(vijim)
Ngjarjet e trazuara politike në Shqipëri në vitet ’20, mbështetja
që kishte marrë Zogu nga Pashiç, e bënin të pamundur ngritjen e çështjes së
Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare nga shteti shqiptar. Ajo u bë e
mundur vetëm gjatë pushtimit italo-gjerman gjatë Luftës së Dytë, kur u krijua
edhe Shqipëria e Madhe, por ishte një gjë e përkohshme dhe e mbështetur nga
Boshti, i cili e humbi luftën. Edhe nëse komunistët do e ngrinin çështjen e
Kosovës dhe Camërisë në Konferencën e Parisit, nuk kishin për të fituar gjë, se
Shqipëria nga shumë vende quhej si aleate e Italisë, që i kishte shpallur luftë
fqinjëve, të cilët ishin në krahun e aleatëve.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë rektifikimi i kufijve
europiane ishte një “tabu” dhe vetëm përmbysja e sistemit komunist në Lindje
solli ribërjen e hartës së Europës dhe të Ballkanit, sidomos në shtetet e
ish-Jugosllavisë. Lufta e Kosovës dhe mbështetja amerikane dhe e NATO-s ishin
ngjarja më e rëndësishme në çështjen shqiptare, që prej Shpalljes së Pavarësisë
dhe Konferencës të Parisit 1918-1920. Edhe pse këmbëngulet nga Bashkimi
Europian që kufijtë e Ballkanit mos ndryshohen, bashkimi idy shteteve shqiptare
është i pashmangshëm. Eshtë vetëm çështje vitesh, sepse nuk ka asnjë logjikë, që
i njëjti popull, që e do bashkimin të jetojë në dy shtete të ndryshme.
Më e komplikuar është çështja e territoreve shqiptare të
Maqedonisë, sepse një përpjekje e popullsisë shqiptare për t’ju bashkuar
shtetit amë mund të sjellë prishjen e një shteti, që është krijuar për të
balancuar Bullgarinë, Sërbinë, Greqinë dhe Shqipërinë.
Sa ju përket territoreve shqiptare në Greqi dhe Mal të Zi,
apo edhe Luginës së Preshevës në Sërbi, ato mund të mbrohen vetëm si minoritete
brenda shteteve ku janë tani. Ndryshime të mëdha demografike kanë ndodhur dhe
sidomos Greqia ka ndjekur një politikë të ashpër përjashtimi dhe asimilimi të
shqiptarëve dhe maqedonasve. Nëse çështja e pronave të çamëve duhet ngritur me
forcë sipas ligjeve ndërkombëtare, kthimi i tyre në vendbanimet e hershme, apo
përpjekja për t’ju bashkuar Shqipërisë duket utopike.Historia duhet parë pa e
injoruar edhe realitetin. Italianët janë pajtuar me humbjen e Nisës në Franca,
austriakët me humbjen e Tirolit në Italia, gjermanët me humbjen e Alzasës në
Franca, hungarezët me humbjen e Transilvanisë në Rumania e me rradhë.
Nuk mund të ketë
zgjidhje ideale të kufijve ndaj paqja duhet të mbizotërojë mbi grindjet e përhershme
– “kjo është timja dhe nuk është tëndja!”
Ndonëse është e vështirë të parashikosh se kur mund të ndodhë
bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës, sepse shumë gjëra
varen edhe nga e ardhmja e Bashkimit Europian, mendoj se brenda një dhjetvjeçari
do të kemi një shtet të vetëm. Nuk ka pse të quhet “Shqipëri e Madhe”, se nuk
duhet të bëhet paralelizëm me “Bullgarinë e Madhe”, “Sërbinë e Madhe” apo me
Megaloidenë. Minoritetet sërbe, greke, malazeze dhe maqedonase do vazhdojnë të
jenë shumë të vogla nëse krahasohen me minoritetet shqiptare në shtetet e sipërpërmendur.
Shqipëria pas bashkimit mund të jetë një faktor stabilizues
në Ballkan nëse do vazhdojë të jetë e orientuar ndaj Amerikës dhe Perëndimit
dhe do frenojë prirjet islamike apo ato pro-turke të cilat nuk janë të
pandjeshme në Shqipëri dhe Kosovë. E megjithatë, rreziku që “të fryhesh” pasi
ndjehesh më i madh në popullsi dhe në ekonomi ekziston edhe në rrethet
shqiptare, të cilat kanë një popullsi të madhe agrare dhe të paarsimuar mirë.
Janë këto shtresa të popullsisë në Sërbi, Greqi, Mal të Zi dhe Maqedoni që përkrahin
më shumë ekstremet e djathta.
Le të bashkohemi njëherë! Koha do tregojë nëse kemi nxjerrë
mësime të vlefshme nga historia.
No comments:
Post a Comment