Friday, 22 October 2021

Amerikanët e kanë të lehtë të “qeverisin” në Shqipëri (fund)


 (vijim)

Le të kthehemi në “governanca” e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri dhe a e cënon ajo sovranitetin e vendit tonë.

Politikanët dhe diplomatët përgjithësisht kërkojnë të jenë protagonistë. Eshtë në natyrën e punës së tyre dhe ju shërben në karrierë. Gjithashtu në natyrën njerëzore është shumë e përhapur prirja për të patur pushtet dhe për të qënë pranë vendimmarrjes. Ndaj në sjelljet e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, sidomos e atyre që janë në mes të karrierës, vihet re angazhimi i tepruar në të gjitha proceset politike dhe shoqërore të vendit tonë. Për më tepër “oreksin” e ambasadorëve amerikanë e kanë shtuar qëndrimet e politikanëve shqiptarë në këto 30 vjet, sepse të gjithë shkojnë dhe “rrëfehen” në Rrugën e Elbasanit për të minuar rivalët dhe për të fituar pikë për veten.

Asnjë diplomat i huaj nuk do refuzonte këtë sjellje servilash, sepse është brenda detyrës së tij të grumbullojë sa më shumë informacion për gjendjen politike dhe të ketë edhe sa më shumë pushtet. Duke qënë njerëz që gabojnë, edhe ambasadorët amerikanë jo rrallë kanë gabuar edhe për interesat e Amerikës, sepse gabimet për interesat shqiptare nuk kanë pse t’i quajnë të tilla.

Politikanët shqiptarë me sjelljet e tyre jo vetëm se kanë cënuar sovranitetin e shtetit shqiptar, por kanë humbur edhe respektin e funksionarëve amerikanë, një gjë e domosdoshme për marëdhënie të shëndetshme reciproke midis dy vendeve pavarësisht nga forca ekonomike dhe politike.

Nga kjo kanë rrjedhur edhe kërkesat e shumta amerikane për çështje komplekse dhe delikate, që përgjithësisht kanë gjetur përgjigje pozitive nga qeveritë shqiptare edhe pse nuk kanë qënë në interes të vendit tonë.

Qeveria socialiste miratoi kërkesën e amerikanëve më 2002 për të marrë pjesë në koalicionin ushtarak në ndërhyrjen në Irak, gjë aspak e mirëpritur në botë, në kundërshtim me politikën europiane dhe as në interesin e Shqipërisë. Asgjë nuk na detyronte ne, që aspironim për të hyrë në Europën e Bashkuar dhe kërkonim njohjen e Kosovës, të merrnim këtë vendim kontrovers.

Një qëndrim i përafërt është ai i qeverisë demokratike për të pranuar në territorin shqiptar opozitën iraniane, që ishte e detyruara të largohej nga Franca. Pavarësisht nga opinioni që kemi për regjimin reaksionar të mullave në Iran, nuk është në interesin tonë të jemi objektiv i një shteti terrorist, duke ditur edhe që e ardhmja e një opozite të pafuqishme iraniane për tu kthyer në vendin e saj është shumë e largët.

Vërtet si një vend i vogël dhe jo me shumë aleatë, je i detyruar të sillesh si “vasal”, por është në interesin tonë të sillemi si “vasal” dinjitoz dhe që nuk bindet për çdo trill të “zotërisë“ së tij. Në këtë mënyrë edhe përfitimet tona do jenë edhe më të mëdha. Greqia është një vend jo shumë më i madh se ne, por edhe së fundmi ka përfituar shumë nga Shtetet e Bashkuara edhe pse njihet për qëndrime jo të rralla anti-amerikane. Vetëm një në tre grekë e shohin Amerikën si vend mik dhe megjithatë ata sapo arritën një marëveshje bilaterale ushtarake edhe pse janë vend i NATO-s.

Ne duhet të përfitojmë më shumë nga përputhja e interesave me Amerikën që ze fill më shumë se 100 vjet më parë. Pa presidentin Uillson dhe pa bashkësinë shqiptare në Amerikë mund të kishim përfunduar në një vend edhe më të cunguar se sa jemi, në Konferencën e Paqes në Paris 1918-1920.  Pa vendimin e Klintonit për të sulmuar Sërbinë nuk do dihej si do ishte sot fati i Kosovës. Për këto dhe shumë të tjera duhet të veprojmë në favor të interesave amerikane, por pa cënuar interesat tona.

No comments:

Post a Comment