Thursday, 14 October 2021

500 euro


Para do kohësh, dikush më tregonte se sipas doracakut të pashkruar të rryshfeteve në fushën juridike, një prokurori ose gjyqtari nuk mund t’i jepje një rryshfet më të vogël se 500 euro, sado e vogël të ishte çështja. Rryshfeti nën 500 ishte fyes, përçmues, prosvalës, jo i nivelit dhe mund të shkaktonte efektin e kundërt, ku jo vetëm nuk e fitoje dot gjyqin, por mund të përfundoje shumë keq.

Kur e d[gjova mendova se ka një spjegim të llogjikshëm- “gjyqtari ose prokurori lyhet që lyhet me të pëgërë, le të marrë një llokmë që t’i bëjë punë, se me 500 euro nuk i ble dot gruas çantë firmato dhe as të dashurës një gjerdan të sojmë.” Kuptohet që e kam fjalën për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë vëllezër të pasur, gjyshër me shumë prona, apo baxhanakë biznesmenë, që ju dhurojnë troje, makina dhe apartamente.

Si çdo gjë e logjikshme, edhe shifrën 500 e pata harruar shpejt, deri sa ma zuri syri dje në një deklaratë të Ministrit tonë të Mbrojtjes. Duket që Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë në kompetencat e saj edhe mbrojtjen e rrogës minimale, se në të kundërt duket e palogjikshme deklarata e Peleshit : “Ngritja e rrogës minimale në 500 euro do ishte një katastrofë për ekonominë shqiptare!”

Dhe këtë e thotë ministri  i një qeverie socialiste, që në bazën e saj duhet të ketë interesat e punonjësve të mesëm dhe të varfër. Se edhe me një rrogë 500 euro në Shqipëri je i varfër. Edhe nëse ke apartamentin tënd dhe nuk paguan qera. Edhe nëse me kursimet e shumë viteve ke arritur të blesh një makinë. Edhe nëse shkon t’i blesh ushqimet në tregun me shumicë dhe rrobat në gabi. Je i varfër se nuk të arrijnë për të përmbushur nevojat bazë të jetës së sotme për një familje, që janë ushqimi, ngrohja, kanalet televizive, celularët dhe interneti.

Qeveritë socialiste (më shumë se ato demokrate) kanë hedhur para për projekte të kota ndërtimesh, për PPP-ra, për aeroporte qoshe më qoshe të vendit. Po mburren edhe se do lëshojnë vitin e ardhshëm edhe dy satelitë në hapësirë dhe mund të falimentojnë po të ngrenë rrogat dhe pensionet!

Më shumë se 500 euro vlen një biftek në restorantet e shtrenjta ku i shpien ata me të cilët ndajnë paratë dhe ju erren sytë nëse kjo pagesë minimale duhet të bëhet me ligj si niveli më i ulët i varfërisë.

500 vjet nën Turqinë mësuam vetëm se si të marrim rryshfete dhe të vjedhim buxhetin e shtetit!

No comments:

Post a Comment