Monday, 15 December 2014

3016 km nen rrena (kreu XI)

Kreu i njëmbëdhjetë,
prokuror Kaçi,
polici Dine
dhe Rako Pilafi


           
            Njëri nga katër përfaqësuesit e forcave në mbrojtje të ligjit, që e kishin mbajtur Naimin peshë mbi kokat e tyre,nga zyra e Dardan Kodrës e deri në makinën e policisë poshtë shkallëve të Bashkisë, ishte pikërisht polici Dine, që i kishte kujtuar atdheun Naimit të përmallur atë natë, që kaloi kufirin. Polici Dine e kontrolloi në trup sipas rregullave duke qënë tepër i kujdesshëm në pjesët delikate të trupit të mjekut dhe i nxorri nga xhepat ajfonin, një kacavidhë bashkë me fletëpagesën e “Guguallat’, disa monedha dhe çelsin e dhomës 202 të Hotel Volorekës. Të gjitha i shkroi ngadalë e bukur në një fletë dhe pasi e firmoi vetë, të njëjtën gjë i kërkoi të posarrestuarit. Më vonë e shpuri në një dhomë me një tavolinë dhe disa karrige dhe i tha të priste deri sa të vinte prokurori.
            Naim Hana vendosi kokën midis duarve, posa mbeti vetë dhe filloi të mallkonte veten,se pse kishte erdhur vetë në Bredhishtë, vetë dhe natën, natën dhe pa lajmëruar, pa lajmëruar e pa u informuar më parë për situatën, pa u informuar më parë situatën e pa marrë masat e nevojshme, pa marrë masat e nevojshme dhe duke humbur qetësinë, duke humbur qetësinë dhe pa kërkuar këshilla, pa kërkuar këshilla dhe me një kaçavidë yll në xhep. Tani ishte i arrestuar në një dhomë të policisë e duhet të priste prokurorin, e pasi prokurori të vinte do i komunikonte akuzën, dhe pas akuzës do e shpinin në gjyq, dhe pasi ta shpinin në gjyq do e dënonin dhe pasi ta dënonin do kryente dënimin. Kur të kryente dënimin do humbiste punën në shtëpinë e të moshuarve dhe nuk do merrte pjesë në marathonën e Bostonit, në ceremoninë e përfundimit të shkollës fillore të djalit të vogël dhe në përzgjedhjen e kandidatëve për juri në një gjyq shumë të rëndësishëm të kontesë. Në mendje i shkoi vetëtimthi  që nga gjykues do kthehej në i gjykuar gjë që e tronditi por i riktheu në mendje parrullën e vjetër të kohës së gjimnazit kur dikush që nuk i kujtohej mirë kthehej nga i akuzuar në akuzonjës ndaj vendosi të linte mënjanë mallkimet dhe të rivlerësonte gjendjen në të cilën ndodhej. Ishte në polici por akuza nuk i ishte dhënë akoma dhe pa u akuzuar nuk kishte se si të dënohej. Mund ta akuzonin , po edhe mund të mos e akuzonin. Se ai nuk kishte bërë asgjë, që ta akuzonin. Mundet që edhe ta harronin pa e akuzuar dhe pas disa orësh kur dikush të hapte derën e ta pyeste se ç’bënte atje dhe pasi ai të mblidhte supet, t’i thoshin që ai nuk kishte asnjë punë atje dhe duhej të dilte jashtë menjëherë dhe se në Policinë e Bredhishtës nuk mund të rrinte cilido për qejf dhe aq më keq “derri dhe dosa  me brekë apo brekë“ dhe ai të kërkonte ajfonin dhe çelsat e të linte monedhat e kaçavidën yll e të sulej me vrap në apartamentin e tij të shkatërruar ku e priste kushëriri i Artemisit.
            Dera u hap dhe një burrë i gjatë, i veshur me një kostum ngjyrë hiri dhe një çantë lëkure të verdhë hyri në dhomë i ndjekur nga polici Dine. Naimi u ngrit më këmbë ndërsa tjetri ju paraqit:
            -Jam prokurori Kaç Dade. Do hetoj çështjen në ngarkim tuaj zoti Hana.
Mjeku e kuptoi, që askush nuk e kishte harruar dhe tani po fillonte kalvari i tij megjithëse fytyra e rreshkur e prokurorit, të krijonte përshtypje e një njeriu të rrahur me vaj dhe uthull në betejat për drejtësi. Prokuror Kaçi i ngriti sytë nga letrat në dosje dhe fytyra e tij, prej njeriu të drejtë dhe të rrahur me vaj edhe uthull në betejat për drejtësi ja shtoi sigurinë të posaarrestuarit.
-Zoti Naim Hana, ka një kallzim…bile disa kallzime për ju nga disa individë se
