Kreu i dymbëdhjetë,
Naim Hana njihet
me të burgosurit
Kol Memeli dhe Naun Bajuti.
Dyert
u hapën dhe u mbyllën me zhurrmë dhe Naimi mbeti vetëm me gardianin Vero
Shandorfi. Verua, pasi pa që nuk i shihte njeri, e përqafoi dhe i malluar i tha
të mos mërzitej. Nuk do rrinte më shumë se një muaj aty. Naimi u mat t'i
thoshte, që edhe Matias Shandorf, nga kishte marë nofkën vetë Enveri, kishte
ndenjur më pak në burgun e kështjellës, por u pendua. Ato që kishte thënë ditët
e fundit nuk kishin qënë dobiprurëse. Përkundrazi e kishin sjellë deri në
zotërimet e Enver Shandorfit.
-
Po të kesh nevojë për celular, letër higjenike, aspirina a gjë tjetër, vetëm më
thuaj- i shkeli syrin Verua.
-Faleminderit
Vero. Do të them.
-Të
kam vënë në një kaush me dy njerëz të shquar: Kol Memelin dhe Naun Bajutin. Do
jesh si në një kamp pushimi.
-Kol
Memeli maratonisti?- u habit Naimi- Përse e kanë marrë?
-Kontrabandë
nga mali dhe tregëtim cigaresh pa pullë. Nuk do dënohet shumë.- tha Vero Shandorfi
dhe hapi derën e kaushit, ku dy burra kthyen kokën dhe ndoqën me sy të
poarsaardhurin në dhomën me dy krevatë marinari, një tavolinë dhe katër stola
plastikë. Naimi dalloi menjëherë maratonistin e famshëm, i cili kishte mbetur
po aq i hollë sa tridhjet e ca vite më parë. Tjetri, ishte një burrë rreth të
dyzetave, me flokë të gjata, të thinjura e të shpupurisura, që para se të
arrestohej, duhet t'i kishte mbajtur të hedhura pas. Ju afrua dhe i zgjati
dorën:
-Naun
Bajuti. Gazetar investigativ.
-Naim
Hana. Kam qënë mjek, por tani jetoj në Amerikë. Jam me pushime.
-E
shoh. C'mendon Uashingtoni për integrimin e Shqipërisë Juglindore në gjithë
strukturat e globalizmit?
-Nuk
e di... Nuk...nuk e kam mësuar mirë anglishten.
-Nuk është problem. Jeni i lirë të më
pyesni për pyetje të ndyshme lidhur me kronologjinë e realitetit shqiptar.
Naimi mblodhi supet, si për të
thënë, që në këtë hall ku ishte futur, nuk i duhej as kronologjia dhe as
realiteti shqiptar, po mendoi, që ndoshta do i duheshin shumë ditë në të
njëjtin kaush me të burgosurin Naun Bajuti dhe ishte e udhës të shkonin mirë .Hodhi
rrobat mbi krevatin e lirë dhe u ul i dëshpëruar. I buzëqeshi ishmaratonistit
me shpresë, se do arrinin të flisnin për mundësinë e stërvitjes për vrapime të
gjata në kushtet e burgut, po Koli rrinte i menduar dhe bënte vetëm rrotullime
të përmbajtura të qafës. Tjetri dukej më miqësor ndaj pyeti:
-Juve zoti Bajuti nuk jeni nga
Bredhishta?
-Eshtë e vërtetë, që nuk i përkas si
proces gjenealogjik krahinës suaj me vlera, por këtu kam fokusuar një pjesë
kryesore të procesit investigativ për projektin e nisur.
-Projektin e kini nisur në
kryeqytet?
-Pikërisht në qendrën e
pështjellimit korruptiv të të gjithë aferave ekonomike.
-Po në cilën gazetë keni qënë para
6-7 vjetësh?
-Fillimisht kam qënë i
pavarur. Ju e dini, që realiteti shqiptar është pak i brishtë.
Kam bërë pune të ndryshme nga manaxher, ndihmësguzhinier, barmen, promovues librash, promotor pranë një reviste, autor shkrimesh dhe analizash politiko-ekonomiko, eseist, supervizor në teatër, kam pasur dhe një bar-kafe-bilardo. Tani jam me përkushtim të plotë në investigimin e krimit të organizuar, nëpërmjet ndjekjes së çështjes famëkeqe Gurgullima dhe bashkëpunoj me shumë organe të shtypit të pavarur.
Kam bërë pune të ndryshme nga manaxher, ndihmësguzhinier, barmen, promovues librash, promotor pranë një reviste, autor shkrimesh dhe analizash politiko-ekonomiko, eseist, supervizor në teatër, kam pasur dhe një bar-kafe-bilardo. Tani jam me përkushtim të plotë në investigimin e krimit të organizuar, nëpërmjet ndjekjes së çështjes famëkeqe Gurgullima dhe bashkëpunoj me shumë organe të shtypit të pavarur.
