Monday, 1 December 2014

Protesta masive – Ogur i keq

Protesta e të shtunës së kaluar, kundër qeverisë Rama, duke qënë aq masive edhe pse mund të duket si cilësim absurd, por është një ogur i keq për Shqipërinë.
Analistë të varur dhe të pavarur  mund ta cilësojnë në mënyra nga më të ndryshmet, por për mua, edhe pse ndjej përbuzje për Ramën dhe qeverinë e tij, 200 mijët në shesh të mbledhur nën flamurin e PD-së ishin tregues të qartë, që gjendja e Shqipërisë nuk ka për tu përmirësuar edhe për një dhjetvjeçar tjetër.
Protesta ka gëzuar veçanërisht Berishën, Bashën dhe Metën e disi më pak Ramën. Të katërt kanë garantuar edhe dy legjistatura të tjera  qënien në krye të politikës shqiptare. Pavarësisht, se ç’mund të ndodhë në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe në ato të përgjithshme të 2017, nuk ka asnjë të ngjarë të krijohet ndonjë formacion i ri politik, ose në krye të forcave politike të sotme të vijnë njerëz të tjerë.
Në rast se një miting proteste me një të tretën e pjesëmarësve të atij të shtunës, do ishte i organizuar nga Shoqëria Civile jo vetëm “krerët” e sipërpërmendur do ‘trembeshin”, por edhe një shpresë e re do ngjallej në Shqipërinë shqiptare. Shpresa e largimit gradual të 4 politikanëve më famëkeq shqiptarë.
Por kjo nuk ndodh dhe meqë nuk ka kuptim të flasim për situate hipotetike është më mirë të kuptojmë se ç’ndodh sot dhe se ç’mund të ndodhë në të ardhmen, për të mos humbur shpresën në largimin e së Keqes.
Në një rrjedhë normale të ngjarjeve, gjendja ekonomike e Shqipërisë, tepër e varur nga ekonomitë e vendeve fqinjë, sidomos italisë dhe Greqisë do mbetet e pandryshuar edhe për 3-4 vjet të tjerë. Të dy fqinjët vazhdojnë të përpëliten në krizë, nga e cila do jetë e vështirë të dalin para vitit 2018.
Mungesa e rritjes së nevojshme ekonomike(2% apo 3% e GDP-së është e pamjaftueshme për një vend me ekonomi të dobët, si dhe me një borxh të madh), e shoqëruar me masa ekonomike shtrënguese apo rritje taksash, të imponuara nga organizmat financiare ndërkombëtare, do vazhdojë të shtojë pakënaqësinë e shtresve të varfra apo të mesme. Ana negative është se këto shtresa po drejtohen që tani tek krahu anti-PS, që është PD-ja, e cila nuk ofron asgjë më të mirë, por thjesht mënyrën me të cilën qeverisi për 8 vjet me rradhë, një qeverisje, të cilët shqiptarët e ndëshkuan me votë më 2013.
Në këtë orientim ‘bardhë e zi” në politikën shqiptare (me PS ose kundër PS) kuptohet qartë nga të “paangazhuarit” se nuk mund të shkohet veç se në një qorrsokak. E mejithatë ka pak ose aspak përpjekje për të përfituar nga pjesa e popullsisë gjithnjë në rritje, e cila është kundër të dy partive kryesore. Nga se vjen kjo?
Mungesë politikanësh?
Mungesë e formimit politik jo vetëm pro dhe kundër?
Reminishencë e parrullës politike të kohës së Diktaturës “O me ne , o kundër nesh”?
Të gjitha këto , si dhe faktorë të tjerë shtesë e mbajnë të mpirë, pjesën e njerëzve, që duan ndërtimin e institucioneve dhe funksionimin e tyre në mënyrë të ngjashme me vendet më të përparuara europiane.
E megjithatë për të përfunduar, po them se nëse partia, e cila humbet zgjedhjet nuk shkon poshtë e më poshtë deri sa të humbë rëndësinë e saj në politikën shqiptare dhe vendi t’i zihet nga një forcë e re, nuk do ketë asnjë përparim në jetën e shoqërisë shqiptare.

Për fat të keq, protesta e 22 nëntorit ishte një lajm i keq për Shqipërinë.

No comments:

Post a Comment