sot  në datën 12 të muajit në vazhdim të vitit po në vazhdim, kini kërcënuar për shkak të detyrës nëpunësit Dardan Kodra e Bilo Beli, kini ofenduar nëpunësit në fjalë si dhe kini kundërshtuar forcërisht policët e rendit Dino Radënja dhe Nedo Rrënja. Për ju është hapur çështja penale me numur 167 dhe do pyeteni me hollësi rreth saj. Pranoni, që keni kërcënuar dhe ofenduar nëpunësit Dardan Kodra dhe Bilo Beli, sot paradite në zyrat e Bashkisë të qytetit?
            -Nuk është aspak e vërtetë zoti prokuror! Nuk kam kërcënuar dhe ofenduar njeri!
            -Ju të policisë kini shënuar në proces-verbal, që zotit Hana i është gjetur në xhep një armë e ftohtë? Kështu?- i ngriti sytë nga procesverbali prokuror Kaçi dhe ja hodhi policit Dine.
            - E vërtetë zoti prokuror. Një armë e ftohtë, shumë e ftohtë.
            - E ç'lloji ishte arma e ftohtë?
            - E llojit kacavidhë yll, zoti prokuror.
            -Zoti Hana e pranoni, që gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në trupin tuaj u gjend në xhepin e djathtë të pantallonave, arma e ftohtë e tipit kacavidhë yll?
            Naimi ngriti sytë i menduar dhe shqiptoi ngadalë:
            -Zoti prokuror, unë mar "të pestin" se jam qytetar amerikan.
            Prokuror Kaçi u befasua nga përgjigja e ngadaltë, por e sigurt dhe e koklavitur e të arrestuarit. E kuptonte që Naim Hana ishte shtetas amerikan, po nuk kuptonte ç'ishte "i pesti" dhe përse e merte pikërisht këtu i arrestuari. Pa nga Dineja, po polici dinak Dine i hodhi sytë gjetkë, si për të thënë, që "i pesti" nuk kishte të bënte me policinë e Bredhishtës. Mori të pyeste mjekun Hana se kush ishte "i pesti", por para se të fliste, i sapondaluri foli sërish ngadalë:
            -Dua të telefonoj tani ambasadën amerikane dhe të më jepet e drejta e avokatit. Nuk e hap gojën pa folur me avokatin tim.- tha prerë Naim Hana dhe u mbështet në shpinoren e karriges, pasi kishte kryqëzuar duart në gjoks.
            Prokuror Kaçi nuk dinte ç'të bënte tani që ngjarjet kishin marë një kthesë të paparashikuar në librin "Mbi proçedurën e ndalimit", që mbante mbi tavolinë, ndaj pasi u mendua jo më shumë se tre minuta, ngriti telefonin:
            - Alo...z.Pilafi, prokurori jam...po...duhet të vini sa më parë për një mbrojtje në tërësi...po po çështje shumë penale... një shtetas i huaj dhe nga Bredhishta njëkohësisht.. . po po shumë delikat...-dhe pasi uli telefonin ju drejtua të arrestuarit Hana- Për dy minuta vjen avokat Rako Pilafi dhe do keni mbrojtjen e duhur nga penalisti më i mirë dhe me përvojë i Bredhishtës. I njohur edhe në rastet me shtetas të huaj.
            Naimi u mundua të mbahej i qetë, sikur asgjë nuk i bënte më përshrtypje, por emri i Rako Pilafit ju duk shumë i njohur. "Eshtë ai që përfaqëson Vatikanin? Jo. S'ka përse të jetë penalist...Oh po është i shoqi i Mrikës që do ndërtojë kishën katolike me fondet e San Marinos!" Në mëpak se pesë minuta dera u hap dhe një burrë simpatik, I shëndoshë dhe  vetëm me një rrath gushe u shfaq.
            -Ciao. Io sono suo avocatto Rako Pilafi, penalista.
            -Naim Hana Doktor gjinekolog.
            -Oh dottore, jini shqiptaro-amerikan. Kam dëgjuar për ju. Shpejt do ju nxjerr nga ky telash. Nuk është problem për mua.- tha gjithë besim avokati dhe i rrahu krahët.
            -Hëm...avokat këtu jeni në zyrën time dhe nuk jini në takim kokë më kokë me klientin tuaj.
            - Mund të fillojmë nga procedurat zoti prokuror. Ende nuk më kini vënë përpara përse akuzohet klienti im Hana, që është njëkohësisht edhe qytetar i një shteti të madh e mik.
