Unë i përkas një brezi, që futi këmbët në shkollë atë vit kur u mbyllën kishat dhe xhamitë. Nuk kujtoj nëse në kopështin e fëmijëve flisnim rreth fesë, apo na mësonin se “feja ishte opium”, por kujtoj që me njëri tjetrin përmendnim Perëndinë, që ishte një nocion stërmadh dhe i stërfuqishëm i lidhur me qiellin dhe njëkohësisht i pakuptueshëm.
Më vonë nuk shikonim më rrugës as priftërinj me rraso të
zeza dhe as hoxhallarë me xhybe, por nuk na dukej ndonjë mungesë e madhe. Dorë
pas dore na mësuan se priftërinjtë dhe hoxhallarët gënjenin dhe se shkolla
ishte e kundërta e xhamive dhe kishave. Kjo mbeti për një kohë të gjatë në
mendjet tona “të shpëlara” nga propaganda e sistemit dhe ka nga ne që ende kanë
në kokë këto ide të rreme.
Kur flasim për çështjet e Kombit dhe të gjuhës shqipe, si
dhe të shkollës kombëtare shqiptare nuk mund të mos përmendim rolin e madh të institucioneve
fetare. Dhe jo rolin negativ që propagandonin “çinovnikët” e komiteteve të
partisë, por atë shumë të rëndësishmin në dobi të çështjes shqiptare.
Logjikisht nuk kishte se si të ishte ndryshe, sepse klerikët
ishin njerëzit më të shkolluar dhe me më shumë ndikim në shoqërinë shqiptare të
shekullit të XIX. Por udhëheqësit e bandës komuniste-anadollake që kishin marrë
pushtetin kërkonin të rishkruanin historinë e Shqipërisë duke ulur sidomos
rolin e klerikëve për të justifikuar krimet që bënë ndaj tyre menjëherë pas
luftës dhe për të neutralizuar ndikimin në popull të udhëheqësve fetarë.
Eshtë pretenduar prej tyre se kjo bëhej në emër të bashkimit
të popullit shqiptar, i cili ishte “i ndarë“ në disa besime fetare, por fshihej
fakti që besimet fetare nuk e kishin ndalur bashkimin e shqiptarëve gjatë
Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu i mëshohej parrullës që “Liria fitohet me gjak
dhe mbrohet me gjak”, që i shkonte për shtat ardhjes së tyre në pushtet dhe
mbrojtjen e tij me zjarr dhe me hekur.
Kredoja e Rilindasve kishte qënë e ndryshme. Shumë më e mençur,
më paqësore edhe pse nuk përjashtonte përpjekjet e armatosura për të fituar Mëvetësinë.
Dhe krijimi i Shqipërisë në periudhën 1912 deri më 1920 është rrjedhojë e shumë
përpjekjeve diplomatike, kërkesave dhe trysnive të bashkësive shqiptare pranë
Fuqive të Mëdha shumë herë më shumë se përpjekjet e armatosura të çetave të
komitëve ndaj Perandorisë Osmane apo ushtrive të fqinjëve. Sigurisht që ndikimi
i ideologjisë fetare kundër dhunës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në
ideologjinë e Rilindjes. Betejat e shqiptarëve për Pavarësi janë të pakta dhe
gjithashtu i vogël ka qënë numuri i dëshmorëve të Pavarësisë.
Në krye të lëvizjeve për identitet kombëtar të shqiptarëve,
për shkrimin e gjuhës shqipe patën qënë ata që donin të përkthenin Ungjillin
duke nisur me Dhaskal Todrin, Vangjel Meksi dhe Kostandin Kristoforidhi; klerikët
Gjergj Fishta, Fan Noli, Dom Nikoll Kaçorri, bektashinjtë e shquar të Frashërit,
misionarët evangjelistë të familjes Qiriazi. Edhe në periudhën e fundit të
Rilindjes Kombëtare, kur komunizmi ishte gjallëruar si ideologji në Europë, nuk
gjen mes shqiptarëve të shquar, ateistë ose propaganndues fanatikë të përdorimit
të dhunës.
(vijon)
No comments:
Post a Comment