Tuesday, 12 October 2021

Shkolla shqiptare dhe feja (fund)

 (vijim)

Do tregonim naivitet nëse do njesonim rolin e institucioneve fetare në çështjen shqiptare. Gjeopolitika dhe lidhjet e institucioneve fetare të huaja kanë pasur rolin e tyre në çështjet e kombit dhe të gjuhës shqipe. Bashkësia katolike dhe kisha katolike kanë qënë në unison për çështjen shqiptare dhe në dobi të saj. Ndihmë për këtë kanë dhënë Vatikani dhe sidomos Perandoria austro-hungareze, e cila kishte katoliçizmin në themel të saj. Interesat e austro-hungarezëve ishin kundër pansllavizmit, gjë që e ndihmonte çështjen shqiptare.

Bashkësia myslimane sunite ka qënë më e ndarë, por duke mos pasur një organizim vertikal, hoxhallarët kanë pasur qasje të ndryshme ndaj çështjes së Kombit dhe të gjuhës shqipe. Ka patur prej tyre që kanë qënë në mbështetje të Portës së Lartë, por nuk ka dokumenta që dëshmojnë kundërvënien e hapur të klerikëve sunitë shqiptarë ndaj alfabetit shqip apo shkollës shqipe.

Në rastin e bashkësisë ortodokse ka patur mospërputhje të madhe. Kontributi i ortodoksëve jashtë Shqipërisë ka qënë i jashtëzakonshëm, ndërsa klerikët ose kanë ndenjur neutralë ose e kanë dëmtuar çështjen shqiptare. Ndaj priftërinjve shqiptarë atdhetarë janë marrë masa ndëshkimore deri në vrasje. Kjo ka të bëjë me ndikimine madh të fanatikëve grekë në Patrikanën e Stambollit, të cilët mundoheshin të kthenin shqiptarët ortodoksë në grekë. Ndikimi I Nolit dhe I bashkësisë ortodokse në Amerikë, solli një ndryshim shumë të madh në raportet e kishës ortodokse me çështjen shqiptare.

Bashkësia bektashiane ka qënë thuajse e gjitha në anën e Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe. Teqetë kanë qënë qendra të shqiptarizmës. Kjo lidhet edhe me raportin që kishte sekti bektashian me Portën e Lartë. Një sekt shumë i moderuar, që propagandonte mes të tjerash edhe harmoninë mes feve, bektashianët u përndoqën nga turqit, gjë që solli vendosjen e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.

Po i tillë ka qënë kontributi i bashkësisë së vogël evangjeliste. Kjo lidhet shumë edhe me ndikimin e parimeve demokratike amerikane në Ballkan, ku roli i misionarëve ka qënë përcaktues edhe për shkak të peshës së madhe që kanë pasur dhe kanë evangjelistët në jetën politike amerikane. Puna e familjes Qiriazi dhe e Petro Nini Luarasit ka qënë e pakrahasueshme. Ata ndriçuan brezat e shqiptarëve më shumë se idetë përparimtare të iluministëve europianë. E gjithë puna e tyre ishte mbajtur e fshehtë dhe ishte denigruar nga Diktatura pas dëbimit të misioneve angleze dhe amerikane më 1947.

Rasti i Shqipërisë është vërtet shumë i veçantë në Europë. Megjithëse me disa besime fetare, shqipëtarët e gjetën gjuhën e përbashkët për tu bashkuar e për të bërë Komb. Nuk kishte në këtë lëvizje asgjë nga “luftrat e klasave” apo “ngritje të vegjëlisë“ si pretendonin komunistët-ateistë. Ishte I ndryshëm edhe nga ngritjet kombëtare të popujve të tjerë, të cilët pa përjashtim kishin patur në qendër të lëvizjeve të tyre kombëtare kishën përkatëse.

Rilindja Kombëtare shqiptare kishte si strumbullar gjuhën dhe identitetin kombëtar, por pa përjashtuar dimensionin fetar dhe duke mishëruar brenda saj parimet themelore të feve monoteiste. Cdo lloj përpjekje për të quajtur Rilindjen si kundërvënie ndaj institucioneve fetare është e pavërtetë dhe e rrezikshme. Ajo është një lëvizje e nisur nga elita shqiptare dhe e shpënë përpara prej saj. Vendin kryesor në elitën shqiptare e zinin klerikët e shkolluar. Njerëz të pasur dhe me ndikim, klerikë dhe intelektualë, njerëz të “oxhaqeve” dhe njerëz të thjeshtë bënë të pamundurën  për të patur ne një vend tonin dhe një gjuhë tonën.



No comments:

Post a Comment