Saturday, 16 October 2021

“Pashallarët e kuq” si bumerang


Historia e Diktaturës ka shumë ngjarje paradoksale. E kuptueshme, sepse sistemi vetë ishte një paradoks dhe drejtimi i gjithë jetës së vendit varej thuajse totalisht nga humori i mirë apo i keq i Enver Hoxhës.

Një nga këto ngjarje është edhe “saga” e poezisë të Ismail Kadaresë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh“ ose si quhej në popull “Pashallarët e kuq”.

E kam dëgjuar në atë kohë interpretimin e njerëzve të afërm rreth poezisë. Babai erdhi një ditë në shtëpi dhe tregoi se Ismaili kishte shkruar një poezi për puçistët e ushtrisë ku i cilësonte si “pashallarë të kuq”. Shtoi se duhet të kishte patur problem ideore, se ishte hequr menjëherë nga botimi me porosi nga lart. Më kujtohet që ne të tjerët ishim plotësisht në mbështetje të Ismailit, madje mamaja i tha “po tamam ja u ka shkruar se ktëta të gjithë si pashallarë na janë bërë“. Më vonë u mësua që Kadareja nuk i kishte punët mirë, por nuk dihej me siguri nëse ishte thjesht për poezinë apo po rihapeshin “avazet” e “Dimrit të vetmisë së madhe” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”.

Shumë vite më pas historia e poezisë ishte harruar dhe unë kam mundur ta lexoj vetëm para 5-6 vjetësh dhe jam habitur.

Poezia është shkruar për të përkëdhelur sedrën e Enver Hoxhës, por efekti që bëri tek ai ishte krejt i kundërt. Sipas kujtimeve të sekretarit të tij, Hoxha u tërbua dhe nga ai tërbim mund t’i vinte fundi Kadaresë, po të mos ishte portreti që I kishte bërë Sekretarit të Parë në librin “Dimri I Vetmisë së Madhe”. Futja e Kadaresë në burg, që mezi pritej në rrethet e Partisë, Ministrisë së Brendëshme, por edhe në rrethet e shkrimtarëve do të thoshte heqjen nga qarkullimi të të gjithë veprave të tij dhe kryesisht “Dimrit…” dhe poemave “Viti 60” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, ku ishte ngritur me art figura e Enverit.

Eshtë folur edhe për një stepje për shkak të njohjes së Kadaresë në Europë, por Enver Hoxha më 1974 nuk deshte t’ja dinte për Europën. Ishin vite të izolimit të plotë, të terrorit më të madh dhe si do ndodhte në ato vite me pushkatimin e zv’kryeminstrave, Hoxha nuk do kursente Kadarenë edhe pse i njohur në Francë dhe në vende të tjera europiane.

E gjithë ngjarja e poezisë është qesharake. Ismaili e shpie ta botojë në “Drita” atë lloj traktati politik për të fituar pikë në sytë e Hoxhës, kryeredaktori i gazetës ja tregon Dritëroit që ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëroi dyshon në “pastërtia” e saj dhe ja përcjell Duro Mustafajt të Komitetit Qëndror që e pengon botimin. Por ndalimi është një lloj “pezullimi” sepse dihej simpatia që kishte Hoxha për Kadarenë dhe sidomos miqësia e shkrimtarit me klanin Shehu. Ndaj edhe vetë Ramiz Alia nuk di si të bëjë , por ja shpie poezinë Enver Hoxhës, për të parë se si mund të jetë qëndrimi i tij. Ky i fundit e shpreh hapur pakënaqësinë që Ramiz Alia nuk ishte në gjendje të vendoste vetë!

…Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë,/ Ishte i pari që dyshoi për ta/Dhe atëhere në themelet e shtetit/ Zbriti si në baladat e mëdha./Një pishtar të kuq mbante në dorë./Dheu dridhej,/ Flaka mbi ta ra./Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve/ Tek ndanin mantelet seç i pa…

Këto ishin disa nga vargjet me të cilat Ismaili donte të tregonte madhështinë e Hoxhës dhe vigjilencën e tij ndaj puçistëve dhe burokratëve, por në poezinë-traktat kishte disa të vërteta, që i takonin pikërisht bandës së Enver Hoxhës dhe që Ismaili nuk mendonte se mund t’i shkaktonin tërmetin.

Ishte e vërtetë që Enver Hoxha kishte tradhëtuar që në hapat e para idealizmin e dëshmorëve të rënë dhe të luftëtarëve të tjerë, si dhe ishte e vërtetë, që i kishte të lyera duart me gjak. Por nuk ishte kjo që donte të thoshte poeti ynë i madh. Ai kërkonte mbështetjen e Diktatorit për të mos ndjerë bezdisjen e sigurimsave dhe fanatikëve partiakë.

Kjo ishte dhurata që donte t’i bënte Enverit në përvjetor, por që për pak i kushtoi burgimin e gjatë.

 

 

 

No comments:

Post a Comment