Po përdor titullin e një tregimi të gjatë të mrekullueshëm të Kutelit për të përsiatur rreth rolit që ka ndërgjegja në jetëgjatësinë e individëve. Mora shkas nga një lajm, që ishte ndarë nga jeta në moshën 98 vjeçare Aranit Cela, ish-Prokuror i Përgjithshëm dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë të Diktaturës.
Cela nuk është i vetmi përfaqësues i lartë i Diktaturës që
ka rrojtur deri afër një shekull. Nexhmije Hoxha jetoi për 99 vjet, Pilo
Peristeri 100, Rita Marko 98, Spiro Koleka 93, Vito Kapo 98 e me rradhë. Asnjëri
prej tyre nuk kërkoi falje si bashkëfajtor për krimet e kryera nga Diktatura e
egër komuniste. Patën mundësi të reflektonin në gjyqet e zhvilluara ndaj tyre,
në kohën që kaluan në burg, por asnjëri nuk pat ndjerë mëkate në ndërgjegjen e
vet dhe edhe nëse pat ndjerë nuk pati kurajon dhe ndershmërinë të theshte se
ishte penduar.
Dhe mëkatet e tyre nuk ishin të pakta si ato kolektive dhe
individuale.
·
Kishin izoluar të paktën për 30 vjet një popull
të tërë.
·
Kishin zhytyr në varfëri, shpesh deri në kufijtë
e urisë, pjesë të mëdha të popullsisë shqiptare.
·
Kishin dënuar me mijra shqiptarë vetëm se
mendonin ndryshe nga ata.
·
Kishin dënuar me vdekje dhe kishin ekzekutuar
qindra shqiptarë për qëndrime politike të ndryshme.
·
Kishin futur në burg dhe kishin pushkatuar shokët
e tyre më të afërt.
E gjithë kjo dëshmon për një qëndrueshmëri të fortë
kriminale. Këta njerëz jo vetëm kishin bërë faje për të cilat koha i kishte
bindur se kishin qënë të tilla, por nuk kishin cilësinë e domosdoshme për çdo
njeri, që të vinin në pikpyetje ato që kishin bërë. Që t’i analizonin duke marrë
parasysh pasojat tragjike që kishin lënë në familje të tëra. Që t’i krahasonin
me ato që kishin ndodhur në vende të tjera më normale se vëndi jonë.
Ndoshta është e nxituar t’i quajmë të gjithë psikopatë edhe
pse përmbushin kushtet kryesore të kësaj sëmundje psikike që janë mungesa e
keqardhjes për të tjerët dhe e pendimit për veprimet e kryera, të qënit
manipulues dhe të pashpirt. Mbase ishin të prekur nga një lloj psikopatie
kolektive, e cila u zhvillua gradualisht në ta për shkak të sistemit të egër që
kopjuan nga Stalini. Mbase disa prej tyre kishin lindur psikopatë. E megjithatë
të gjithë të sipërpërmendurit u larguan nga jeta si ateistë, besnikë të
idealeve të tyre vrasëse dhe pa kërkuar që të faleshin nga viktimat e tyre ose
nga të afërmit e tyre.
Ndoshta ateizmi i ka bërë si i quante dikur populli “njerëz
pa din e pa iman”. Askush prej tyre nuk pati faza të rënies shpirtërore, por
vazhduan të manipulojnë opinionin publik me “gabime të bëra nga vartësit”, me
mburrjet për zhdukjen e analfabetizmit dhe elektrifikimin e vendit, me rrugët
dhe hekurudhat e ndërtuara me punë vullnetare (skëllevërish) e të tjera si këto.
Aranit Cela ishte i fundit nga “dinosaurët e rrezikshëm”. Le
të shpresojmë mos nxjerrim më të tillë!
No comments:
Post a Comment