(vijim)
Fundi i shekullit e gjeti çështjen shqiptare më të kristalizuar dhe me më shumë mbështetje në popullsinë vendase. Lidhja e Pejës e vitit 1899 dhe traktati politik i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” i botuar në të njëjtin vit dëshmuan se shkëputja nga Turqia ishte e pashmangshme. Tashmë rrezik më të madh se Perandoria Otomane përbënin fqinjët , të cilët kishin pretendimet e tyre për trojet e katër vilajeteve shqiptare.
Historia e Ballkanit gjatë mesjetës ka qënë e tillë, ku fise
të tëra shpërnguleshin për shumë arsye nga një principatë në një tjetër dhe
formonin vendngulimet e tyre. Ndaj ka edhe shumë “mbivendosje” të popullsive në
zona të veçanta. Fshatra shqiptare gjen deri në Ukrainë dhe Rumani, ashtu si
gjen edhe fshatra sërbe, greke, maqedonase dhe bullgare në zonat me shumicë të
popullsisë shqiptare. Problemi i autoktonisë është më i komplikuar se sa duket
dhe askush nga popujt ballkanikë nuk mund të mburret si autokton i vërtetë në
trojet ku jeton. Kjo ka sjellë edhe viktimizimin e të gjithë ballkanasve që bërtasin
se ju është mohuar e drejta nga Fuqitë e Mëdha të kenë territoret e tyre të
plota. Problemi ka qënë shumë i vështirë edhe për diplomacitë europiane, pa
dashur t’i lehtësojmë ato nga përgjegjësia se kanë parë thjesht interesat e
vendeve të tyre.
Ndaj edhe luftrat ballkanike të viteve 1911-1913 ishin të
pashmangshme, por ishin njëkohësisht edhe një situatë që ndihmuan manovrimet diplomatike
të Ismail Qemalit dhe shqiptarëve të tjerë për të mundësuar atë që quajmë
Shpallje të Pavarësisë. E quajmë të tillë si akt simbolik, se njohja e
Pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, që është Pavarësia e vërtetë, i
përket vitit 1920.
A ishte i padrejtë Traktati i Londrës i vitit 1913 ndaj
Shqipërisë?
Më shumë se i padrejtë Traktati I Londrës mund të quhet një
kompromis i Fuqive të Mëdha për të lejuar formimin e shtetit shqiptar, që mbështetej
nga Austro-Hungaria dhe Italia, por kundërshtohej me forcë nga Rusia, Greqia, Sërbia,
Bullgaria dhe Mali i Zi. Duhet thënë se ndërsa zhvillohej Konferenca e Londrës,
shteti i posashpallur shqiptar kishte në kontroll Vlorën, Beratin dhe Myzeqenë
dhe i gjithë territori ishte i pushtuar nga sërbët, malazezët dhe grekët.
Britania e Madhe dhe Gjermania qëndruan neutralë ndaj çështjes shqiptare, gjë që
ndikoi në zgjidhjen e arritur, që janë pak a shumë kufijtë e sotëm të Shqipërisë.
Nga Traktati i Londrës mbetën të pakënaqur të gjithë vendet
ballkanike të interesuar, të cilët paraqiten edhe sot e kësaj dite si viktima të
Fuqive të Mëdha. Edhe pse Shqipëria humbi Kosovën, që ka qënë në qëndër të
betejave për Pavarësi, për mendimin tim, Traktati i Londrës shënon një hap para
në çështjen shqiptare, sepse njeh të drejtën e shqiptarëve për të krijuar
shtetin e tyre. Dhe në fillimet e tij ky ishte një shtet i dobët, pa financa
dhe pa ushtri dhe me praninë e forcave të huaja në vend. Kjo vazhdoi gjatë
gjithë kohës së Luftës së Parë, kur shteti shqiptar ishte jo-ekzistent dhe i
gjithë vendi ishte nën kontrollin e ushtrive sërbe, greke, austro-hungareze,
italiane, franceze, malazeze dhe bullgare.
Fundi i Luftës së Parë me humbjen e Gjermanisë dhe
Austro-Hungarisë solli humbjen e aleatëve më të mëdhenj të çështjes shqiptare
ndaj në Konferencën e Parisit ne ishim thuajse pa aleatë, me një delegacion të
përçarë dhe me një kryeministër të plakur si Turhan Pashë Përmeti. Nëse gjatë
Konferencës nuk do mbizotëronte idea e Presidentit Uillson “e drejta e
vetvendosjes së kombeve”, si dhe trysnia e madhe e bashkësisë
shqiptaro-amerikane ndaj administratës amerikane, rrezikoheshin edhe troje të
tjera shqiptare t’ju jepeshin fqinjëve. Konferenca e Parisit është pikë kyçe në
historinë e Shqipërisë, që konfirmoi zyrtarisht ekzistencën e shtetit shqiptar.
Më 1920 nis jeta e tij brenda kufijve të sotme.
(vijon)
No comments:
Post a Comment