Sunday, 24 October 2021

Ruzhdiu

 

Punët e Ruzhdi Goskovës i kisha parë në ekspozita më parë se të njihja vetë Ruzhdiun. Piktori duhet të ishte kthyer në Korçë rreth mesit të viteve ’60 pasi kishte mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe kishte kryer shërbimin ushtarak. Më vonë, pasi kisha dëgjuar për temperamentin e tij prej artisti nga im atë, e shihja shpesh para Pallatit të Kulturës në grup me artistë të tjerë duke diskutuar me zjarr dhe duke qeshur me të madhe. Ishte simpatik, me flokë të mbajtura me kujdes dhe rrinte i veshur mirë.

Në vitin 1978, kur punova në Ndërmarjen Artistike të Korçës e njoha më nga afër. Ishte i hapur, i drejtpërdrejtë dhe i dashur. Nuk mbahej kurrë në të madh edhe pse ishte piktor i talentuar. Kishte zjarrin e brendshëm të një artisti që përpiqet për artin e tij, por nuk është kurrë i sigurt në suksesin e veprës. Deri në ato vite kishte punuar kryesisht në vaj, por në fillimin e viteve ’80 u përqëndrua në gjininë e akuarelit dhe krijoi qindra peisazhe dhe portrete shumë të arritura. Ishte ndoshta gjinia që i përshtatej më shumë karakterit të tij të vrullshëm. Ato vite hapi disa ekspozita individuale në Korçë e në Tiranë dhe u bë shumë i njohur në të gjithë vendin.

Ishte më i qetë dhe i sigurt dhe buzëqeshja nuk i ndahej nga fytyra. Takoheshim shpesh dhe flisnim për pikturën, për Korçën dhe bënim shaka edhe për absurditetet në botën e administratës dhe artit. Megjithëse njiheshim mirë, vinte me shumë droje të më kërkonte letra “palladio”, të cilat ato vite nuk mund tiI gjeje më në shitje. Ishte një letër speciale për akuarel, që përdorej shumë edhe në projektet e arkitekturës. M’i tregonte me pasion në studion e tij punët, por pa u mburrur dhe duke kërkuar me sy edhe mendimin tim. Kishte shumë energji pozitive Ruzhdiu, të cilit I drejtoheshim si ishte zakon në anët tonat “Rushkë“.

E takova, kur isha para tre vjetësh në Korçë dhe ishte në humor të mirë. Kujtuam edhe një të njohurin tonë, të cilit ai ja kishte ngjitur me dashamirësi nofkën “i pamëshirshmi”. Mendoja se do e takoja përsëri bulevardit, kur të vija në qytetin tonë, por dje është larguar nga jeta duke lënë pas qindra vepra në pikturë dhe dashurinë për artin dhe jetën tek ata që e kanë njohur.

Prehu në paqe Rushkë!

No comments:

Post a Comment