(vijim)
Karakteristika e Rilindjes Kombëtare është se fillon në qendrën
e Perandorisë në Stamboll dhe në kolonitë shqiptare në Ballkan dhe Egjipt si
dhe në botën arbëreshe. Eshtë e kuptueshme sepse në kryeqytetin e Perandorisë
ndodhej elita e shqiptarëve të shkolluar ndërsa në kolonitë shqiptare,
veprimtaria për shkëputje nga perandoria ishte më pak e rrezikshme.
Rilindasit patën kuptuar se për tu ulur në tryezën ku
vendoseshin fatet e kombeve duhet të paraqesnin tre gjëra të domosdoshme: 1. Dëshirën
dhe kryengritjet e shqiptarëve për tu vetqeverisur, 2. Dëshim historike se
ishin në gjendje për shtetformim dhe vetëqeverisje, 3. Se kishin një gjuhë të
shkruar me anë të së cilës do funksiononte shteti dhe administrata.
Për të parën duheshe krijuar një ndjenjë e fortë kombëtare e
cila nuk kishte se si të ekzistonte deri në atë kohë, sepse edhe vetë nocioni i
Kombit nuk kishte më shumë se 50 vjet që qarkullonte në Europë. Shtetet ishin
thuajse të gjithë monarki dhe principata dhe idea e shtetit-komb ishte në hapat
e para edhe në vende si Gjermania. Në Perandoritë as që bëhej fjalë për komb
ose kombe.
Ndaj rilindasit rritën artificialisht legjendat rreth Skënderbeut,
sepse kishte zona të tëra të banuara nga shqiptarët ku Skënderbeu nuk njihej
ose ishte harruar. Me principatën-shtet të Kastriotëve njëkohësisht edhe dëshmonin
para të huajve se shqiptarët nuk ishin fise dhe tribu që nuk kishin idenë e
shtetve modern. Problemi i gjuhës ishte edhe më i mprehtë, sepse edhe pse
kishte patur përpjekje në Mesjetën e vonë për një shqipe të shkruar, shqiptarët
ishin i vetmi popull në Europë, që nuk kishte përkthyer Dhjatën e Vjetër dhe të
Re, të cilat janë të parët libra të shkruar në shumicën e gjuhëve europiane.
Një komb pa një gjuhë
të shkruar dhe pa traditë shtetformuese nuk kishte për tu njohur nga Fuqitë e Mëdha
si Shtet-Komb.
Për fatin tonë të mirë, në shtetet e Europës Qëndrore si
Gjermania dhe Austro-Hungaria shihej me frikë përparimi I rusëve drejt Perëndimit
pas një rënieje të Perandorisë Osmane. Edhe pse në gjysmën e parë të shekullit
të XIX nuk pati ndonjë ndihmë të drejtpërdrejtë të tyre ndaj shqiptarëve, shumë
intelektualë austriakë dhe gjermanë u nxitën të tregonin interesa historike dhe
gjuhësore për popullin e veçantë që jetonte në Ballkan. Kjo rriti jo vetëm
interesimin e opinionit publik në këto vende, por dha edhe një ndihmë të madhe
në zhvillimin e gjuhës shqipe.
Një tjetër karakteristikë e Rilindjes është se ishte e përhapur
në të katër vilajetet shqiptare- të Shkodrës, Shkupit, Janinës dhe Manastirit.
Në të katër këto zona administrative me shumicë të popullsisë shqiptare
shprehej hapur pakënaqësia ndaj administratës turke dhe dëshira për të patur një
administratë shqiptare dhe mundësisht një shtet shqiptar. Përpjekje të mëdha
pati nga rilindasit për të bashkuar të katër në një vilajet të vetëm, gjë që do
e ndihmonte shumë identitetin kombëtar dhe krijimin e një shteti komb por kjo u
refuzua vazhdimisht nga Porta e Lartë, madje edhe në çastet që ata e shihnin çështjen
shqiptare si pengesë për përparimin e sllavëve dhe grekëve në territoret e
Perandorisë.
Traktati i Shën Stefanit në vitin 1878 ishte një goditje e
madhe ndaj idesë kombëtare shqiptare, që mund të sillte zhvillime luftarake të
ashpra në territoret shqiptare nëse nuk do ishte mbajtur në fund të të njëjtit
vit Kongresi i Berlinit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment