Wednesday, 27 October 2021

“Shqipëria e Madhe”- një e ardhme e afërt (3)


 (vijim)

Kongresi i Berlinit i drejtuar nga Bismarku ndali vrullin rus për të përparuar dhe dominuar Ballkanin. Ndërkohë shqiptarët patën krijuar Lidhjen e Prizrenit në qershor të atij viti, që do mbronte me armë tokat shqiptare nga bullgarët dhe sërbët, bazuar në traktatin e Shën Stefanit. Lidhja e Prizrenit ishte një mbledhje e krerëve të krahinave shqiptare (bejlerëve), që kishte edhe ndihmën (jo të hapur) të Portës së Lartë. Ndaj edhe kërkesa e saj fillestare ishte për një vilajet të vetëm shqiptar dhe jo për autonomi, si kishte sugjeruar në Stamboll Pashko Vasa. Abdyl bej Frashëri, përfaqësues i Janinës ishte një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit.

Pjesëmarësit e Kongresit të Berlinit ishin Gjermania, Rusia, Turqia, Austro-Hungaria, Anglia, Franca dhe Italia. Si dëgjues ishin të ftuar edhe Rumania, Sërbia, Greqia dhe Mali i Zi. Ka të dhëna se në Kongres morën pjesë edhe Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto, por nuk dihet me siguri nëse kishin shkuar si përfaqësues të shqiptarëve, pjesë e delegacionit turk, apo është vetëm një spekullim.

Harta e Ballkanit , që u miratua në Kongres ishte shumë më e ndryshme se ajo e dalë nga traktati i Shën Stefanit, por edhe pse një hap përpara nuk merrej me çështjen e territoreve shqiptare vetëm se i linte ato përsëri në kontrollin e Turqisë dhe i jepte Ulqinin, Plavën dhe Gucinë mbretërisë të Malit të Zi.

Nga ana jonë vazhdimisht është folur e shkruar për padrejtësitë e mëdha që na janë bërë nga Fuqitë e Mëdha, por duhet pranuar se ne nuk ishim gati për të krijuar një shtet shqiptar më 1878 edhe sikur të kishte vullnet për të nga të huajt. Ende nuk kishim dëshmuar unitet të plotë për shkëputjen nga Turqia dhe njëkohësisht nuk kishim një gjuhë të shkruar. Nuk kishim një projekt të qartë se si do e ndërtonim një shtet shqiptar. Sigurisht këtu ndikonin negativisht edhe Perandoria Ruse dhe Otomane, si dhe shtetet e sapoformuara ballkanike, të cilat sa kishin nisur të mëkëmbeshin.

Interesant është qëndrimi i pafuqishëm i Vatikanit ndaj çështjes shqiptare. Ndërsa bashkësia katolike shqiptare e udhëhequr nga klerikët ishte shumë aktive në çështjen e Kombit shqiptar, ndikimi i Papës në periudhën e Kongresit të Berlinit ishte thuajse i papërfillshëm. Kjo besoj se spjegohet me pozitat e vështira të shtetit papal gjatë lëvizjeve garibaldine për bashkimin e Italisë.

Në të kundërt, Patriarkana e Stambollit mbështeste hapur interesat e shtetit dhe kishës greke edhe pse nga bashkësia ortodokse shqiptare ishin një numur i madh rilindasish dhe disa nga krerët më të rëndësishëm të saj.

Vendimet e Kongresit të Berlinit sollën një shumëfishim të përpjekjeve për të bërë Shqipëri. Ishte tashmë e qartë se duhej treguar forca e shqiptarëve nëpërmjet rebelimeve të armatosura, hapja e menjëhershme e shkollave shqipe dhe një diplomaci dhe propagandaë aktive ndaj Europës. Në ato vite nisi botimi i shumë gazetave shqip në Ballkan dhe në Itali, si dhe u formuan disa shoqëri të rëndësishme, si “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll më 1875 e cila siguroi dhe lejen për hapje e shkollës private shqipe Mësonjorja e Parë në Korçë. Të asaj periudhe janë edhe botimi i dhjetra librave mësimorë dhe artistikë në gjuhën shqipe.

Nëpunësit shqiptarë në Stamboll ishin gjithashtu të shumtë dhe në pozita të larta shtetërore dhe pararendës të liberalizimit të jetës politike turke. Ibrahim Temo, kunati i vëllezërve Frashëri ishte themelues i Komitetit për Bashkim dhe Përparim, parti politike turke, e cila udhëhoqi lëvizjen xhonturke. Dhjetra personalitete shqiptare ishin anëtarë të asaj partie në të gjithë Ballkanin.

(vijon)

No comments:

Post a Comment