Thursday, 21 October 2021

Amerikanët e kanë të lehtë të “qeverisin” në Shqipëri


SHBA përgjithësisht ndërhyn në punët e brendëshme të të gjithë vendeve të botës, nëse nuk futim këtu Korenë e Veriut dhe ndonjë vend tjetër të izoluar. Ndërhyrja bëhet për interesat e ekonomisë ameriakne dhe të dominimit amerikan në botë, por në më të shumtën e rasteve këto ndërhyrje kanë qënë edhe në favor të vendeve ku janë  përzjerë. Sigurisht që po qe se do flitet për periudhën 75 vjeçare nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ka edhe shumë raste të ndërhyrjeve brutale dhe në dëm të interesave të popujve, sidomos në Amerikën Latine.

Po le të merremi me rastin e Shqipërisë dhe Ballkanit, dhe sidomos me ndërhyrjet amerikane në këtë shekull.

C’farë kërkojnë amerikanët nga vendet Ballkanike?

Uljen e ndikimit të rusëve, kinezëve dhe turqve dhe mundësi për investime amerikane dhe për blerje të produkteve amerikane. Nëse vendet e Ballkanit mund të ndikojnë në politikat pro-amerikane të Bashkimit Europian aq më mirë.

Tradicionalisht për Shqipërinë, interesat amerikane kanë qënë në përputhje me interesat tona. Kjo është arsyeja që ne jemi vendi më pro-amerikan në Ballkan dhe në të gjithë Europën. Dhe kjo e ka bërë edhe më të lehtë për përfaqësuesit amerikanë të “ndërhyjnë“ në “punët tona të brendshme”. Kjo ka bërë edhe që amerikanët të këmbëngulin për një demokraci të vërtetë në Shqipëri. Në rast se do kishte rryma të ndryshme edhe anti-amerikane dhe pro-ruse e të tjera, ata mund të favorizonin udhëheqës autokratë, mjaft të ishin në krahun e tyre, por të tillë nuk ju duhen në Shqipërinë pro-amerikane.

Duke qënë të informuar mirë se demokracia çalon kryesisht prej korrupsionit të lartë dhe dobësive të mëdha të sistemit juridik, amerikanët ndërtuan projektin e Reformës në Drejtësi. Për më tepër ju shërbente edhe interesave të tyre, sepse investitorët amerikanë nuk qasen në vende ku investimet pengohen nga burokracia dhe nga korrupsioni i gjykatave. Ndaj dhe ata investuan burime njerëzore, kohë dhe fonde financiare për të realizuar projektin e tyre.

Kishte vetëm një pengesë! Politikanët e korruptuar shqiptarë të cilët kontrollonin sistemin juridik dhe mbi të cilët shquheshin Sali Berisha dhe Ilir Meta. Gjatë mandatit të Donald Lu, ata bënë ç’ishte e mundur që të dështonte miratimi i paketës së ligjeve për Reformën në Drejtësi. Të korruptuarit socialistë kishin interesat e tyre jo se vërtet duan një sistem juridik të pastër, por donin të hiqnin Drejtësinë nga duart Berisha –Meta.

Këtu është rrënja e shpalljes së Berishës “non grata”, sepse ai jo vetëm ishte pengesë e projektit në fazën e parë, por nuk do ngurronte edhe të bëhej pengesë gjatë zbatimit në fazën e dytë. Për më tepër, amerikanët e patën të qartë, që edhe “Drejtësia e Re” nuk ishte në gjendje të godiste Berishën. Sepse as ingranazhet e saj nuk janë plotësisht të pavarura dhe as plotësisht të fuqishme dhe kompetente.

Njerëz të ndryshëm në të gjitha mediat kritikojnë projektin amerikan dhe sidomos pranojnë “përrallën” se Berisa po goditet nga Sorosi etj. etj. Një pjesë e tyre kërkojnë me “idiotizëm” që amerikanët të paraqesin fakte për korrupsinin e Berishës dhe familjes së tij.

Vendimi i Departamentit të Shtetit nuk është një vendim gjykate, ku vendimmarrësit janë të detyruar t’ju paraqesin palëve apo të interesuarve të tjerë fakte. Eshtë vendim -“unë nuk të pranoj ty në shtëpinë time se ke një emër jo të mirë.” Nëse Berisha dhe mbështetësit e tij këtë e quajnë si njollë për Berishën, ky nuk është problem i Departamentit të Shtetit dhe këtë njollë nuk ka asnjë “laborator i pastrimit kimik” që ta pastrojë.

Absurde janë edhe arsyetime të tjera si “Rama është më i korruptuar, pse nuk e shpallin non grata?”, ose “Berisha ka 8 vjet që nuk ka asnjë pushtet, pse duhet të shpallej tani?” Berisha kishte pushtet edhe në këto 8 vjet prandaj edhe u morrën me të. Berisha kontrollonte Partinë Demokratike dhe mbi të gjitha kontrollonte një pjesë të mirë të sistemit juridik. Amerikanët nuk denojnë të merren me njerëz që nuk kanë gjë në dorë.

(vijon)

No comments:

Post a Comment