati për katërshe...- dhe e mbylli celularin për ta futur në xhepin e pantallonave të bardha. Dukeshin të dy me Zilen, sikur kishin zbritur të luanin në turneun e famshëm të Uimbëlldonit. Edhe fusha, ndonëse jo me bar, ishte e niveluar dhe vizuar bukur. Në njërin fund, priste nje djalkë 6-7 vjeç, të cilit të dy lojtarët ju drejtuan gjithë dashuri duke i hequr nga një shuplakë përkëdhelëse bythkave dhe duke e thirrur Aleksandri i Madh. I Madhi ju përgjigjej me fërshëllima të gjata bilbili të varur në qafë.
Filluan të luanin pasi këmbyen dy tre topa për "nxemje" dhe pas çdo pike dëgjohej bilbili i Aleksandrit, që dukej se zyrtarizonte fundin e pikës apo lojëzës. Të dy vraponin vetë t'i mernin topat e tenisit, dhe Naimi kuptoi, që Aleksandri i Madh kishte thjesht rolin e fërshëllyesit. Fikua vraponte në çdo cep të fushës dhe herë herë nxirrte nga një "hu" të fortë, gjë që e bënte ndeshjen akoma më cilësore e të ngjashme me ato të turneve të profesionistëve në fusha me bar apo pa bar.
- E shikon ç'po i punoj?- thërriste i gëzuar pas ndonjë gjuajtje në qoshe, ndonëse për mjekun Hana, po bëhej e qartë se Zilja luante më mirë. Ai lëvizte pak dhe i drejtonte topat në këndet e fushës, sipas vedndodhjes të Fufulinës.
- Më duket se nuk e ke të lehtë me medicinalistin kryetar- i tha duke buzëqeshur, pasi Fikua kishte filluar të dërsinte pak.
-...pyete pyete, si jemi për këtë muaj...le ta thotë vetë...- u hodh Fikua dhe pasi pa që Eliani vazhdonte të buzëqeshte në mënyrë misterioze, vazhdoi -...nuk e kemi as të mjekësoreve tani se ka dy vjet, që është bërë ndërtues...dhe vrapoi të ndiqte një top që përfundoi në këmbët e Aleksandrit të Madh. Ky i fundit, nuk kishte harruar të lëshonte fërshëllimën e zgjatur. Ndërkohë, pas rrethimit, u duk mbi biçikletë mjeku Ferid Hoti, që u habit, kur pa ndanë fushës së tenisit mikun e tij Hana.
- Nuk të binte ndërmend, hë qerrata?-u hodh Fikua, që sa kishte bërë një pikë duke pritur, një gjuajtje të lehtë të Ziles.
-Jo kryetar, një surprizë e papame!-dhe pasi ju hodh në qafë Naimit, i pëshpëriti-Fikua vdes për ca shprehje nga të kryeqytetit.
Fufulina u krekos, por i shpëtoi një top i lehtë dhe shau nëpër dhëmbë. Feridi u ul me Hanën dhe filluan të bisedonin, po Refiku nuk i la gjatë:
-Këtu de këtu shiko Fero, se nuk të thirra të bësh llogje po të mësosh ca nga lëvizjet e Nadalit.
"Luajnë tre herë në javë dhe ndonjëherë, më thërresin edhe mua"- i pëshpëriti doktor Bregu doktor Hanës-"Zilja e le të fitojë shumicën e ndeshjeve.
"E shoh"- i tha nënzë Naimi-"duket që kanë diferencë. Po pse e le, apo nga që është kryetar?"
"Ka hallin e lejeve të ndërtimit. Sivjet po ndërton më shumë nga të gjithë."
Tinzari Zile, sikur të kishte kuptuar se ç'pëshpëshnin dy mjekët, kishte filluar ta hidhte kryetarin lavrak, sa në një qoshe në tjetrën. Fikua gulçonte e po humbiste toruan dhe setin. Megjithatë, dukej që këmbët i mbanin akoma, ndoshta nga përvoja shumëvjeçare si valltar popullor. Në të ritë e tij, kishte shkuar deri në Festivalin Kombëtar si valleheqës i valles më të famshme të zonës. Asaj të Osman Takës. Naimi ende kujtonte përdredhjet e hirshme të Fikos dhe skuqjen deri në rrëzë të veshëve të vallembajtësit, i cili me një dorë duhet të përballonte lëvizjet nga më kundërëndësoret, që kryetari i ardhshëm i Bredhishtës, i bënte nën tingujt e curles dyjare. Vajzat që i shihnin, losnin mendsh për Fikon, dhe ai më vonë do i dedikonte elektoratit femëror, fitoren e dytë në zgjedhjet vendore.
Edhe një fërshëllimë tjetër e Aleksandrit të madh dhe setin e parë e kishte fituar tashmë biznesmeni Zile. Gjatë ndrrimit të fushave, Refiku duke marrë frymë me vështirësi, tha diçka për ardhjen e Naimit, diellin që i binte në sy dhe këpucën e djathtë që i shtrëngonte. U betua për një fitore dërmonjëse në dy setet në vijim. Por dukej që Zilja ishte prekur rëndë në sedrën e ndihmës farmacistit nga dy mjekët, që ndiqnin me mosbesim ndeshjen dhe përbetimet e Fikos, ndaj vazhdonte të përdorte me shkathësi raketën e tenisit dhe t'i shpinte topat atje ku donte. Edhe fërshëllimat e Aleksandrit të madh dëgjoheshin më të shpeshta e të zgjatura në fushën ku mbretëronin vetëm zhurrmat e goditjes së topit me raketë dhe fishkëllimat mbi asfalt të këpucëve të sportit NIKE të Fikos, i cili nuk epej. Edhe një vërshëllimë e zgjatur bilbili dhe u dëgjua njëra nga  Niket, që u përplas në bythkën e pambrojtur të Aleksandrit të Madh. Në kohën që i Madhi ngrihej zgupthi në ajër e bilbili i kishte ikur nga goja e valëvitej i lirë, Fikos i kishin shpëtuar fjalët:
-E se na çave bythën me atë bilbil! Të dy mjekët u ngritën menjëherë të tmerruar e vrapuan t'i ndihnin të voglit, që po binte ngadalë poshtë, në sajë të forcës së rëndesës, e cila kishte mposhtur tashmë forcën e këmbës muskuloze të Fikos, por pa arritur në vendin ku Aleksandi pritej të binte, Fikua kishte reaguar me shkathësinë që zotëronte dhe e kishte pritur në duart e tij. I përkëdheli kokën Aleksandrit të befasuar nga goditja e tenistit, i fut edhe bilbilin në gojë dhe e rivuri në pozicionin fillestar. Asgjë nuk kishte ndodhur. Gjithshka si pak çaste më parë.
E si të mos votonin Bredhishtarët për këtë kryetar!


No comments:

Post a Comment