Ndonëse e karakterizuar fund e krye nga demagogjia, lëvizja e fundit e Berishës po i sjell një të mirë demokracisë shqiptare. Po trondit Partinë më të madhe opozitare dhe po nxjerr në shesh “shumë lakra” të cilat edhe pse diheshin nuk përmëndeshin hapur nga protagonistët demokratë. Pas kësaj tronditjeje të madhe PD-ja nuk mund të jetë më as e Bashës dhe as e Berishës, ndaj ose do ndahet në dy pjesë ose do duhet të reformohet plotësisht pas largimit të të dyve. Nuk ka të ngjarë edhe sikur të ndodhë një Kuvend në dhjetor, që partia e ashtuquajtur anti-komuniste të kthehet në një parti anti-amerikane duke zgjedhur në krye të saj Sali Berishën.
Foltoret dhe reagimet e kampit tjetër nxorrën në pah problemin
e madh të partive shqiptare, që janë reparte që kontrollohen nga komandanti dhe
posa del një rival tjetër humbasin edhe koherencën edhe çdo lloj etike që duhet
të paktën të ruajnë njerëzit e të njëjtit grupim politik. Fillojnë akuzat me
tradhëtarë dhe të shitur. Kështu ndodhi pas pëplasjeve Berisha-mocionistë, përplasjeve
Nano-Meta, përplasjeve Gjinushi- Laço e me rradhë. Berisha-Basha është e përplasja
e sotme, por ka rëndësi sepse mund të shënojë fillimin e pastrimit të politikës
dhe lindjen e një opozite më të kulluar.
Kushtet janë të tilla. Ekzistenca e SPAK, (edhe me problemet
e tij), vetingu në sistemin juridik, që mund të kopjohet edhe për politikanët,
shpallja e disa njerëzve të politikës shqiptare “non grata” nga amerikanët e
kanë përmirësuar frymën anti-korrupsion në shoqërinë shqiptare. Edhe pse nuk
mund të presim një ndarje me thikë nga e kaluara, koha e qeverive Nano, Meta,
Berisha dhe Rama-1 dhe 2 ka përfunduar. Ai lloj korrupsioni nuk mund të përsëritet
më. Ish-ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë kanë nisur këshillimet me
avokatët e tyre, sepse janë në dijeni se shumë dosje i kanë në SPAK dhe të
tjera denoncime i presin.
Edhe pse i drejtë, padurimi i shqiptarëve për të përmbysur
regjimin e Ramës është i pafrytshëm. Frika nga përplasjet Basha-Berisha bashkë
me thirrjet për unitet të PD-së janë gjithashtu të gabuara. Qeveria Rama 3 sa
ka filluar mandatin dhe koha është e mjaftë për të ringritur një opozitë, që
mund ta shpjerë vendin në zgjedhje të parakohshme para mbylljes së tij. Duhen
vetëm energji të kanalizuara mirë dhe një ose disa udhëheqës të pakoprometuar
dhe me synime të qarta, qoftë edhe sikur të jenë jashtë parlamentit.
Koha nuk punon për të korruptuarit sado të pasur të jenë bërë!
No comments:
Post a Comment