Emrin e Lakçes e kisha dëgjuar që në fëmijëri, por ishte i lidhur me varrin e tij në Shën Gjergji dhe mbetej i rrethuar me një vello mistiçizmi për mendjen e një fëmije, si dikush i pazakontë, i varrosur jo si të tjerët në Shën Triadhë. Nuk dija nëse kishte qënë dhespot dhe nuk kisha guxuar të pyesja për të. Fantazma e tij sikur sillej rrotull edhe kur luanim mbi gurët e mëdhenj të kishës që po prishej. Kisha hyrë vetëm një herë brenda kishës së Shën Gjergjit kur ishte mbyllur, se edhe pse e kishim pranë sht[pis[, mamaja shkonte në kisha e Mitropolisë dhe më kishte marrë ndonjëherë me vete. E kujtoj ende ndjenjën e frikës në atë hapësirë aq të lartë me një kupolë dhe afreske në kulm. Kisha nuk ishte një vend ku mund të shkoja me dëshirë.
Cuditërisht Anastas Lakçeja pak zihej në gojë pasi ishte
prishur Shën Gjergji. Duket që qëndrimi zyrtar ndaj tij e kishte bërë të vetën
në popull. Të pasurit duhet të përmendeshin vetëm për keq dhe Lakçeja kishte qënë
më i pasuri mes korçarëve të pasur.
Edhe pse u mora me kishën e Shën Gjergjit gjatë temës të
diplomës, nuk shfletova gazeta të periudhës para Pavarësisë, sepse koha që
studioja përfshinte vitet nga 1912-1944. Ndaj dhe kur prekja karakteristikat
arkitekturore të kishës u mjaftova me të dhënat e përgjithshme të kohës kur u
ndërtua dhe drejtuesin e punimeve. Nuk mësova dhe as e vrava mendjen se kush ja
kishte dhuruar qytetit atë kishë madhështore. Ishte viti 1982 dhe për kishën
mund të flisje vetëm në mënyrë teknike, si dhe mund të lavdëroje mjeshtërinë e
gurgdhëndësve, muratorëve dhe karpentierëve. Anastas Lakçe ishte i fshirë nga
librat e historisë.
Ende nuk di shumë rreth tij, por di që bëri shumë për bashkësinë
shqiptare në Rumani, bëri shumë për mësimin e gjuhës shqipe dhe për Mësonjtoren
dhe bëri akoma më shumë për qytetin e lindjes, të cilit i la trashëgim jo vetëm
Kishën e Shën Gjergjit, por edhe gjithë pasurinë e tij.
Në traditën e lënë nga dhuruesi i saj, Shën Gjergji, që në përurim
më 1905 u kthye në vatër të edukimit kombëtar. Atje meshoi për herë të parë në
shqip Imzot Fan Noli. Shën Gjergji ishte tempulli më i madh i ortodoksisë kombëtare
shqiptare.
Po pse u prish Shën Gjergji, kur nuk kishte njeri në Korçë,
besimtar dhe ateist, mysliman dhe i krishter, që nuk e quante gabim të rëndë?
Lista me objektet fetare që duhet të mbroheshin si monumente kulture pat hyrë
dy herë në Byronë Politike për miratim dhe të dy herët Shën Gjergji ishte në
listë.
Ku ishte mllefi I Enver Hoxhës për Kishën e Shën Gjergjit, të cilën ai e njihte mirë? C’farë
donte të fshinte nga historia? Anastas Lakçen? Kontributin e shqiptarëve
ortodoksë për çështjen shqiptare?
Asnjëherë nuk kemi për ta mësuar, por për fat të keq diçka ka
arritur. Anastas Lakçes nuk i dihet varri dhe pakkush kujtohet për të. Sivjet
ishte 200 vjetori i lindjes dhe mbase u përmend në ndonjë veprimtari të Muzeut
Mesjetar.
Shtatorja e Lakçes duhet të ishte në qëndër të Korçës. Ose të
paktën një basoreliev bronxi i tij duhet të jetë në muret e Bashkisë. Pikërisht
atje ku bleu truallin për tu ndërtuar Shën Gjergji dhe ku preheshin dikur
eshtrat e tij.
Korça nuk duhet t’i harrojë bijtë e saj më të mirë!
No comments:
Post a Comment