-C'është çështja Gurgullima?-
nxitoi Naimi dhe u ngrit nga shtrati i hekurt.
-Jam munduar të
tejkaloj brishtësinë, ku si target, me të drejtë kam politikën pasi ju e dini,
që këtu vazhdon akoma lufta e klasave, çensurimi, frika. Cështja Gurgullima
mund të konsiderohet mishërimi i një kontradiksioni të pazgjidhshëm ndërmjet
pushtetit të pakufizuar dhe krimit lokal, që mund të shpjerë në pasoja
vdekjeprurëse.
-Po këtu përse
jini?-pyeti mjeku, që filloi të dyshonte në gjendjen mendore të gazetarit
investigativ.
-Pikërisht kjo është
shprehja më e lartë e sakrificës sublime, që një përfaqësues i shtypit të
pavarur bën për të çarë rrethin vicioz të biznesmenëve, politikanëve dhe
malavitës. Ndaj justifikimet e tyre me target intelektualin e ngazëlluar do
dështojnë si në angazhimin e arradhës të tagrambledhësve dhe në morinë e
çështjeve gjyqësore me objekt paditë civile.
-E qartë- tha Naim
Hana dhe u shtri në shtart me fytyrë nga muri. Telashet po shtoheshin dhe nuk
dinte në se edhe ai vetë do kishte një "çështje gjyqësore me objekt paditë
civile". Cdo gjë ishte në dorë të avokatit Rako Pilafi dhe Ambasadës
Amerikane, por duhej të gdhihej e hëna. Ndërkohë, Bajuti i ishte afruar pranë
shtrati dhe i tha plot bindje:
- Nuk është një elozh
mediatik, por e vërtetë e madhe, që populli Shqiptar i çdo kategorie eshte 100
përqind pro -U.S.A. dhe ky është një element shumë i qënësishëm, duke e shtuar
optimizmin në çdo skaj.
-Në çdo skaj- përsëritim,
pa menduar se ç’po thoshte, mjeku.
-Në çdo skaj duhet të
përqëndrohet edhe angazhimi gjithpërfshirës në konfrontimin demaskues të
transparencës reaktive, që kontraston me rrethi vicioz krim- pushtet-krim.
-E qartë-përsëriti i
pashpresë Naimi. U mundua të mbyllte sytë e të flinte, për të harruar edhe një
tjetër ditë absurde në qytezën e lindjes, nga e cila kishte përfituar vetëm
shtratin e fjejtjes falas. Nuk duhej të bjerrej. Duhet të luftonte me dinjitet
për nderin e nëpërkëmbur, riparimin e apartamentit dhe për përgatitjen fizike
si marathonomak. Ndaj brofi dhe ju drejtua marathonistit të vjetër:
- Kol, dua të hyj në
marathonën e Bostonit!
E gjithë qënia e
trupëzuar në një skelet me fibra muskujsh, që dikur kishte qënë krenaria e
vendit në vrapimet në distancë, u drodh. Kol Memeli posa kishte dëgjuar
"maratona e Bostonit" u kthye drejt atij, që e kishte shqiptuar. I
nguli sytë Naim Hanës për ta parë nëse tallej dhe pyeti:
- Edhe?
Naimi i lehtësuar ju
afrua dhe i tha:
- Dua të më ndihmosh
të stërvitem edhe këtu në qeli.
Maratonisti i vjetër u
mendua, por duke parë vendosmërinë në sytë e të porsardhurit tha ngadalë.
- Me kusht që të hyjmë
të dy.
- Ku të hyjmë të dy?
- Në ma-ra-to-nën e Bo-sto-nit!-
i shqiptoi të ndara të gjitha rrokjet Kol Memeli.
-...Po...si mund të
hyjmë të dy? Ti ke shpresë të mos dënohesh për kontrabandë?
Maratonisti i vjetër i
mbajti për një kohë të gjatë sytë ngulur në bebëzat e mjekut pa lojtur asnjë
muskul të fytyrës. Naimi e kuptoi, që duhej të epej para vendosmërisë të
ish-kampionit.
-Në rast të një
narrative gjyqësore të qënësishme dhe me integritet të pakufizuar, faji i vetëm
i bashkëvuajtësit tonë mbetet në mospërfshirjen në rastet skandaloze të
informalitetit doganor të një konteksti tepër inkriminues.
