Monday, 4 October 2021

Një hamendësim për një libër të palexuar (fund)


 (vijim)

Prirja për të paraqitur Liri Belishovën apo edhe të tjerë anëtarë të Byrosë Politike të goditur nga Hoxha pas luftës si idealistë, është jo vetëm në kundërshtim me historinë, por edhe dashakeqe. Synimi është që t’i ngarkohen të gjitha krimet dhe fajet e Diktaturës, një njeriu të vetëm, Enver Hoxhës. E vërteta e historisë së komunizmit në Shqipëri është se jo vetëm ishte një ideologji e pakuptuar mirë nga shumica e atyre , që e përqafuan por ishte më tepër një mënyrë për të bërë karrierë në një vend ku kishte vakuum politik.

Njohësit e mirë të teorisë komuniste, që ishin edhe idealistë, si Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Ymer Dishnica, Koço Tashko e ndonjë tjetër u goditën shpejt nga Enveri dhe banda e tij, ose u mënjanuan. Tek ata që bënë karrierë që në kohën e luftës si Liri Gega, Koçi Xoxe, Dali Ndreu, Mehmet Shehu, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Bedri Spahiu e të tjerë, edhe nëse kishin diçka idealiste në karakterin dhe mendjen e tyre, mbizotëronte egoja ballkanike për tu bërë me pushtet dhe të rëndësishëm. Kjo spjegon edhe krijimin e tarafeve krahinore në udhëheqjen e Partisë Komuniste, që solli përplasjet për dominim menjëherë pas luftës. Nako Spiru dhe Liri Belishova nuk ishin jashtë këtyre tarafeve.

Me një mjeshtëri bizantine Hoxha diti t’i ndërsente këto tarafe kundër njëri tjetrit dhe të mblidhte fakte dhe akuza për të gjithë udhëheqësit kryesorë të Luftës dhe t’i përdorte për t’i shkarkuar ose për t’i shpënë para skuadrës së pushkatimit edhe me ndihmën e tarafit kundërshtar.

“Fundosja” e parë e Liri Belishovës (duke përdorur logjikën e Bashkim Shehut) ishte pas vetëvrasjes të Nakos, ku dominoi linja e Hoxhës e mbështetur nga Xoxe dhe korçarët e tjerë. Liria ishte viktimë e vetvrasjes të të shoqit, por të tjerë si Mehmet Shehu me shokë rrezikonin të përfundonin të arrestuar. Enver Hoxha nuk mund t’ja falte Nako Spirut përpjekjet për ta shkarkuar në Pleniumin e Beratit të nëntorit 1944.

Letrat e Stalinit të vitit 1948 drejtuar Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë krijuan një situatë të re për Enver Hoxhën, të cilën ai e zgjidhi duke u hedhur në krahun e Bashkimit Sovjetik dhe duke goditur “projugosllavët” Koçi Xoxe me shokë brenda partisë. Në të vërtetë Hoxha kishte qënë më “projugosllavi” mes tyre gjatë Luftës dhe pas saj. Mehmet Shehu dhe Liri Belishova ishin bashkëpunëtorët e tij më të afërm në këtë goditje dhe menjëherë nga “të persekutuar” u ngjitën në krye të Byrosë Politike.

Nuk kishte asnjë lloj idealizmi tek të dy, sepse e dinin mirë se kush i kishte demaskuar dhe i kishte shpënë pranë arrestimit, por duke mbyllur sytë dhe veshët , të dy mallakastriotët pranuan të rrinin përkrah atij që gati ju kishte shkatërruar jetët. Më pas të njëjtën gjë bënë kur u godit miku i tyre Bedri Spahiu dhe me rradhë.

Edhe nëse tek Mehmet Shehu kishte pasur një fije idealizmi kur u nis për në Luftën e Spanjës, edhe nëse Liria si 16vjeçare ishte përfshirë në luftë me idealizmin e një adoleshenteje, pa u mbyllur mirë Lufta e Dytë, ata ishin kthyer në arrivistë dhe pjestarë të bandës terroriste që drejtonte Frontin Nacional Clirimitar.

Sigurisht që historia duhet të tregohet e butë për shkak të vuajtjeve personale të Liri Belishovës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. I shoqi përfundoi në burg dhe ajo vetë me fëmijët u internuan, por deri diku Belishova ishte viktimë e ambicies së saj për pushtet. Ajo e kishte njohur mirë nëpëmjet Nakos se cili ishte në të vërtetë Enver Hoxha e megjithatë pranoi të punonte për 12 vjet si bashkëpunëtore e tij e afërt. Gjatë këtij bashkëpunimi pati plot ngjarje në të cilat ajo asnjëherë nuk mbajti krahun e një komunisteje idealiste apo të një atdhetareje idealiste.

Reflektimi i saj pas viteve ’90 ndaj Diktaturës ishte përgjithësisht i drejtë, por përsëri me një dozë hakmarrjeje ndaj Nexhmije Hoxhës, ish shoqes të saj të shkollës dhe të BRASH-it. Liria përsëri ruajti rezerva për të hapur të plotë e të qartë historinë kriminale të PKSH-së në luftë dhe menjëherë pas çlirimit. Si për të gjithë shqiptarët edhe për të ka qënë i vështirë pranimi i fajeve personale. Në dënimin e krimeve të PKSH-së ajo u mjaftua me përemrin NE.

No comments:

Post a Comment