Sunday, 17 October 2021

Sa e rëndësishme është kujtesa?


Ka që thonë është shumë shumë e rëndësishme. Pa kujtesë, ose më mirë pa aftësinë e trurit të “human sapiens” për të grumbulluar informacion dhe të dhëna nuk do kishte shoqëri njerëzore si kjo që njohim dhe njerëzit nuk do ishin sundimtarët e globit. Pra bota do ishte shumë më ndryshe. Nuk do kishte as qytete, as avionë, as piramida, as ura, as transatlantikë dhe as telefonë celularë.

Por po aq e mirë sa kujtesa është edhe harresa. Nëse nuk do harronim do ishim çmendur të gjithë brenda një kohe të shkurtër ose do kishim plasur nga dhimbjet që na krijojnë ngjarjet e rënda dhe humbjet e mëdha.

Unë i kam zili njerëzit që harrojnë dhe që harrojnë më shumë se mesatarja. Nuk zilepsem aspak për gjenijtë apo për njerëzit që kanë një kujtesë të përsosur. Njerëz që kujtojnë qindra numura telefonash, se në cilin sirtar kanë lënë dokumentat, e sata është në raft e varur kravata me pika, se në ç’minutë e shënoi Panajot Panoja golin e dytë kundër Dinamos më 1972 e të tjera gjëra që ne vdekëtarët e zakonshëm nuk kemi mundësi t’i kujtojmë dot.

Shpesh mërzitem edhe me veten, që pjesë bisedash pa rëndësi më kanë mbetur në mendje dhe jo vetëm pjesëmarrësit në bisedë, por edhe vendi, peisazhi, moti dhe veshjet e të pranishmëve. Do doja që në tru të kishin mbetur plazhet e bukur, dallgët të cilave ju futeshim poshtë kur ishim fëmijë, aromat e gjellëve të preferuara të gatuara me përbërës të pamodifikuar gjenetikisht, buzëqeshjet e vajzave të klasës që ndoshta donin të na thonin diçka, por nuk i kuptonim dhe shumë e shumë mbresa të tjera të bukura.

Për shembull kujtoj që dy më të mëdhenj se unë, njohës të mirë të letërsisë parapëlqenin njëri Kadarenë dhe tjetri Dritëroin. Shumë vite më vonë, edhe njëri dhe tjetri nuk pëlqenin më as Kadarenë dhe as Dritëronë se kishin lexuar shumë më shumë dhe veprat e tyre nuk i zinin më me dorë. Unë rrija dhe i dëgjoja dhe më dukej si e çuditshme, se  lexoja vetëm shqip dhe përkthime të të huajve në shqip. Pasi kishin lexuar akoma më shumë, qëlloi që një ditë ai që dikur parapëlqente Kadarenë e pyeti atë që parapëlqente Dritëronë nëse kishte patur rastin të pinte ndonjë kafe me Ismailin. Tjetri ju përgjigj me përbuzje se nuk kishte pasur ndonjëherë dëshirë të pinte kafe me të.

Unë vazhdoja t’i dëgjoja me habi, se vetë do kisha pirë me shumë dëshirë kafe edhe me njërin edhe me tjetrin, edhe pse duhet të paguaja unë në të dy rastet se Kadareja është gjirokastrit, ndërsa devolliut të madh nuk i mbetej ndonjë lek se i prishte të tëra.

Por jo shumë e shumë vite më parë, ai që parapëlqente Dritëronë dhe që më pas nuk pëlqente asnjërin dhe nuk kishte asnjë dëshirë për të pirë kafe me Ismailin, zbuloi se Kadareja është jo vetëm shkrimtar shumë i madh, por duhet të kishte marë disa herë çmimin Nobël. Nuk di se ç’ndodhi me tjetrin se nuk jam në këto mediat sociale.

E ç’farë dobi kam nga kujtimi I bisedave të të tjerëve? Shijet janë të ndryshueshme, truri vetë është elastik dhe të dy diskutantët ndoshta nuk kujtojnë hiç se ç’kanë thënë mes tyre kur flisnin për letërsinë. Se si thotë një shprehje amerikane “Mendjen nuk e ndryshojnë vetëm të vdekurit dhe budallenjtë“ Dhe të dy njohësit e letërsisë nuk janë as budallenj dhe as kanë vdekur.

Ndaj e dua aq shumë harresën!

No comments:

Post a Comment