Friday, 8 October 2021

“Shtetarët” që e kanë shitur by….


Në Shqipëri shumë e shumë gjëra janë të pazakonta. Qeveritarët shqiptarë edhe pse rrahin gjoksin që janë proeuropianë dhe proamerikanë, as nuk përpiqen të imitojnë edhe rregullat formale të një demokracie të zhvilluar, por sajojnë forma të tjera, të çuditshme, të dyshimta, pa lezet për të mos thënë të shpifura.

Vjet e sivjet kriminaliteti në Shqipëri ka qënë në rritje dhe policia ka qënë shumë më poshtë se sa niveli i detyrës në parandalimin e krimeve, në ndjekjen e tyre dhe në shpënien para drejtësisë. Deri diku rritja e krimit është e kuptueshme, sepse niveli i varfërisë dhe i papunësisë ka qënë i lartë, por burimet nga Shqipëria bëjnë me faj ministrat e brendshëm dhe ish-drejtorin e policisë Veliu. Opozita ka kohë që e ka demaskuar dhe para disa muajsh edhe vetë Rama u detyrua të pranonte gjendjen e dobët të shërbimit policor.

Po ç’ndodhi dje, që na bën ta rikthesojmë nofkën Absurdistan për Shqipërinë?

Kryeministria organizon një manifestim “lënie stafete” nga Veliu tek Nano, nën bekimin e ministrit CuçI, po aq përgjegjës për luftën ndaj krimit gjatë këtij viti. Në asnjë vend demokratik nuk zhvillohen ceremoni të tilla për dikë që shkarkohet, ose detyrohet të japë dorëheqjen. Madje nuk ndodhin as kur për hir të moshës apo të gjendjes shëndetsore, Kryepolici dorëzon detyrën.

E gjitha është një farsë e kërkuar nga Veliu, ku jo vetëm do të paraqitet si Kryepolic i suksesshëm dhe që është larguar me dëshirë, por kërkon që kjo të theksohet edhe nga ministri Cuçi. Kjo gjë e lejuar dhe e ideuar nga Rama është e detyruar nga shantazhi i Veliut, i cili kërkon “të largohet me nder”.

C’farë dokumenta zotëron Veliu, që është në gjendje të shantazhojë kryeministrin shqiptar?

Porosi për mbyllje dosjesh? Urdhra për përfshirjen e policisë në fushatën elektorale? Orientime për goditje vetëm të kriminelëve të lidhur me opozitën?

Ndoshta të gjitha këto, sepse nuk spjegohet dot ndryshe, që kryeministri e deklaron policinë si të paefektshme, shkarkon Drejtorin e saj dhe njëkohësisht bëhet përcjellja me bujë e tij dhe ministri klloun Cuçi deklaron se “ Nano do e ketë të vështirë për shkak të standarteve të larta që ka vënë Veliu!”

Ministria e Punëve të Brendëshme është një ministri shumë e rëndësishme në çdo vend, por më e rëndësishme bëhet në vendet me demokraci-hibride si e jona. Tradita e keqpërdorimit të saj fillon me Berishën dhe vazhdon në të njëjtën linjë me Ramën, që në krye të saj vendos vetëm bashkëpunëtorë të afërt të përzjerë me krime.

 

No comments:

Post a Comment