Më vjen keq për pemët,
Që qajnë këtë fund vjeshte.
Shiu i ka qullur dhe lotët ju pikojnë,
Por nuk bëzajnë,
Gëlltiten në heshtje.
“Pse nuk binte shi kur ishim të veshura?”
Më pyesin dhe nuk gjegjem dot.
“Më shumë se unë duhet të dini,
Këtu keni qënë kur nuk kisha lindur
Dhe këtu do jini sot e mot!”
Ato nuk fshijnë dot trupit
Ujin që ju kullon,
Stepen;
Nuk di pse më duket
Se kanë një shikim të bindur.
Do ik poshtë në jug,
Atje ku ka palma
Dhe pemë të qeshura plot gjelbërim.
Pranverës do kthehem tek të mijat pemë.
Më dhimben kështu të qullura,
Të çveshura nën shiun që bie pa pushim.
No comments:
Post a Comment