Monday, 25 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt


Që Ballkani është i koklavitur, kjo dihej që para Kongresit të Berlinit të vitit 1878, kur Perandoria Otomane kishte filluar të tatëpjetën e saj. Formimi i shteteve-kombe ishte në rend të ditës në të gjithë botën gjatë shekullit të XIX dhe Ballkani nuk kishte se si të mos e ndiqte atë rrugë. Brenda tij, nën thundrën e dy Perandorive, asaj otomane dhe austro-hungareze, jetonin bullgarët, boshnjakët, grekët, kroatët, malazezët, rumunët, sërbët, sllovenët dhe shqiptarët. Kishte edhe popuj nomadë si arumunët, ciganët dhe romët.

Shqiptarët ishin i vetmi popull, që nuk kishte mbështetje nga fuqitë e mëdha dhe kjo për disa arsye.

·         Nuk kishim asnjë lidhje gjenetike apo gjuhësore me asnjë etni tjetër.

·         Kishim një histori të varfër të shtetformimit dhe të principatave shqiptare nëse krahasoheshim me popujt e tjerë.

·         Na mungonte gjuha e shkruar.

·         Një pjesë e mirë e popullsisë ishte kthyer në myslimane dhe bashkëqeveriste me otomanët në Perandori.

Grekët kishin fituar pavarësinë në vitin 1821, sepse kishin pasur mbështetjen e Francës, Anglisë dhe Rusisë. Gjithashtu principatat gjermane e patën mbështetur Revolucionin grek. U quajt i tillë edhe pse pjesëmarrës ishin po aq shqiptarë dhe vllehë, që jetonin në gadishull dhe në ishujt e Greqisë së sotme. Të gjithë ishin mbledhur një flamuri, që kishte besimin ortodoks në qendër të bashkimit.

Sërbët, malazezët dhe bullgarët kishin mbështetje të hapur nga Rusia. Sërbët ishin të parët që u ngritën kundër turqve me 1804, por vetëm më 1830 mundën të fitonin autonominë dhe Pavarësinë nga turqit e shpallën më 1869.

Malazezët kishin patur periudha autonomie dhe nënshtrimi ndaj turqve, por më 1858 arritën të fitojnë pavarësinë dhe njohjen nga Fuqitë e Mëdha.

Kryengritjet bullgare i përkasin kryesisht gjysmës së dytë të shekullit dhe autonomia e Bullgarisë u arrit vetëm pas fitores të rusëve kundër turqve dhe firmosjes së traktatit të Shën Stefanit më 1878. Fuqitë e mëdha nuk e njohën territorin stërmadh të Bullgarisë sipas traktatit, por njohën një shtet më të vogël bullgar në Kongresin e Berlinit në fund të vitit 1878.

Historia e formimit të mbretërisë rumune dhe njohjes së pavarësisë së saj nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ka qënë më komplekse, sepse territore të tëra të Rumanisë së sotme kanë qënë autonome me parë, ose nën kontrollin e Fuqive të mëdha.

Zgjimi i shqiptarëve nuk ishte më i vonuar se I të tjerëve, por luftrat dhe kryengritjet duan armë dhe mbështetje të madhe financiare, të cilat shqiptarëve ju mungonin. Në dallim nga të tjerët, shqiptarët u bazuan vetëm në rritjen e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet ideologjisë së Rilindjes, manovrimet diplomatike dhe kryengritjet e financuara nga vetë prijësit shqiptarë me ndihma të vogla nga fqinjët sipas interesave të këtyre të fundit.

(vijon)

No comments:

Post a Comment