Kol Memeli vazhdonte të rrinte i paepur dhe i paturbulluar edhe nga
fraza e fundit e hNaun Bajutit, ndërsa Naim Hana mendoi se diçka mund të
kuptonte edhe nga ato, që theshte gazetari investigativ, po të zëvendësonte një
pjesë të fjalëve dhe të hiqte të tepërtat. Kishte mes fjalive të tij të çoroditura
informacion se ç’kishte ndodhur dhe po ndodhte në vendin e tij gjatë gjashtë
viteve të mungesës. I duhej për tu mbrojtur por edhe për të mbajtur një mendje
të shëndoshë në një trup të shëndoshë.
-Po për rastin tim ç’mendoni?-
ju drejtua gazetarit.
-Ende narrativa e
rastit tuaj me gjithë natyrën komplekse, që mund të sjellë gjeografia e krimit
dhe situacioni dynënshtetësor i vetë subjektit të involvuar në narrativë është
një terr mediatik për mua.
Naimi heshti pak dhe
pasi e kuptoi, që gazetari donte të njihej me hollësi me atë , që I kishte
ndodhur, nisi të spjegonte gjithshka, që i kishte ndodhur gjatë mëngjesit dhe
drekës pa përfshirë këtu takimin me Aferim Dollibashin dhe mbledhjen për
moslejimin e ndërtimit të Kishës katolike, duke menduar se do ishte më mirë mos
prekte një çështje me rëndësi për avokatin e tij Rako Pilafi. Gazetari e dëgjoi
pa e ndërprerë, vetëm duke picërruar sytë herë herë, sikur të ndjente diçka, që
mungonte në tregimin e mjekut.
-Mund t’i bëni një
rifreskim trasversal të mëtejshëm të gjithë sagës suaj disaditore në Bredhishtë?
Mjeku u step nga
pyetja por pasi e pastroi nga të panevojshmet kuptoi, që gazetari donte të
dinte gjithshka kishte ndodhur posa kishte shkelur në atdhe. Filloi duke
shmangur hollësitë, por kur arriti në biseda mes tij dhe Gogo Gurgullimës e
ndali:
-U arrit sikundër ishte
çdo prognostikim plot integritet në zemër të pështjellimit malavitoz të
tentakuluar në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe publike me një dinamikë
ndjellakeqase. Sinonimi- Cështja Gurgullima.
Naimi kishte kuptuar
fjalinë e dytë nëse ajo mund të quhej fjali, por ishte krejtësisht i turbullt për
të parën. Hoqi “integritet”, plot “malavitoz” dhe “me një dinamikë ndjellakeqëse” dhe i mbeti “U arrit sikundër ishte çdo prognostikim në zemër të pështjellimit të
tentakuluar në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe publike. Sinonimi- Cështja
Gurgullima”. Ndjeu , që koka po i punonte më së miri edhe pse ende nuk
kishte kuptuar plotësisht se ç’donte të thoshte Bajuti. Provoi ta përsëriste
duke bërë të tjera thjeshtime dhe duke vendosur “çështja Gurgullima” në vend të “pështjellimit
të tentakuluar” dhe arriti në “ u
arrit sikundër ishte çdo prognostikim në
zemër të çështjes Gurgullima në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe
publike”.
-Me një fjalë, zoti Bajuti, e gjithë kundërvënia e
shtetit ndaj meje ka në prapaskenë Gogo Gurgullimën?
-Më krijon një kënaqësi
vetmohuese konsensusi konkluzional ndërmjet mendimit të pavarur shqiptar dhe
gjykimit gjakftohtë të një përfaqësuesi të demokracive të konsoliduara.
Naimi edhe pse nuk e
ndjente veten përfaqësues i demokracive të konsoliduara u ngazëllua, që po
kuptohej me gazetarin investigativ e për më tepër nuk ishte viktima i vetëm i Gurgullimës.
Mund ta përdorte për lirimin e tij. Për tu siguruar e pyeti Bajutin:
-Mendoni se mund ta përdor
këtë si linjë mbrojtëse?
-Ne duhet të kemi një
axhendë të qënësishme duke perfshirë edhe ndonjë rekomandim, që vjen nga
realiteti i brishtë shqiptar.
Përgjigja e fundit ju
duk mjekut, si shprehje e modestisë së gazetarit, pasi edhe pse dukej pak i brishtë
mendërisht, ai dinte rreth përfshirjes së njerëzve me pushtet me bizneset e
ligjshme dhe të paligjshme shumë më shumë se ai vetë.
Kishte shkuar vonë
ndaj mendoi se kishte ardhur koha të flinte pas ditës më të çoroditur e më
ndjellakeqëse(e kapi veten duke menduar me fjalët e Naun Bajutit dhe u tremb) të
jetës së tij.
-Natën e mirë miqtë e
mij!
“Ntmir“ u dëgjua të thoshe Kol Memeli dhe “Natën e mirë, bashkëvuajtësi
ynë plot dinjitet!”, sigurisht nga gazetari investigativ.
Shtrati ishte i fortë.
No comments:
Post a Comment