            - Naim Hana akuzohet për "Fyerje të personit publik për shkak të detyrës e parashikuar në nenin të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, "Kërcënim me jetë të personit publik për shkak të detyrës e parashikuar në ...."Rezistencë  me dhunë ndaj forcave të policisë e parashikuar....." "Armëmbajtje pa leje e parashikuar në nenin..... Pra si e shikoni zoti Pilafi, nuk më duket se klienti juaj do dalë shumë shpejt nga dara e drejtësisë, kupton apo jo.
            - Ky është një pozicion tepër i paekuilibruar zoti prokuror, që nuk i shërben aspak drejtësisë, për më tepër kur kemi të bëjmë me një shtetas të huaj, dhe ku duhet të aplikohet pa ekuivok , parimi anglo-sakson i prezumimit të pafajësisë. Kërkoj menjërë të përballem me faktet, mbi të cilat mbështesni këto akuza monstruoze. Ku janë?- pyeti avokat Rako Pilafi me një gjest që tregonte besimin e patundur se faktet mungonin.
            - Ja ku e kini raportin e policisë mbi të cilat kam mbështetur akuzat avokat. Si do e shihni edhe vetë cilësia e dëshmitarëve dhe provat faktike nuk lenë vend për kundërshtim. Do ishte mirë t'i sugjeronit klientit tuaj të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të kërkojë gjykim të shkurtuar, se është në interesin e tij dhe të marëdhënieve shqiptaro-amerikane.
            -Do e lexoj tani zoti prokuror- tha avokati duke marë dyfletëshin, ku ishte raporti i shkruar nga polici Dine. Ndërsa e lexonte, Rako Pilafi herë ngrinte vetullat, herë mblidhte buzët, herë i shkelte syrin me marifet Naimit dhe ndonjëherë rregullonte kokën e kravatës. Mjeku gëzohej kur avokati i shkelte syrin, por nuk arrinte të spjegonte tre shenjat e tjera. Do ishte më mirë të ishin takuar më parë kokë më kokë, për të përcaktuar shenjat. Ndërkohë avokati kishte përfunduar leximin dhe pasi krroi zërin nga papastërtitë e panevojshme filloi:
            -Ndonëse akuzat fillimisht duken që rëndojnë situatën e klientit të cilin përfaqësoj, mund të them se mungojnë provat e vërteta, provat e vërteta dhe të pakundërshtueshme mbi të cilat klienti im duhet të mbahet në gjendje ndalimi. Përveç armës së ftohtë të tipit kaçavidë yll, nuk ka asnjë provë apo dëshmi, që klienti im me paramendim të jetë nisur për të kërcënuar nëpunësit e Bashkisë. Edhe dëshmitarët e ngjarjes apo si cilësohet në raport ngjarjeve, janë pala e dëmtuar ose që ka bërë kallzimin. Në këto kushte unë kërkoj lirimin e menjëhershëm të klientit dhe rivlerësimin e provave dhe dëshmive.
            Prokurori Kaçi heshti një çast, hodhi sytë nga polici Dine dhe pasi Dineja mbylli fort të dy sytë foli me një ton, që nuk linte dyshime:
            -Unë e vlerësoj, që puna e policisë në kohën , që ka pasur në dispozicion ka qënë korrekte dhe e mjaftueshme për të mbështetur akuzat. Eshtë administruar arma e ftohtë, janë marrë dëshmitë e gjashtë të pranishmëve si dhe është bashkëngjitur edhe raporti mjekësor për hematomat e shkaktuara nga zoti Hana në dëm të policit Nedo Rrënja. Prandaj i akuzuari do rrijë i ndaluar deri sa gjykata të vlerësojë masën e arrestit.
            Pas këtyre fjalëve, prokuror Kaçi u ngrit dhe u largua nga dhoma e pas tij duke mbledhur supet edhe avokat Rako Pilafi, pa harruar t’i shkelte syrin mjekut Hana, si për t’i thënë, që çdo gjë do rregullohet shumë shpejt.

            I dëshpëruar, mjeku pa me sy lutës të vetmin të mbetur në dhomë, polic Dinen, i cili pasi ngriti supet, nxorri prangat dhe ja vuri për herë të parë të ndaluarit për atë ditë dhe për gjithë ditët , që kishte kaluar nën diktaturë, në tranzicion dhe në botën e lirë. “ Të rënda janë hekurat” mendoi dhe ndoqi pas policing Dine, që po e shpinte në godinën ku ishin dhomat e izolimit.

No comments:

Post a Comment